Edhe pse kanë kaluar tre javë nga fillimi i vitit të ri shkollor, në dy shkolla të qytetit të Durrësit për mjaft prindër problemet nuk kanë të sosur. E ndërsa deri një vit më parë familjet në nevojë janë ankuar në mënyrë të vazhdueshme për vështirësitë që hasin në blerjen e librave dhe problemet me faturat dhe rimbursimet, ky vit shkollor ka ofruar një tjetër sfidë dhe shkallë vështirësie financiare për t’u përballuar.

Fatimja është një nënë e pesë fëmijëve, tre prej të cilëve ndjekin klasën e 9-të të shkollës 9 vjeçare “Qemal Mici” në Durrës. Rritja e tyre ka qenë një sfidë më vete për të dhe të shoqin, por edukimi i tyre mbetet ashtu si për shumë prindër qëllimi i saj. Teksa përballet me një varg vështirësish në jetën e përditshme për të siguruar nevojat bazë të familjes ajo hahet me veten dhe fatin e saj. Është e papunë dhe e sëmurë.

Burri prej pak kohësh ka dalë i papunë gjithashtu. E vetmja e ardhur aktualisht është ndihma e vogël sociale, ndërkohë që vetëm për trenjakët në total blerja e librave dhe mjeteve bazë shkollore kushton 19 mijë lekë të rinj. Pak ditë më parë ajo grua kërkonte ndihmë për të blerë pikërisht librat e anglishtes. “Duhen 87 mijë lekë të tjerë (të vjetra), vetëm për librat e anglishtes. Ku t’i gjej?! U kisha gjetur te disa të afërm librat e vjetshëm të anglishtes, po në shkollë thonë se nuk mund të përdoren pasi ka ndryshuar metoda.”

E ndërsa për kompletet e librave ka shpresë të marrë rimbursim në bazë të udhëzimit të dhënë gjatë verës nga Ministria e Arsimit, për këto libra dhe sikur t’i marrë borxh nuk do të mund të marrë vlerën e tyre. Në shkollën e fëmijëve i kanë thënë që librat e anglishtes që “janë dhe për kompjuter” janë të parimbursueshëm.

Ajo është një nënë e dëshpëruar dhe si ajo ka mjaft prindër të tjerë që janë vënë në kërkim të gjetjes së ndihmës financiare pasi nuk është aspak e lehtë të shkollosh fëmijët në Shqipërinë e moshës së internetit. E ndërsa këtë vit metoda po zbatohet në shkolla pilot, në vitet e tjera ajo do të synojë përfshirjen në shumicën e shkollave 9 vjeçare dhe të mesme të sistemit publik.

Libri me kod personal

Që në ditën e parë të shkollës, nxënës e më pas prindër janë përballur me librin e ri të mësimit të gjuhës angleze që kushton jo pak, por plot 2900 lekë dhe nëse një familje ka më shumë se një fëmijë që ndjek arsimin e detyruar dhe atë të mesëm në shkollat pilot të metodës duhet të heqin dorë nga një pjesë e mirë e nevojave mujore për ushqim e detergjentë, madje dhe po të lenë mënjanë të gjithë ndihmën sociale që marrin nuk do t’ia dalin mbanë të blejnë librat për ta.

Edhe nëse familjet kanë binjakë a trinjakë si rasti i Fatimes ata nuk mund të shfrytëzojnë dot të njëjtin libër, pasi çdo libër ka kodin personal, me të cilin nxënësit pajisen menjëherë sapo paguajnë dhe marrin librin. Botuesi josh nxënësit-përdorues se kodi personal që është vetëm për përdorim individual mund të përdoret 24 në 24 orë të ditës përgjatë të gjithë vitit. Metoda përpos librit të shtypur shoqërohet edhe me librin dixhital dhe fletoren e punës dhe me të mund të mësohet kudo ku ka një kompjuter të lidhur me internet.

 

Libri i ri gjuhës angleze kushton 2900 lekë dhe nëse një familje ka më shumë se një fëmijë që ndjek arsimin e detyruar dhe atë të mesëm në shkollat pilot të metodës duhet të heqë dorë nga një pjesë e mirë e nevojave mujore për ushqim e detergjentë, madje dhe po të lenë mënjanë të gjithë ndihmën sociale që marrin nuk do t’ia dalin mbanë të blejnë librat për ta

Pavarësisht cilësisë më të lartë që ofron metoda e mësimit të gjuhës së huaj, shqetësimit për çmimin e saj i shtohet dhe përballja me kërkesa për kosto të tjera që i drejtohen prindërve, të cilët janë gjetur të papërgatitur për t’i plotësuar ato. Prindërit e kontaktuar flasin për kërkesa të shtuara të fëmijëve për të punuar nëpër internet-kafetë e lagjeve, si dhe për të pasur medoemos një kompjuter dhe linjë interneti në shtëpi. Shkollimi i fëmijëve, sipas prindërve, po bëhet gjithnjë dhe më i kushtueshëm edhe në shkollat publike.

