Ndërmarrja, e hapur në vitin 1969, punësoi 1300 punëtorë e specialistë si dhe prodhoi dhjetëra artikuj për tregun vendës, për industrinë dhe eksportin. Ashtu si shumë uzina e fabrika të regjimit të dikurshëm ajo nuk mundi të mbijetojë ose nuk e “lejuan” të mbijetojë në kushtet e ekonomisë së tregut. Sot, shumë pak gjë ka mbetur nga godinat e dikurshme, zhurmat dhe gjallëria në ambientet e saj, ndërkohë që ndërmarrja është zhveshur nga gjithçka duke nisur nga makineritë, pajisjet, pllakat, rrjeti elektrik, dyert, dritaret…….
Plastika është një nga ndërmarrjet e cila ka punësuar dhe mbajtur për vite të tëra ekonomitë e shumë familjeve në Durrës. Ashtu si dhe disa ndërmarrje të tjera, kryesisht të sektorit të industrisë së lehtë, edhe ndërmarrja e plastikës u ngrit në Shkozet. Këtu u përqendruan thuajse të gjitha ndërmarrjet industriale dhe zona jo më kot mori emërtimin “zonë industriale”. Fatkeqësisht edhe ajo, ashtu si Nish Goma, sot janë jashtë funksioni dhe mjediset e saj të braktisura të krijojnë lehtësisht idenë se në këto 20 vite të pas diktaturës komuniste në Shqipëri shumë gjëra kanë mbetur ende në udhëkryq. Për shumë syresh, këto ndërmarrje nuk kanë pasur as mundësinë më të vogël për të mbijetuar në ekonominë e tregut të lirë, ndërsa nuk janë të paktë zërat që kanë mendime të ndryshme apo edhe të kundërta. Plastika ndahet vetëm nga një rrugë e gjerë 5-6 metra nga Nish Goma. Dikur kanë qenë së bashku, ndërsa zgjerimi i kapaciteteve prodhuese solli nevojën e ndarjes më vete.
Megjithatë ato ngjasojnë me njëra-tjetrën. Shumëkush e ka të vështirë jo vetëm në atë kohë, por edhe sot, që të ndajë se ku nis e mbaron Nish Goma dhe ku fillon e përfundon Plastika. E para kishte më shumë të punësuar, rreth 2500 punonjës, kurse e dyta më pak, diku tek 1250-1300 të punësuar. Tek Plastika janë prodhuar produkte të vogla e të mëdha, të thjeshta e vështira. Plastika ka prodhuar dhjetëra artikuj si: pandofla, lule artificiale, kopsa të llojeve të ndryshme, tapa vaji, bidonë të përmasave të shumëllojshme, legenë të mëdhenj e të vegjël, qese, plastmas…Lënda e parë vinte nga Kina, Italia dhe Franca, ndërsa makineritë fillimisht primitive u zëvendësuan me ato të teknologjisë së mirë e të përparuar. Por vitet kanë kaluar dhe gjërat nuk janë më si më parë. Kapanonet, magazinat, ofiçina, kullat e pompave, godina e administratës e shumë objekte të tjera janë po aty. Edhe stolat, lulishtja, rrethimi, ashensori nuk janë tjetërsuar. Megjithatë ato veç shuarjes së mallit për nostalgjikët, nuk mund të kryejnë më asnjë funksion. Së bashku me kalimin e dhjetëvjeçarëve, janë rrënuar thuajse të gjitha. Punonjës të cilët e kanë pasur të lidhur jetën me këtë ndërmarrje të madhe thonë se nuk ka mbetur më ndonjë linjë apo repart nga ato të para viteve 1990.
