Bashkia ka ngritur një grup pune për vlerësimin e të gjithë aseteve në portin e Durrësit. Drejtoresha e Tatim-Taksave në Bashki, Juli Reso, tha se vlerësimi i aseteve nga ana e pushtetit lokal nuk është pritur aspak mirë në Autoritetin portual, por bashkia është e vendosur t’i mbledhë këto para që do të mbushnin disi arkën e saj.
“Ne kemi ngritur një grup pune në bashki me inspektorë dhe inxhinierë specialistë për rivlerësimin e të gjithë sipërfaqjes së Portit të Durrësit. Detyrimet me vetëdeklarim paguhen, por bashkia kërkon të realizojë një kontroll të plotë në terren, edhe për taksën e pasurisë”,- tha drejtoresha e tatim taksave në bashkinë e Durrësit. Sipas Resos, bashkia kërkon të ketë një vizion të qartë për nivelin e detyrimit që Autoriteti Portual ka kundrejt qeverisjes vendore.
Problematika
“Autoriteti Portual Durrës, megjithëse nga viti në vit, ka deklaruar rritje të volumit të punës dhe të të ardhurave, kjo gjë nuk është reflektuar në detyrimet ndaj bashkisë. Nëse deri në 2009, APD paguante 4.5 milionë lekë detyrime kundrejt pushtetit vendor, për vitin 2012 ka paguar 4.1 milionë lekë për pastrim-gjelbërimin, taksa e tatime, duke fshehur mjaft të ardhura, që do të mbushnin arkën e bashkisë. Këto janë taksat që mblidhen nga bizneset që operojnë në portin e Durrësit”,- thotë Reso.
Grupi i punës së ngritur nga bashkia do të ketë objektiv kryesor pune pikërisht kontrollin e të gjitha aseteve portuale për të paraqitur më pas listën e plotë të detyrimit që kjo drejtori ka kundrejt pushtetit vendor. Sipas drejtorisë së tatimeve në bashki ka vite që Autoriteti Portual ka ulur në mënyrë të konsiderueshme sasinë e parave që paguan në arkën e pushtetit lokal, ndërkohë që përfiton prej tij shërbime të ndryshme. Sipas bashkisë, biznese të caktuara në port nuk paguajnë taksat lokale, sepse mbështeten nga politika.
“Në port ka një problem shumë të madh sepse ka subjekte që nuk paguajnë detyrimet ndaj bashkisë. Ata na bëjnë bllokadë sepse mbështeten nga politika. Janë kryesisht agjensitë e biletave të trageteve, të cilat nuk paguajnë asnjë detyrim. Ne për këtë çështje kontaktuam edhe me Autoritetin Portual, sepse kërkojmë që porti të vlerësojë të gjitha asetet që ka. Nëse vazhdohet kështu i fshihen bashkisë së Durrësit të ardhurat nga taksa e pasurisë”,- tha Reso.
Vlerësimi i aseteve
Grupi i punës do të realizojë vlerësimin e të gjitha aseteve duke nisur nga Terminali i ri i pasagjerëve. Është detyrim ligjor i bashkisë për të kërkuar taksën e pasurisë mbi objektet portuale. “Porti deklaron se është rritur numri i pasagjerëve dhe nuk ka krizë ekonomike. Kjo është gjë shumë e mirë për atë institucion, por më parë të paguajë detyrimet vendore ndaj bashkisë. Nëse në portin e Durrësit rriten të ardhurat, atëherë të rriten edhe të ardhurat që jepen për bashkinë, sepse deri tani, kanë pësuar rënie”,- thotë Reso.
Duket se këtë vit bashkia është e vendosur të mbledhë taksën e pasurisë nga porti i Durrësit. Sipas burimeve nga pushteti vendor deri tani taksa e pasurisë për kalatat e përpunimit nuk është paguar nga APD-ja. Bashkia do të insistojë që të paguhet taksa e pasurisë për metër katror, sepse porti i Durrësit në rradhë të parë i përket qytetit.
“Në port zbresin me mijëra turistë nga krocerat në kalatën numër 5. Porti merr të ardhurat e veta nga ky aktivitet. Këta turistë vizitojnë qytetin dhe subjektet private përfitojnë prej tyre të ardhura, ashtu si edhe APD-ja. Tani është radha që Bashkia të kërkojë të mbledhë taksën e pasurisë nga terminali i pasagjerëve, si dhe për shfrytëzimin e kalatave”,- thotë Reso. Paralel me këtë po vazhdon puna për kontrollin e subjekteve që operojnë brenda hapësirave portuale. “Në vetëdeklarimin që bëjnë në bashki ata shprehen se kanë rënie të xhiros ditore. Në këto kushte po kryhet kontrolli i tyre për të vërtetuar këto deklarime”,- thotë drejtoresha e tatim taksave në bashki.
Hekurudha, debitore ndaj bashkisë
Një pjesë e institucioneve vendore prej vitesh nuk paguajnë asnjë taksë vendore. Duke u ndalur tek Drejtoria e Përgjithshme e Hekurudhave Shqiptare, Reso thotë se debia 7 vjeçare e këtij institucioni është 360 milionë lekë të vjetra dhe pavarësisht kontakteve të vazhdueshme mes krerëve të këtyre dy institucioneve situata mbetet e njëjtë. Hekurudha nuk ka likujduar as një pjesë të borxhit të akumuluar prej vitesh, duke u justifikuar me faktin se është në prag falimentimi. Por mos pagesa e detyrimeve në këtë rast ka krijuar një gropë të zezë në të ardhurat e bashkisë dhe borxhi i akumuluar ka një vlerë goxha të lartë. “Çdo vit këtij institucioni i është kërkuar pagesa e taksave vendore, por për shkak të vështirësive ekonomike që po kalojnë nuk ka paguar. Në 2009 u bë amnistia fiskale dhe Drejtoria e Hekurudhës nga kjo amnisti përfitonte ulje me 10 milionë lekë, nëse do të niste të paguante detyrimet. Por edhe pas amnistisë nuk është paguar asnjë qindarkë për taksat bashkiake”,- thotë Reso.