“Njeriu kursen për fëmijën dhe shkollën, po kur nuk ke me çfarë t’ia blesh çfarë duhet të bësh?! Ne çdo ditë marrim ushqime me listë. Banoj në zonën e kënetës dhe burri punon me ditë në ndërtim, po djali është 14 vjeç dhe nuk më lejon as të kërkoj ndihmë nga shkolla për blerjen e anglishtes se e tallin shokët… Vitin tjetër ndoshta fusin dhe kinezçen.”- thotë një tjetër prind.

Përmes drejtorive të shkollave disa prej këtyre shqetësimeve kanë mbërritur në Drejtorinë Arsimore, ku bëjnë të ditur se nuk ka alternativa të tjera të mësimit të gjuhës së huaj për nxënësit, ndërkohë që zyrtarisht nuk ka asnjë zgjidhje për familjet në nevojë që nuk e përballojnë çmimin e lartë të këtij libri. Drejtues të DAR-it propozojnë se ato mund t’i drejtohen Bordit të Shkollës përkatëse për të marrë mbështetje financiare, ose të gjejnë ndonjë mundësi tjetër për sponsorizim.

Sugjerimi jo korrekt

Në dy shkollat e përzgjedhura (Qemal Mici dhe Leonik Tomeo), disa mësues kujdestarë të kontaktuar shprehen se nuk e kuptojnë se si janë zgjedhur këto shkolla për projektin pilot, ndërsa është e njohur që ato kanë komunitete të përziera dhe me nivel ekonomik nën mesatar.

Ndërkohë ideja se prindërit në nevojë mund t’i drejtohen dhe Bordit të Shkollës për të gjetur mbështetje financiare, konsiderohet jo normale, pasi ky bord nuk mund të përballojë koston marramendëse të librave, ndërkohë që fondet e tij janë të pakta. Mbështetja e një ose dy familjeve do të krijonte precedentin e vërshimit të shumë familjeve të tjera që me të drejtë do të kërkonin të përfitonin donacion për blerjen e librit.

“Fondet e mbledhura ka raste kur nuk mjaftojnë as për pagesat e rojes që pothuajse çdo shkollë e ka, ndërsa ekziston edhe një udhëzim nga MASH se si duhet të kërkohet kontributi nga nxënësit dhe për çfarë përdoren këto fonde. Nëse do të përdoreshin për blerje librash do të shkelej ky udhëzim, pa përmendur pastaj se sa i lartë do të ishte numri i familjeve që nuk kanë mundësi të blejnë një libër me këtë kosto. Fondet e bordit mblidhen mbi një udhëzim të qartë dhe çdo shkelje e tij do të dënohej nga Inspektoriati i kontrollit të arsimit parauniversitar (IKAP).”- sqaron një nga nëndrejtoreshat e njërës prej shkollave, duke sugjeruar gjetjen e të tjera alternativave.

Libri i përjashtuar nga rimbursimi

Shkolla 9-vjeçare “Qemal Mici” dhe shkolla e mesme “Leonik Tomeo” janë të parat shkolla pilot në qytetin bregdetar të Durrësit për aplikimin e teknologjisë dixhitale “Tell Me More Education Online” në mësimin e gjuhëve të huaja. Përzgjedhja e këtyre shkollave që frekuentohen kryesisht nga lagjet periferike të qytetit ku jetojnë dhe shumë familje në nevojë është bërë mbi bazën e gjendjes së mirë të laboratorëve të kompjuterave që kanë këto shkolla. Si shkolla pilot për këtë metodë të mësimit të gjuhës së huaj qenë diskutuar edhe shkollat “Kushtrimi i Lirisë” dhe “Gjergj Kastrioti”, po ndërsa njëra është e ngarkuar me projekte të tjera, tjetra u shmang pasi ka si gjuhë bazë frengjishten. Drejtues të dy shkollave pilot pohojnë se mjaft prindër kanë probleme në blerjen e librave “Tell me more education online” dhe ecuria e shitjeve zvarritet në kohë. Në Drejtorinë Arsimore Rajonale të Durrësit pranojnë shqetësimin e prindërve se teksti i anglishtes, pavarësisht se kushton më shumë se një komplet librash shkollorë, nuk përfshihet në rimbursim nga shteti.