Pas një vit të suksesshëm me plot aktivitete artistike që gjallëruan jetën kulturore të qytetit, shkolla “Jan Kukuzeli” po projekton koncertet më të rëndësishme për vitin e ardhshëm mësimor. 100-vjetori i pavarësisë së vendit duket se do t’i impenjojë maksimalisht nxënësit dhe mësuesit e kësaj shkolle, ndërkohë që koncerti i fundvitit dhe ai për 1 qershorin do të kthehen në traditë të përvitshme
Në çdo fund viti shkollor stafi pedagogjik i institucionve arsimore përballet me një volum të madh pune, por tek shkolla artistike “Jan Kukuzeli” kjo ka një specifikë të veçantë. Vendin e provimeve të zakonshme me shkrim e zënë saxhot muzikore, të cilave u nënshtrohet çdo nxënës i profilit të muzikës. Sapo hyn në oborrin e shkollës, nga salla e koncerteve “Pjetër Dungu” të vijnë menjëherë në vesh tingujt e veglave muzikore. Sot janë nxënësit e ciklit të mesëm që performojnë para komisionit, të përbërë nga mësuesit e shkollës, për të marrë vlerësimin përsa i përket përgatitjes së repertorit të zgjedhur për të interpretuar. Ky vit ka qenë mjaft i ngarkuar për këtë shkollë, si për nxënësit ashtu edhe për stafin pedagogjik. Krahas ngarkesës së zakonshme mësimore, ditët e këtij viti kanë qenë të mbushura me prova të shumta të cilat kishin si synim paraqitjen sa më dinjitoze në aktivitetet e larmishme që jo pak kanë pasuruar jetën kulturore-artistike të qytetit tonë. Koncerti i vitit të ri, shfaqja muzikore “West Side Story”, maratona “E enjtja muzikore”, pesë ekspozita pikture etj. janë disa nga veprimtaritë artistike më impenjative që ka përballuar me sukses kjo shkollë, e për mbi të gjitha me mundësitë e saj financiare.
Gjatë bisedës me drejtoreshën Nevila Kalaja, ajo thekson se gjithçka është arritur falë bashkëpunimit të të gjithëve; nxënësve, mësuesve; prindërve dhe qendrës kulturore “Aleksandër Moisiu”. “Vetëm falë një bashkëpunimi të tillë arriti të kurorëzohej gjithë kjo punë voluminoze. Në gjithë këto vite të funksionimit shkolla ka krijuar një traditë të mirë, është dalluar gjithnjë për përgatitjen cilësore të nxënësve të saj dhe ne nuk bëmë gjë tjetër veçse ndoqëm këtë rrugë”,- thotë Kalaja. Drejtoresha dhe i gjithë stafi pedagogjik është ndjerë mirë nga vlerësimet e marra edhe nga specialistë të fushës, të cilët kanë përgëzuar faktin se nxënësit, pavarësisht moshës së tyre, kanë treguar angazhim dhe janë përpjekur të përfaqësohen sa më denjësisht. Ndërkohë që është e vetëdijshme se interpretimi i nxënësve nuk mund të jetë aq cilësor sa ai i instrumentistëve profesionistë drejtoresha Kalaja thekson se këto aktivitete bënë të mundur të evidentoheshin nxënësit më të talentuar, të cilët në të ardhmen mund të premtojnë shumë. “Rruga e artit është mjaft e vështirë.
Atë e nisin me mijëra, e vazhdojnë me qindra dhe e përfundojnë me dhjetëra. Unë e di mirë që sasia mbetet sasi, por ndonjëherë nga sasia del edhe cilësia, evidentohen elementët më të spikatur. Me këto aktivitete kulturore ne kuptuam se mes nxënësve tanë kishim shumë më tepër artistë të vegjël, nga ajo që mendonim më parë. Është skena ajo që lind dhe formon artistin, sepse përpara publikut ata përballen me emocione, dhe në të njëjtën kohë testojnë dëshirën e tyre dhe aftësitë artistike që posedojnë për të vazhduar më tej në rrugën e artit”,- shprehet Nevila Kalaja.
Projektet për vitin e ardhshëm
Megjithëse është i zënë me mbylljen me sukses të këtij viti, stafi pedagogjik i ka idetë e qarta për vitin e ardhshëm mësimor dhe aktivitetet kulturore që do ta shoqërojnë atë. Përpara është një datë mjaft e rëndësishme historike për vendin tonë dhe me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë kjo shkollë ka menduar të organizojë një sërë aktivitetesh që nuk do të shohë të angazhuar vetëm instrumentistët, por dhe nxënësit e arteve figurative. “Ne i kemi nisur që tani përgatitjet, kemi diskutuar mbi repertorin që do të përzgjidhet për këtë datë. Kjo tregon se me sa seriozitet po e trajtojmë ne këtë ngjarje të rëndësishme. Në të njëjtën kohë këtë ide tonën ia kemi bërë të ditur edhe nxënësve të degës pikturë e skulpturë, të cilët paralelisht me instrumentistët do të realizojnë punime artistike me tematikë 100-vjetorin e pavarësisë. Me këto punime mund të organizohet një konkurs, për të përgjedhur realizimet më të mira”,- thotë Kalaja. Drejtoresha thekson se para disa muajsh, gjatë koncertit të fundvitit shkolla “Jan Kukuzeli” premtoi që do të vijë sërish para publikut durrsak. Ky është një premtim që synon të kthehet në traditë duke i dhuruar spektatorit durrsak një koncert sinfonik cilësor, ku protagonistë do të jenë mësues dhe nxënës së bashku.
