Në qytetin e Durrësit këto ditë është zhvilluar një veprimtari e veçantë e cila ka tërhequr vëmëndjen e bashkëqytetareve për risitë që solli në mjediset tona qytetare. Një ekspozitë, e cila qëndroi e hapur dy ditë dhe që u ndoq më shumë kuriozitet nga qindra vetë, të të gjitha moshave, të cilët disa prej prodhimeve artizanale të grave sipërmarrëse i vlerësuan dhe i blenë për t’i përdorur si suvenire të ndryshme.
Në bashkëpunim me Bashkinë e Durrësit dhe Ministrinë e Punës e Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta Qendra e Aleancës Gjinore për Zhvillim ka organizuar në Galerinë e Arteve Pamore “Nikolet Vasia” panairin “Fuqizimi i Grave Sipërmarrëse”. Në këtë panair morën pjesë rreth 40 gra, të cilat me inisiativën e tyre krijuese kanë gjetur mënyrën e promovimit të vlerave dhe krijimit të shtigjeve të mbijetesës në kushtet e konkurencës së ekonomisë së tregut. Ato ishin kryesisht nga Qarku i Durrësit dhe i Shkodrës.
Në tavolinat e panairit kishin shpalosur prodhime autoktone të punuara në banesa sipas traditave të vjetra shumë shekullore. Vlen të përmendet se këto prodhime te traditës tashmë edhe në fshatra realizohen kryesisht nga gratë e moshës së mesme. Një fakt I tillë konfirmohej edhe nga mesatarja e moshës së grave që merrnin pjesë në panair.
Realisht mungonin vajzat e reja, të cilat tashmë në kushtet e prodhimeve cilësore moderne e kanë të vështirë që të ulen në vegjet e tezgjahut, me të cilat shumë gra të brezave të kaluar kanë prodhuar pajën e tyre dhe të vajzave që përgatiteshin për martesë. Në këto lloje basmash binte në sy kryesisht basmati i zonës së Zadrimës, një rajon ky mjaft i njohur në zonën e Shkodrës për prodhimet bujqësore, ashtu si edhe për prodhimtarinë e basmave të tezgjahut me fije mëndafshi dhe prej liri nga më të vlerësuarat në Ballkan.
Në këtë panair morën pjesë rreth 40 gra, të cilat me inisiativën e tyre krijuese kanë gjetur mënyrën e promovimit të vlerave dhe krijimit të shtigjeve të mbijetesës në kushtet e konkurencës së ekonomisë së tregut. Ato ishin kryesisht nga Qarku i Durrësit dhe i Shkodrës
Përveç mbulesave të tavolinave ose siç njihen në zonë, sofrabezeve, shamive të shumëllojshme për gra të martuara, vajza të reja dhe të moshuara, një vend i veçantë i ishte kushtuar ekspozimit të rrobave të leshta që shërbenin si veshje, triko, kapuçë për fëmijë si dhe deri qilimat e prodhuar në vegjet e shtëpive të tyre. Mjaft nga këto prodhime janë objekte të kerkuara në tregun e Shkodrës nga turistë të ndryshëm dhe mjaft prej tyre kanë gjetur treg edhe në Tiranë.
Disa nga pjesëmarrëset thonë se kanë arritur që të shesin mjaft edhe në Kosovë, Malin e Zi e Kroaci. Me zhvillimin e kësaj industrie artizanale mbase bëhet e mundur më vonë punësimi i vajzave të reja, të cilat pritet të vazhdojnë të trashëgojnë traditën shekullore.
Vizitorëve u binin në sy ngjyrat e çelëta të basmave dhe punimeve të tjera. Në to kishte shumë ngrohtësi dhe mbase diçka nga dielli i viseve nga vinin këto gra duararta. Nje grua nga Spathari kishte ngjyrat e diellit dhe të kaltërsisë së brigjeve të lumit Drinit në artin artizanal të basmave të saja. Këtë ngrohtësi ngjyrash e kishte sintetizuar edhe një artiste piroteknike në një punim nga më të bukurit në hyrje të ekspozitës ku pasqyroheshin 2 nuse zadrimore dhe një vajzë, të veshura thuajse me rrobat e ekspozuara në stendat e këtij panairi.
