Regjizori i njohur durrsak, Haxhi Rama drejton gishtin nga pushteti lokal si përgjegjësi kryesor për gjendjen aktuale apatike të Estradës së qytetit. E katandisur me vetëm dy aktorë në organikën e saj kjo gjini prej vitesh thuajse e ka humbur funksionin e saj të mirëfilltë. Mungesa e një vizioni për teatrin tregon sipas Ramës paaftësinë e këtij pushteti lokal për të menaxhuar dhe mirë administruar këtë institucion artistik
“Kur njerëzimi do të arrijë më në fund paqen, arma me të cilën do të luftojnë njerëzit njeri-tjetrin do të jetë humori”. Këtë thënie regjizori i njohur durrsak Haxhi Rama apo Xhixhi, siç njihet nga të gjithë, preferon ta përdorë shpesh. I lidhur për pjesën më të madhe të jetës me skenën, e në veçanti me estradën, Rama kujton se para viteve ’90 arrinin të realizonin rreth 150 shfaqje në vit, nga të cilat 50 ishin në fshat. Një volum pune mjaft i madh, një impenjim shumë serioz dhe në të njëjtën kohë një pasion e dëshirë e vazhdueshme për artin. Vetëm kështu arrihej të realizohej plani i punës, që në atë kohë ishte një detyrë që duhej zbatuar rigorozisht. Ndërsa kujton me nostalgji atë aktivitet të pandërprerë e të ngjeshur artistik të atyre viteve, Rama ndjen keqardhje për gjendjen aktuale të estradës jo vetëm në Durrës, por dhe në shumë qytete të tjera. Aktualisht, Estrada ka në organikën e saj vetëm dy aktorë: Muharrem Hoxhën dhe Roland Koçën, si dhe një regjizor “part-time” që është Haxhi Rama. Nuk ka në përbërje asnjë këngëtar dhe në raste kur organizohen koncerte të mëdha detyrohen të thërrasin këngëtarë nga qytete të tjera dhe t’i paguajnë honorare të majme. “Është fatkeqësi,- thotë Rama,- që një aktor me dhjetëra vite eksperiencë të paguhet sa një roje e një institucioni shtetëror”.
Mungesa e vëmendjes nga ana e pushtetit lokal ndaj teatrit në përgjithësi dhe estradës në veçanti është arsyeja kryesore e apatisë që ka përfshirë këtë variete. “Në shumë raste, vitet e fundit, fondet na janë akorduar në muajin dhjetor, duke mos na dhënë asnjë mundësi të hartojmë më parë ndonjë projekt, të rrahim ide për të realizuar diçka të bukur për publikun, duke na detyruar të bëjmë diçka në ngut e sipër. Kjo, nuk është aspak serioze”,- thotë Rama. Regjizori i njohur sjell dy fakte mjaft interesante që tregojnë gjendjen në të cilën është katandisur arti në qytetin e Durrësit. Komedia e tij mjaft e suksesshme e fundvitit të kaluar “Dashuri e dytë në moshë të tretë” më parë është ngjitur në skenat e Elbasanit dhe Korçës e më pas është realizuar në Durrës. Projekti ka nisur në qytetin tonë që në vitin 2009, por u braktis për mos akordim të fondeve nga pushteti lokal. Ndërkohë edhe vënia në skenë dy vite më pas, pra në nëntor të 2011, nuk kaloi pa peripeci për regjizorin. Dy aktore, që nuk ishin pjesë e trupës së teatrit, një ndër të cilat ishte e mirënjohura Aishe Stari, Rama është detyruar t’i paguajë nga xhepi i tij, pasi fondet nuk mjaftonin. Është vërtet për të ardhur keq kur kujton faktin që në fillim të këtij viti trupa e Durrësit u nderua me dy çmime të para me këtë komedi në festivalin e dramaturgjisë shqipe në Gjilan, Kosovë.
Sipas Ramës, Estrada është lënë në mëshirë të fatit, pasi jo vetëm reduktimi i trupës, por dhe mungesa e investimeve janë reflektuar në aktivitetin kulturor të kësaj gjinie. “Ajo që më bën përshtypje,- thotë Rama,- është fakti se unë kam bashkëpunuar me teatrot e qyteteve të tjera si Korça, Fieri, apo Elbasani, dhe ajo që konstatoj me sytë e mi dhe që e dëgjoj edhe nga fjalët e kolegëve është fakti se në këto qytete, pushteti lokal është shumë më i vëmendshëm në drejtim të kërkesave të trupave aktoriale. Ndërsa në Fier kryebashkiaku i qytetit shkon dhe ndjek provat e trupës teatrore në qytetin tone, edhe në ditët e premierave drejtuesit e institucioneve mungojnë. Kjo është një indiferencë e pajustifikueshme karshi teatrit”. Para viteve ‘90 teatri numëronte si organikë artistike 30 punonjës, ndërsa Estrada 15, në ditët tona të dy këto gjini artistike kanë vetëm 12 aktorë në përbërje të tyre, konkretisht 10 aktorë trupa e teatrit dhe vetëm dy estrada.
Mungesa e një vizioni për teatrin tregon sipas Ramës paaftësinë e këtij pushteti lokal për të menaxhuar dhe mirë administruar këtë institucion artistik mjaft të domosdoshëm për jetën kulturore të një qyteti si Durrësi, përherë dashamirës ndaj artit. Rama kujton kohët e arta të viteve ‘90, kur së bashku me humoristët Muharrem Hoxha, Fadil Hasa, Roland Koça dhe këngëtaren Liri Lushi arritën të realizonin disa pjesë humoristike mjaft cilësore, batutat e të cilave si psh e famshmja “Sheqer, sheqer” vazhduan të përdoreshin nga njerëzit për vite me rradhë. “Për të shpëtuar estradën duhet ndërhyrje emergjente,- thotë ai,- në të kundërt ndoshta nuk do të ketë më se çfarë të shpëtohet”.