Proçesi
Plastika ka filluar së funksionuari në vitin 1966. Inxhinieri i parë i saj ishte Osman Perolli. Kjo punishte e vogël u hap tek ish-shtëpia e vjetër e pionierit, fare pranë Mauzoleumit të Dëshmorëve, jo shumë hapa nga kryqëzimi i rrugës “Aleksandër Goga” me rrugën “Dëshmorët”. Fillimisht ka nisur të funksionojë si repart lulesh me mjeshtër Luan Cërloi, shumë i njohur në të gjithë qytetin. Duke qenë se u hap në një objekt me fare pak hapësirë pune, numri i të punësuarve ishte i vogël. Ata punonin e përgatisnin lule artificiale. Me kalimin e kohës reparti sa vinte e bëhej i njohur duke shtuar klientët. Paralelisht me përhapjen e emrit të mirë të punishtes së vogël e modeste u shtri edhe aktiviteti. Projektet për të zgjeruar aktivitetin si dhe për ta përfshirë në një linjë me disa reparte u miratuan. Plastika nga reparti modest në qytet, ashtu si dhe Nish Goma, u transferua në Shkozet. Edhe në këtë rast ishte ing. Osman Perolli ai që nxiti zgjerimin duke ndikuar në këtë mënyrë në shtimin e dukshëm të numrit të fuqisë punëtore.
Këtu proçesi nisi me prodhimin e luleve artificiale të llojeve të ndryshme. Më pas u shtuan edhe artikuj të tjerë. Makineritë e vjetra nisën t’u lënë vendin atyre të reja dhe bashkë me to mbërriti edhe teknologjia më e avancuar për kohën. Erdhën makineri tip konvejeri për prodhimin e sandaleve dhe këpucëve duke zgjeruar kështu gjurmët e shtrirjes së reparteve të industrisë. Ardhja e makinerive të reja dhe prodhimi i këpucëve e sandaleve të para në Plastikën e Shkozetit ka ndodhur diku në vitin 1969, kohë kur nisi të ndërtohej edhe kompleksi për plastikën e re. Montimi dhe vënia në punë e linjave të reja u krye në sajë të ndihmesës së specialistëve kinezë. Ata sollën nga Kina dhe montuan repartin e injektimit, në të cilin prodhoheshin shumë artikuj duke nisur me lulet artificiale, legenët, pandoflat, sandalet, tapat, bidonët, plastmasin e shumë artikuj të tjerë. Kjo e vuri Plastikën, si ndërmarrje, në qendër të vëmendjes për të rinovuar teknologjinë si dhe për të zgjeruar gamën e prodhimeve.
Çelja e repartit të spricave, saldimit, antiqeseve dhe tubave rriti numrin e fuqisë punëtore dhe të administratës. Reparti i presave me krahë, i plastikës së vjetër, u transferua në plastikën e re. Lulet artificiale dhe prodhimi i tyre ishin prioritet në linjën e hershme. Më pas u shtuan edhe të tjerat duke bërë që Plastika të numërojë deri në 1300 të punësuar: punëtorë, mekanikë, ekonomistë, teknologë, laborantë, inxhinierë dhe sektor ndihmës, prapavija. Ecuria e ndërmarrjes për atë kohë ka qenë në hapat e duhura. Marrëdhëniet e mira me Kinën kishin zgjidhur merakun për lëndën e parë apo edhe për pjesët e këmbimit dhe makineritë. Materiali për repartin e pandoflave poroze, për repartin e injektimit që punonte me polisterol dhe repartin e qeseve ishte cilësor dhe kjo shtoi interesimin e tregut që asokohe ishte i centralizuar. Plastika i shërbeu edhe sektorëve të ndryshëm të industrisë, kryesisht asaj ushqimore, por edhe sektorit të bujqësisë sidomos me plastmasin për serat.
Pas instalimit të makinerive të reja, me zgjerimin e aktivitetit, reparti i injektimit mbante peshën kryesore dhe qe ndër më të rëndësishmit. Aty prodhoheshin mallra për konsum si: sandale, legena, pandofla, tapa vaji, kopsa për rrobaqepësi etj. Kinezët sollën edhe stampa për industrinë. Pas dhjetë vitesh, në vitin 1979 ndahet goma nga plastika duke formuar një drejtori më vete. Kjo është edhe periudha e ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike me Kinën, gjë që ndikoi në ngadalësimin e proçesit, pasi u ndërpre ndihma për lëndën e parë, mekanikë, teknologji, pajisje dhe pjesë këmbimi. Njëherësh, nga Durrësi u detyruan të largohen edhe specialistët kinezë, të cilët ishin të pranishëm tek Nish Goma, Plastika dhe sektorë të tjerë të industrisë. Kinezët erdhën në vitet 1969-1970. Ata montuan të gjitha makineritë dhe bënë kualifikimin e punonjësve dhe specialistëve. Për specialistët shqiptarë ndihmesa dhe prania e tyre qe shumë e nevojshme dhe e domosdoshme, pasi vendësit nuk kishin përvojën dhe as kualifikimin për të vënë në punë këtë lloj makinerie. Ndërprerja e furnizimit me mallin dhe lëndën e parë kineze, lindi domosdoshmërinë e gjetjes së partnerëve të rinj.
