Drejt zgjidhjes zyrtare problemi i transportit të nxënësve në shkollat e fshatrave të komunës Ishëm. Lajmin e bën të ditur për gazetën kreu i Drejtorisë Arsimore të Durrësit Filip Gjonçi. Pas fillimit të vitit të ri shkollor, fëmijët e disa fshatrave të kësaj komune u përballën me vështirësi për të ndjekur procesin mësimor.

Madje prindërit nisën edhe protestën duke deklaruar përshkallëzim të saj deri në bojkotim të mësimit nga nxënësit- fëmijë të tyre dhe bllokim të rrugës. Përveç prindërve dhe nxënësve që duhet të ecin mbi 7 kilometra në ditë në mungesë të transportit, edhe drejtues të shkollave 9 vjeçare të komunës ishin të shqetësuar, pasi shumë prej nxënësve vijnë nga fshatra të largëta të zonës.

Situata u krijua nga një paqartësi ligjore e shkaktuar nga dalja e një VKM-je në tetorin e kaluar, si dhe ulja e shpenzimeve qeveritare që ka prekur përmes fondeve publike edhe transportin e nxënësve të zonave rurale drejt shkollave. Subjekti që bënte transportin e tyre vitet e kaluara ka rinisur sërish të dërgojë fëmijët drejt shkollave, ndërkohë që pagesa e transportit nga 75 lekë në ditë për fëmijë është ulur në 41 lekë.

Gjonçi bën të ditur se me ndërmjetësinë e prefekturës mes DAR-it dhe komunës Ishëm u arrit marrëveshja e cila pritet të respektojë dhe procedurën e kërkuar zyrtarisht nga autoritetet vendore, ndërkohë që subjekti ka nisur të ofrojë shërbimin. Pritet që të mblidhet këshilli komunal përmes të cilit do të miratohet subjekti i përzgjedhur, i cili de facto e kryen shërbimin.

Një Vendim i Këshillit të Ministrave me nr.709 i dalë në tetor të vitit të kaluar ngarkon pushtetin vendor me të drejtën e përzgjedhjes së subjektit të liçencuar që do të ofrojë shërbimin e transportit për fëmijët e arsimit 9 vjeccar, ndërsa shpenzimet e transportit të nxënësve që ndjekin arsimin bazë larg vendbanimit të tyre, në distancë mbi 2 km, përballohen nga fondet publike. Më parë subjektet përzgjidheshin nga DAR, por tashmë vendimi përcakton qartë rrugën që duhet ndjekur.

Mungesa e një komunikimi të qartë mbi këtë VKM mes Komunës Ishëm dhe Drejtorisë Arsimore Rajonale shkaktoi ndërprerjen e shërbimit nga subjekti. I propaganduar fuqishëm si një nga përparësitë e vendit në rrugën drejt zhvillimit, arsimi në fshatra përballet jo vetëm me klasat kolektive, cilësinë e mësimdhënies, por edhe me distancat e largëta të shkollave nga vendbanimet.