Një nga destinacionet turistike me numrin më të madh të pushuesve në vend ofron shumë pak në krahasim me shërbimet dhe infrastrukturën turistike të vendeve fqinje. Në Durrës nuk është bërë thuajse asgjë për promovimin e resurseve turistike, ndërkohë që mungojnë broshurat dhe fletëpalosjet informuese

Në  territorin e qarkut të Durrësit gjenden dy portat më të rëndësishme të hyrje-daljeve nga Shqipëria, aeroporti ndërkombëtar “Nënë Tereza” dhe Porti i Durrësit. Qarku trashëgon një pasuri të jashtëzakonshme përsa i përket turizmit të të gjitha llojeve, sepse në të gjithë hapësirën që mbulon ky qark gjen me dhjetëra monumente që datojnë në periudha të ndryshme historike e që paraqesin një interes të madh për zhvillimin e turizmit kulturor. Në të njëjtën kohë, relievi i qarkut kryesisht fushor dhe kodrinor, e në pak vende malor, ofron për pushuesit e huaj bukuri natyrore, që megjithë masakrën që i është bërë në pjesë të caktuara ka ruajtur ende plazhe dhe zona të virgjëra. Monumentet më të rëndësishme si Amfiteatri, Muri bizantin, kalaja e Krujës, bazilikat e Gjuricajt apo Shën Mëhillit e shumë të tjera janë përfshirë vetëm në paketat turistike ditore të agjensive turistike, që sjellin pushues ditorë me anije turistike.

E gjithë kjo pasuri e madhe nuk është promovuar ende siç duhet dhe për këtë arsye mungesa e publicitetit nuk mundëson shtimin e numrit të turistëve të huaj në vend. Pavarësisht faktit se ka vite që flitet për turizmin dhe qyteti i Durrësit ka qenë gjithnjë i pari në listën e qyteteve mikpritëse për pushuesit vendas dhe të huaj, mund te themi pa frikë se turizmi është krejtësisht spontan dhe i paorganizuar. Ky është konkluzioni në të cilin dalin agjensitë turistike të qytetit tonë, ose më mirë ato që merren drejtpërdrejtë me ofertat dhe turet e ndryshme që organizohen në këtë drejtim. Disa nga problematikat që ngrenë operatorët turistikë janë: mosgrupimi i tyre për të dalë me oferta të përbashkëta, problemet infrastrukturore, evidente, si në asnjë vend të rajonit, me të cilët konkurueshmëria nuk ekziston përsa i përket standarteve që ofrohen.

Nga ana tjetër, strukturat vendore dhe ato qeveritare, më së shumti bëjnë demagogji, sepse nuk kanë akorduar asnjë fond, qoftë edhe minimal, për shtypjen e broshurave  apo guidave turistike, të cilat duheshin shpërndarë në zyrat e informacionit, të hapura në Port dhe në Aeroport. Zyra e Shërbimit Turistik, institucioni më i ri në vartësi të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve funksionon prej pak vitesh në Qarkun e Durrësit, por fondet janë të limituara, ndërsa bashkëpunimi i kësaj zyre shërbimi për turistët me pushtetin vendor nuk ekziston. Çdo turist shqiptar apo i huaj mund të drejtohet në zyrat e shërbimit turistik, për të marrë një informacion më të hollësishëm dhe profesional për vendet turistike më të frekuentuara, pikat më atraktive në Shqipëri, shërbimet që ofrohen në këto zona, njësitë akomoduese, bujtinat dhe gjithçka tjetër të nevojshme që një turist e shikon të arsyeshme se mund t’i nevojitet kur viziton vendin tonë.

Jo vetëm kaq, por për herë të parë në Shqipëri, çdo turist, shqiptar apo i huaj, do ta ndiejë veten të mbrojtur dhe të përkrahur nga strukturat shtetërore, ndaj cilitdo subjekti me veprimtari turistike, hotelerie apo bujtine, agjencie turistike, restoranti etj., pasi ai do të ketë të drejtën e ankesës kundrejt këtyre subjekteve për shërbimet e munguara ndaj tij, shërbime të cilat janë parashikuar më parë, apo janë të detyrueshme për t’u ofruar. 



 

Durrësi, çmime të larta dhe papastërti

Vetëm për një ditë pushim në një lokal në zonën e Plepave në Durrës, mund të harxhosh deri në 5 mijë lekë të reja (300 lekë të reja për hyrjen dhe parkimin e makinës, 1600 lekë të reja për dy shezlongje në pishinë, dhe deri në 3 mijë lekë të reja për një drekë për dy persona). Ndërkohë papastërtia e plazheve dhe ambientit përreth është një odise më vete që përsëritet çdo vit e që duket se nuk po i ofrohet një zgjidhje. Mbetjet inerte nga ndërtimet si dhe mbeturinat e krijuara nga konsumimi i ushqimeve janë një pamje jo fort e këndshme për një pushues, qoftë edhe kur ky ka dëshirën e mirë të mos i vërë re. Ndërtimet e shumta që nuk lënë hapësira lëvizjeje ndërkohë që infrastruktura dhe shërbimet që ofrojnë shumë nga plazhet e qarkut tonë lënë shumë për të dëshiruar.