Mungon bashkëpunimi me pushtetin lokal në Durrës duke krijuar një vakuum në drejtim të zhvillimit të turizmit
Drejtoresha e Zyrës së Shërbimit Turistik pranë Qarkut të Durrësit, Shpresa Sagajeva i ka bërë apel njësive të pushtetit vendor për më tepër bashkëpunim për promovimin e resurseve turistike. Ndërsa ka përfunduar kodifikimi i të gjitha njësive akomoduese në qarkun tonë dhe është hartuar një listë me problematikat më evidente në sektorin e turizmit bashkëpunimi me pushtetin lokal shpeshherë lë për të dëshiruar bën të ditur Sagajeva për gazetën “Dyrrah”.
Znj. Sagajeva, sa hotele janë funksionalë në Durrës dhe a është bërë kodifikimi i tyre?
Regjistrimi dhe kodimi filloi me fazën e parë të përqendruar në zonën e Currilave, Shëtitoren Taulantia për të vijuar me zonën e Shkëmbit të Kavajës, në Plazh, në rrethinat dhe qytetin e Krujës dhe Fushëkrujës, në rrethinat e qytetit të Shijakut dhe Komunës Rrashbull, në Maminas, gjiri i Lalzit e plazhi Shënpjetër të Komunës Ishëm. Rregjistrimi dhe si rrjedhojë edhe kodimi i hoteleve u krye derë me derë, në terren, duke rrahur çdo zonë të qarkut Durrës. Të gjithë sipërmarrësit, hotelierët, u informuan mbi mënyrën e përdorimit dhe u pajisën me dokumentacionin e duhur si njësi akomoduese.
Në bazë të të dhënave të sipërpërmendura, qarku i Durrësit rezulton deri tani të ketë një kapacitet mbajtës, zyrtarisht të konfirmuar, prej: 2248 dhoma, 4982 shtretër, 100 njësi akomoduese (hotele). Nga sa thashë më sipër, në qarkun e Durrësit u inspektuan 109 sipërmarrje hotelerie (hotele dhe motele), nga ku 100 prej tyre janë në aktivitet dhe 8 hotele kanë mbyllur aktivitetin e tyre.
Çfarë po bëhet për promovimim e turizmit në qarkun e Durrësit?
Nga data 15 korrik 2011 deri në fillim të muajit tetor 2011, ZSHT Qarku Durrës, u mor me projektin e financuar nga Bashkimi Europian, në bashkëpunim me një universitet privat, për regjistrimin e hoteleve, por këtë herë sipas cilësisë dhe kushteve të ofruara nga subjektet që luajnë rol të rëndësishëm në Turizmin Shqiptar, si: hotelet, agjensitë turistike, transporti (taksi), grupet animatore, shoqatat kulturore, restorantet, turistët, pikat e informacionit. Në këtë formular u përfshi i gjithë zinxhiri turistik që nga agjensitë turistike që merren me promovimin dhe organizimin e guidave turistike në Shqipëri, transportin që ofrohet në pikat hyrëse si porti Durrës, aeroporti, doganat e Morinës dhe ajo e Kapshticës, hartat fizike dhe administrative të njësive akomoduese, tradita dhe zakone të zonave të ndryshme, cilësia dhe niveli i shërbimit, cilësia e akomodimit (komoditetet e fjetjes, komoditet sanitare, mobilimi i dhomave, telekomunikacioni), cilësia e ushqimit, tipologjia e menusë dhe përdorimi i produkteve të freskëta apo i produkteve të bëra në shtëpi (artizanale) për çdo njësi në veçanti, mënyrat e pagesës, relievi fotografik (pamje të mobilimit të dhomave, me ose jo pamje nga deti, afërsia ose largësia nga deti etj.
Ky projekt konsistonte në evidentimin e gjendjes aktuale të turizmit shqiptar dhe si e ku duhet të ndërhyhet në të ardhmen që ky zinxhir turistik të jetë sa më pranë nevojave dhe kërkesave të turistëve si shqiptarë dhe të huaj.
Sa e rëndësishme është një guidë për qarkun e Durrësit për promovimin e turizmit detar, malor e kulturor?