Ndërkohë edhe koncerti më i fundit i kësaj shkolle, ai i mbajtur me datë 1 qershor në sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu” do të jetë i përvitshëm. Protagonistë të tij do të jenë nxënësit e ciklit të ulët, për të cilët është krijuar edhe kjo festë. Gjithashtu, tradita e bukur “E enjtja muzikore”, barrën e së cilës për disa muaj me rradhë e mbajtën nxënësit dhe mësuesit e kësaj shkolle do të vazhdojë. Vetëm se këtë vit pjesëmarrja e nxënësve do të jetë më e vogël, duke i dhënë mundësi kësaj maratone të rikthehet në traditën e saj të parë, në koncertet e muzikës së dhomës me instrumentistë profesionistë. “Duke marrë pjesë një apo dy herë në muaj në këtë aktivitet muzikor do të synojmë të rrisim cilësinë e interpretimit të nxënësve tanë duke synuar t’i dhurojmë spektatorëve emocione edhe më të mëdha. Rikthimi i kësaj tradite nxiti edhe instrumentistët profesionistë si pedagogët e shkollës sonë apo kuartetit të harqeve të orkestrës së RTSH-së që të performonin në Durrës. Pra mund të themi se synimi që i vumë vetes kur e ndërmorrëm këtë nismë dha fryte”,- bën të ditur Kalaja.
Ekspozitat e nxënësve
Krahas nxënësve të degës së muzikës, një potencial të madh për shkollën “Jan Kukuzeli” përbëjnë edhe studentët e arteve figurative. Gjatë këtij viti ata kanë realizuar pesë ekspozita kolektive duke u nderuar edhe me çmime të rëndësishme. “Megjithëse në dallim nga nxënësit e degës së muzikës që e frekuentojnë këtë shkollë për 12 vjet rradhazi, artistët e arteve figurative qëndrojnë në këtë shkollë vetëm për katër vjet impenjimi i tyre ka qenë mjaft i madh. Këtë e dëshmojnë mjaft mirë pesë ekspozitat e hapura prej tyre gjatë këtij viti mësimor ku më e rëndësishmja ishte ajo në galerinë e artit pamor “Nikolet Vasia”, ku piktorët dhe skulptorët e shkollës sonë u përballën me kritikën e specializuar të ekspertëve të fushës”,- thotë Kalaja. Ndërkohë në ekspozitën e hapur për të mbledhur ndihma financiare për jetimët e vegjël, nxënësit e kësaj shkolle u nderuan me çmime të para.
Nevoja për mbështetje
Të gjitha aktivitetet artistike kanë pasur koston e tyre finanziare. Shtypja e fletëpalosjeve është realizuar falë kontributit të dhënë nga prindërit e nxënësve, ndërkohë që Kalaja nënvizon se kostot e ekspozitave janë përballuar nga vetë nxënësit pjesëmarrës. “Mbështetja financiare sado e vogël që mund të jetë do të ishte një shtysë e mirë për të gjithë, pasi ajo do t’i motivonte si nxënësit ashtu edhe mësuesit në punën e tyre. Deri tani gjithçka është realizuar falë dëshirës, pasionit dhe vullnetit të mirë të të gjithë shkollës”,- thotë Kalaja. Ajo nënvizon se këtë vit shkolla do t’i nënshtrohet rikonstruksionit të pjesshëm dhe në muajin shtator nxënësit do të kenë ambiente më komode për të mësuar e për të ushtruar pasionin e tyre. Gjithsesi sipas drejtoreshës është e nevojshme një politikë e re kulturore nga ana e pushtetit lokal për të drejtuar më shumë vëmendjen ndaj këtij brezi të ri artistësh që në të ardhmen mund të përfaqësojnë denjësisht qytetin.
Koncerti me dirigjentin belg
Një arritje e rëndësishme për instrumentistët e shkollës “Jan Kukuzeli” ishte organizimi i një koncerti me orkestrën e harqeve të shkollës, nën drejtimin e dirigjentit belg Daniel Glineur. Pas koncertit, ku u angazhuan mësues dhe nxënës të kësaj shkolle, Glineur u shpreh i kënaqur nga performanca e orkestrës durrsake. Sipas tij, instrumentistët shqiptarë e habisin përherë me aftësitë artistike dhe harmoninë muzikore që arrijnë të transmetojnë si kur interpretojnë si solistë, ashtu edhe kur janë pjesë e formacioneve muzikore. “Temperamenti muzikor i këtyre instrumentistëve dhe shpirti i tyre artistik janë gjërat që duhen vlerësuar me nota maksimale. Pavarësisht se veglat janë të vjetra, emocioni që këta të rinj përcjellin përmes tyre është diçka shumë e bukur, mbresëlënëse do të thoja”,- theksoi Glineur. Ai vlerësoi punën e madhe që kanë bërë me këtë grup të rinjsh mësuesit e tyre, impenjimi dhe përkushtimi në punë i të cilëve shpërblehet më së miri nga nxënësit e tyre.