Kështu sytë u drejtuan nga Italia e Franca duke marrë që andej makineri të avancuara. E kësaj kohe është edhe ardhja nga Italia, për Plastikën, e linjës së re për prodhimin e kopsave moderne, teknologji e përparuar italiane. Paralelisht nisën të vijnë në Durrës edhe specialistë italianë, të cilët qëndruan gjatë pasi makineritë vinin njëra pas tjetrës. Për t’i dalë zot punës si dhe për të kapërcyer krizën e rëndë të krijuar, të gjithë të punësuarit në Plastikë e Nish Goma u detyruan të vijojnë shkollën profesionale pa u shkëputur nga puna. Vajza e djem, pas punës, ndiqnin shkollën, e cila u vlente edhe për të rritur shkallën e kualifikimit. Aty mësonin për materialin, proçesin, makineritë dhe teknologjinë. Për të shmangur parregullsitë, çdo i ri punonte nën kujdesin e një specialisti të vjetër. Punohej me tri turne duke bërë që proçeset të ishin zinxhir. Reparti i injektimit dhe ai i saldimit punonin pa ndërprerje, kurse disa linja kishin dy turne. Edhe makineria e fryrjes së materialit nuk pushonte as ditën e as natën, pasi proçesi duhej të mos ndërpritej, ndryshe rrjedhja e materialit ishte e pashmangshme.
Pajisja, në këtë rast, fikej të dielën në mëngjes dhe ndizej të hënën, 24 orë më pas. Vështirësitë ishin të pranishme dhe ato nisën të bëhen gjithnjë dhe më të ndjeshme pas vitit 1985. Lënda e parë herë vinte, herë vonohej, por ndodhte edhe të mos vinte fare nga importi. Makineritë kishin nevojë për rinovim, por kriza ekonomike e bënte të vështirë deri të pamundur në disa raste blerjen e makinerive të reja. Energjia ndërpritej herë pas here. Vetëm dy vite mundi t’i rezistojë Plastika proçeseve të reja, pasi në vitin 1992 ajo u dorëzua plotësisht duke kaluar në kolaps ekonomik. Pikërisht këtu zë fill edhe ikja e punëtorëve, inxhinierëve, mekanikëve të zotë, ekonomistëve dhe specialistëve. Ndërmarrja nisi të rrënohej ditë pas dite.
Plastika sot
Plastika sot ka disa linja që shërbejnë sa për të mbajtur gjallë kujtimet se dikur në Shkozet ka pasur një ndërmarrje të madhe. Por kjo ndoshta nuk mjafton aspak. 10 mijë mイka qenë dhe vijon të jetë sipërfaqja e kësaj ndërmarrjeje. Ajo u përfshi në proçesin e privatizimit në vitin 1992, ndërsa në vitin 1994, sipas specialistëve dhe ish-drejtuesve të Plastikës, ndërmarrja nisi të dalë në ankand. Janë të shumtë ata që kanë përcjellë vërejtjet dhe ankesat lidhur me mënyrën se si janë zhvilluar ankandet, por këto tani thuajse nuk kanë më fare rëndësi, pasi ndërmarrja është bërë copë-copë. Godinat përgjithësisht janë 2-3 katëshe. Shumë prej tyre kanë pronarë, të tjerat janë rrënuar, mbyllur, shembur apo edhe prishur për t’i lënë vend ndërtimit të godinave të reja. Rrethimi është prishur në shumë vende. Dikur, për të hyrë aty ose duhej të ishte i punësuar, ose i shoqëruar nga dikush. Tani nuk ka më nevojë për leje, mund t’i biesh qark e më qark pa të të ndaluar askush. Nuk ka më makineri brenda Plastikës.