Sigurisht, për vetë pozitën gjeografike që ka qarku i Durrësit, një gërshetim mahnitës të turizmit malor dhe bregdetar duhet medoemos një guidë turistike me vendet më të frekuentuara. Është në të mirën e të gjithë faktorëve turizëmbërës në këtë qark që të sensibilizohen për vënien në jetë të kësaj guide turistike. Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka bërë çdo vit spotet publicitare, por gjithmonë janë spote që përfshijnë të gjithë territorin shqiptar dhe jo Durrësin në veçanti. Zyra e Shërbimit Turistik, Qarku Durrës, shumë herë në takime të ndryshme të organizuara nga Prefektura Durrës e ka ngritur si shqetësim mungesën e një guide profesionale. Problemi mbeten gjithmonë fondet. Prefektura, Këshilli i Qarkut, Bashkia Durrës dhe Bashkia Krujë, Komuna Ishëm, Komuna Rrashbull janë institucionet vendore që në mënyrë të pavarur kanë për detyrë promovimin e një guide turistike, për vetë faktin se kanë lidhje të drejtpërdrejta dhe përfitime ekonomike nga turizmi.
Aktualisht si është bashkëpunimi me pushtetin lokal, me Bashkinë e Durrësit?
Është shumë i vakët për të mos thënë jo bashkëpunues. Zyra e Shërbimit Turistik disa herë ka kërkuar të zhvillojë takime me zyrën e Turizmit në Bashkinë e Durrësit për bashkëpunim të ndërsjelltë, por pushteti lokal asnjë herë nuk është përgjigjur.
Sa është numri i turistëve që kanë vizituar qarkun e Durrësit, në çfarë nivelesh është këtë vit?
Të dhënat janë për vizitat e kryera kryesisht nga turistët e huaj në dy muzetë kryesorë të qarkut Durrës dhe në Amfiteatër, sepse muzeu arkeologjik është në rikonstruksion. Për periudhën janar-maj
Muzeun e heroit tonë kombëtar dhe Muzeun Etnografik, në Krujë i kanë vizituar 15.600 turistë (bie në sy numri i vizitorëve të huaj)
a- Muzeu Arkeologjik vazhdon të jetë në proçes rikonstruksioni
b- Amfiteatri i Durrësit është vizituar nga 1506 (bie ne sy numri i vizitorëve të huaj).
Destinacionet shqiptare, shumë pak oferta
Fushatat e publicitetit turistik kanë nisur. Por nuk na ftojnë as në Durrës, as në Vlorë, as në Sarandë. Paketat turistike nisin nga 150 deri në 200 euro për person në vendet e rajonit si Mal i Zi, Maqedoni, Kroaci etj. Këto janë dhe çmimet që preferohen më tepër. Ndërsa paketat për në perëndim lëvizin nga 500 deri në 800 euro. Këtu përfshihen udhëtimet drejt Budapestit, Vjenës, Parisit, Romës, Madridit, Valencias apo Barcelonës. Sigurisht që këto janë vendet më të bukura të Europës e për këtë arsye i kanë çmimet më të kripura. Për këto paketa numri i prenotimeve është shumë i ulët. Nga agjencitë turistike shqiptare të gjitha ofertat janë për në Turqi, Egjipt, Spanjë… Ndërsa institucionet shqiptare të turizmit nuk na grishin gjëkundi. Megjithatë, në prag të stinës së pushimeve, ka edhe agjenci turistike që të ftojnë për fundjava turistike shqiptare apo pushime e ture historike në Shqipëri. Ndonëse pikë e fundit në program, destinacioni Shqipëri është shfaqur në guidat e këtyre agjencive. Kryesisht për të tërhequr të huajt. Për sezonin turistik të verës nga 1 qershori deri në 30 shtator shtetasit e huaj me kombësi shqiptare mund të hyjnë në territorin shqiptar pa vizë, vetëm me një dokument të vlefshëm udhëtimi. Ndërkohë që për vizë nuk kanë nevojë as shtetasit e një sërë vendesh si ato të fqinjëve tanë, por edhe pjesa më e madhe e shtetasve evropianë e deri nga ata nga vende të largëta si Australia, Zelanda e Re e Malajzia.