Krahas prodhimeve te basmeve, një vend të rëndësishëm kishte zënë edhe veshja artistike e shisheve të pijeve alkoolike, punime këto në dru të realizuara me mjaft art. Një teknikë kjo mjaft e njohur në qytetin e Durrësit, pasi shumë gra kanë punuar në vitet e sistemit të kaluar në reparte të specializuara për ambalazhimin e shisheve të konjakut dhe të pijeve të ndryshme. Këto ishin si për tregun vendas të pijeve alkoolike ashtu edhe për eksport dhe një periudhë kohe kanë pasur mjaft akses në tregjet ndërkombëtare, kryesisht ato lindore.
Klodjana Kroni dhe arti i piroteknikës
Klodjana Kroni është një banore e qytetit të Shkodrës. Ka mbi 20 vite që me artin e saj aplikativ në piroteknikë ajo nuk ka pasur nevojë që të trokasë për të gjetur punë. Madje ajo ka punësuar gjithë familjen. Një stilolaps i stilizuar në dru me fjalë të urta të shkruara në të tregon se e ka prerë si binar i shoqi Sokoli, i cili nga profesioni është mobilier. Në torno e ka kaluar djali i saj. Mbishkrimet ia ka stilizuar e bija, ndërsa në piroteknikë e ka vizatuar vetë Klodjana duke i dhënë edhe ngjyrat përkatëse.
Kjo metodë ka funksionuar edhe për objektet e tjera, një pjesë të të cilave Klodjana i ka marrë me vete në panair. “Mbase,- thotë Klodjana,- janë mbi 3000 copë piktura të ndryshme për të gjitha moshat dhe kategoritë”. Ajo rrëfen se artin e punimit në piroteknikë, artin e të pikturuarit me djegie mbi dru e ka filluar pasi ka mbaruar shkollën 8 vjeçare. I shoqi, Sokoli, që e ka shoqëruar edhe në këtë event gruan e tij tregoi se fillimisht kanë përdorur copëzat e tepruara nga mobiljet.
“Kur i ka pa gruaja keto copa më tha që të bënim disa piktura për shtëpi dhe kështu filloi rrugëtimi artistik. Fillimisht janë prodhuar 4 punimet e para që i varëm nepër muret e shtëpisë. Kur i shikoi kunati më tha se ishin shumë të bukura dhe porositi disa për t’i çuar në Tiranë. E mora në telefon pas 4 a 5 ditësh dhe më tha që të punonim edhe disa të tjera. Prodhuam shumë. Ne ia çonim dhe ai na dërgonte lekët. Pas shumë kohësh konstatuam nje situatë thuajse humoristike. Kur po mendonin se ishin bërë mjaft të suksesshëm vumë re se në zyrën e kunatit ndodheshin rreth 25 piktura në piroteknikë të pashitura. Na i kishte dhënë lekët nga xhepi i vet për të na nxitur,- tregon Sokoli, burri i Klodjanës.
Në të njëjtën kohë ai thotë se kunati i vet, Zef Gjeta, botues i revistës humoristike “Humori Shkodran” ka nota të larta humori, por sipas tij ka qenë një humor i shëndetshëm që ia kanë parë hajrin, pasi tani Klodjana punon normalisht çdo ditë me porositë e ndryshme që merr. “Na bëri të blejmë bazën materiale të plotë, të cilën vijojmë ta përdorim edhe sot e kesaj dite. Ka shumë që vijnë dhe bëjnë porosi. Blejnë në Tiranë më shumë. Ne i marrim kërkesat në një fletore të caktuar për objekte si historike, vende të rralla e shumë motive të tjera. Kemi marrë porosi edhe nga SHBA. Fillimisht në vitin 1996, nga emigrantët që erdhën për herë të parë në Shkodër. Na bënin kërkesa të ndryshme; Kalanë e Rozafës, Urën e Mesit, Sahatin e Englizit. Atje mund te kemi çuar rreth 50 copë përfshirë edhe dhuratat që u kemi bërë njerëzve tanë…”.
Ndërsa Sokoli flet Klodjana na tërheq vëmendjen me një riprodhim të “Dasmës shkodrane” të Kolë Idromenos. Është i punuar me mjaft pasion. Ashtu si dhe Ura e Tabakëve, Pazari i Shkodrës etj