Pajisjet, makineritë e vjetra e të reja, pjesët e këmbimit dhe çdo gjë u shit, u dërgua për skrap, u vodh, u rrëmbye. E njëjta histori si dhe tek ndërmarrja e Nish Gomës. Jo pak kapanone u shembën nga mungesa e vëmendjes dhe kujdesit. Repartet u braktisën të gjitha. U prishën tubacionet e ujit të pijshëm. Ullukët e ujërave të shiut u dëmtuan, u vodhën apo u bënë të papërdorshëm. U vodhën dërrasat, stendat, pllakat e mermerit, dyert e drunjta, hekuri e çdo gjë. Sistemi elektrik u zhvesh i gjithi ngase u hoqën priza, çelësa, spina, llampa, tuba, kabllo. Edhe pllakat u hoqën duke nxjerrë në dritë shtresën e betonit apo edhe dheun. Ofiçina nuk i shpëtoi dëmtimit duke mos e lënë atë të shkojë me të gjithë inventarin në ankand. Mbulesa e kapanoneve, magazinave, ofiçinës dhe reparteve u dëmtua dhe mbeti jashtë kujdesit. Muret u prishën, suvaja ra në thuajse të gjitha objektet. Oborri u mbulua nga bari e shkurret, të cilat ngjiten deri në dritare e dyer. Portat e hekurta u çmontuan një nga një. Ashensori në hyrje të ndërmarrjes nuk funksionon më. Ka mbetur si gërmadhë që rrezikon njerëzit, të cilët nuk e njohin objektin. Madje në gropën e ashensorit kanë rënë jo pak njerëz.
Plastika, një nga ndërmarrjet më të mëdha në Durrës, sot ka vetëm rrënojat. Ngado që të hedhësh sytë nuk sheh asgjë të sistemuar. Ujërat e zeza që dalin nga repartet e përshtatura kohët e fundit, nga lokalet dhe rrobaqepësitë, vërshojnë nëpër oborr dhe rrethimin e ish-ndërmarrjes, duke ndotur rëndë mjedisin. Rrugicat e brendshme në këto 20 vite nuk janë mirëmbajtur fare. Nuk është kujtuar dikush për të hedhur një lopatë me zhavorr sa për të mbuluar gropat. Të mbyt pluhuri e balta. Kanalizimet janë bllokuar të gjitha. Kjo ka bërë që të krijohen pellgje shumë të mëdha e të ndotura me ujë të ndenjur. Aty është e pamundur të kalohet e të qëndrohet, pasi veç papastërtisë së madhe rrezikohesh nga zvarranikët. Tubat e ujit të pijshëm janë shkulur në çdo vend e kënd. Materiali i këtyre tubacioneve u shit për skrap. Nuk ka bilanc se sa ka kushtuar ndërtimi i kësaj ndërmarrjeje. Dokumentacioni u la mënjanë dhe, me rrënimin e ndërmarrjes nisi të mos tregohej më kujdes as për të.
Kështu së bashku me librat e inventarit, nuk ka të dhëna të sakta për pajisjet, makineritë dhe lëndën e parë që është futur. Nuk ka as inventar e bilanc për atë që është dëmtuar nga koha, është vjedhur apo shitur. Pra nuk ka mbetur asgjë. Disa reparte ndryshuan linjën e prodhimit. Kështu, në të hyrë të objektit më të madh në Plastikë, në katin e parë janë vendosur disa linja të përpunimit të drurit, kurse në katin e dytë janë hapur reparte rrobaqepësie dhe këpucësh. Më tej ka një linjë të prodhimit të bidonëve. Tek ish-plastika prodhohen edhe sot qese e plastmas, por këto linja janë të shkëputura dhe nuk ka ndonjë hallkë a zinxhir prodhimi për ta futur këtë lloj biznesi në proçesin e zhvillimit individual. Pronarët e objekteve kanë bërë disa investime për të mbijetuar, por vetëm kaq. Është futur uji i pijshëm në disa objekte, sistemi elektrik është shtrirë nga e para, është investuar në përmirësimin e kushteve të punës dhe në riparimin e objekteve. Por këto investime nuk janë të sistemuara duke bërë që në pjesën të më madhe të sundojë amullia, papastërtia dhe pasiguria e suksesit të proçesit.