Një jetë e kaluar në skenë
Do të ishte viti 1965, ai që do ta lidhte përgjithmonë Haxhi Ramën me skenën e teatrit dhe estradës së Durrësit. Në ato vite të para, fill pas mbarimit të shkollës së lartë si aktor, Rama do të regjistronte rolet e para të tij, por që siç shprehet dhe vetë plot humor “veç të bërtiturave nuk kishin asnjë gjë tjetër”. I shfaqur në rolin e një figuranti apo duke mos u shfaqur fare në skenë, por duke bërtitur nga jashtë saj emrin e ndonjë personazhi të caktuar ai do të realizonte eksperiencat e para skenike. Megjithëse i diplomuar si aktor, suksesin e vërtetë Rama do ta njihte si regjizor dhe autor tekstesh. Kur i kthehen në kujtesë ato vite ai kujton se punonte me intensitet të lartë duke u habitur ndonjëherë edhe me veten sesi arrinte ta përballonte një ngarkesë të tillë. I angazhuar për një kohë të gjatë pranë ndërmarrjes së hekurudhës, me artistët amatorë të së cilës ka vënë sa e sa shfaqje në skenë, Rama kujton se ajo kohë dhe ajo ndërmarrje ishin si një laborator, ku ai eksperimentonte idetë e tij për teatrin. Nëse në teatër i duhej t’u përmbahej rregullave strikte, tek hekurudha mund të bënte thuajse gjithçka.
Duke sjellë ndërmend ndihmën e pakursyer të drejtorit të asaj kohe Luan Babameto, mjaft i apasionuar ndaj artit, ai përmend se me këtë trupë amatore është nderuar dy herë me medalje të artë në olimpiadat kombëtare të teatrove amatorë. Lidhjen e ngushtë me trupën e kësaj ndërmarrjeje Rama e kujton me humor kur sjell ndërmend një detaj personal nga jeta e tij. Kujton se ishte muaji gusht i vitit 1969 dhe hekurudha feston një përvjetor të sajin. Rama sapo kishte marrë pushimet dhe shpresonte të kalonte disa ditë me gruan e tij të ardhshme, me të cilin kishte vetëm një vit që ishte fejuar. Por në fakt pushimet nuk u kaluan buzë detit, por në skenën e improvizuar në ambientet e ndërmarrjes, ku Rama pushonte pak nga njëra provë në tjetrën, ndërsa e fejuara pastronte skenën në kohën kur aktorët e lodhur largoheshin për t’u shplodhur e për t’u kthyer sërish disa orë më vonë. “Po pavarësisht çdo gjëje, dashuria për artin ishte mjaft e madhe dhe këto privime i kalonim lehtë”,- thotë ai. I nderuar në vitin 2008, me rastin e 65-vjetorit të lindjes me titullin “Nderi i qytetit”, apo këtë vit në festivalin e Gjilanit me çmimin “Drama më e mirë origjinale”, regjizori i njohur durrsak ka nje CV mjaft të pasur me çmime të ndryshme marrë gjatë një karriere të gjatë artistike, fundi i së cilës duket ende i largët.
Dy BIS-e për karrierën
Ndërsa është duke punuar për një triptik për korrupsionin, që shpreson ta vërë në skenë në stinën e vjeshtës, Haxhi Rama i është rikthyer edhe njëherë dramaturgjisë së tij, por këtë herë jo për ta sjellë në një version të ri në skenë, por për ta botuar në dy vepra letrare. Libri i parë do të përfshijë 5-6 komeditë më të mira të tij si: “Kartela e verdhë”, “Lojtari nr.10”, “Fluturimi i breshkës”, “Mirëseerdhe Elona”, “Dashuri e dytë në moshë te tretë”,….. Ndërkohë libri i dytë do të përfshijë skeçe, poezi, tekste këngësh etj. Për të dy librat Rama ka gjetur një titull mjaft sinjifikativ “Bis”. Kur e pyes se pse ky titull, regjizori më thotë se e ka bërë këtë zgjedhje për dy arsye; e para, sepse këtë herë ashtu si artistët ngjiten sërish në skenë nën ovacionet e publikut edhe këto vepra vijnë për herë të dytë, por këtë herë si një botim letrar, jo si shfaqje skenike; dhe së dyti, sepse Bis-i është një thirrje inkurajuese e publikut për artistin dhe në një farë mënyre Rama kërkon të përsërisë edhe njëherë suksesin e arritur përgjatë viteve të karrierës artistike.
Dy librat janë ende në fazën përgatitore, por Rama shpreson ta realizojë botimin e tyre brenda këtij viti. Megjithëse vitet kanë kaluar, vitaliteti i ish basketbollistit të dikurshëm të Lokomotivës dhe Dinamos është mjaft i dallueshëm gjatë bisedës, gjë që më krijon bindjen se Rama ka ende shumë për të dhënë para tërheqjes përfundimtare nga skena. Komedia që planifikon ta vërë në skenë pas pak muajsh trajton probleme të korrupsionit, fenomen ky i gjithpranishëm në jetën tonë. Tre episode të veçantë, tre skena të ndryshme, por që bashkohen nga një tematikë që shërben si urë lidhëse nga njëra pjesë tek tjetra. Korrupsioni është i kudondodhur në shoqërinë tonë, ushqehet prej nesh dhe mbijeton edhe falë kontributit të gjithsecilit. “Kjo do të jetë me pak fjalë ajo çfarë do të trajtojë komedia e re”,- thotë Rama, që shpreson të përsërisë suksesin e pjesëve të mëparshme.