Prefekti Genc Alizoti pranon në një intervistë për “Dyrrah” se në nivel qarku ka ende problematika të pazgjidhura si ato që lidhen me mungesën e plazheve, banjove dhe dusheve publike, ndotjen mjedisore etj. Por sipas Alizotit pozitiv është fakti se përmirësimi i infrastrukturës rrugore ka bërë të mundur që plazhe deri para disa vitesh thuajse të panjohura të frekuentohen nga pushues të shumtë. Alizoti deklaron se do t’u kërkojë bashkive dhe komunave që kanë vijë bregdetare hartimin e një pakete turistike financiare si dhe promovimin më të mirë të vlerave historike arkeologjike dhe kulturore të territorit të tyre.
Z.Alizoti, tashmë kur sezoni turistik është mbyllur a ka nxjerrë prefektura një bilanc të përgjithshëm të mbarëvajtjes së tij?
Ajo që pamë është fakti se numri i pushuesve ishte më i madh se një vit më parë. Unë e kundërshtoj faktin se ka rënë numri i pushuesve në plazhin tradicional për faktin se është shtuar numri i plazheve që prej Gjirit të Lalëzit, Shën Pjetrit, plazhit të sektorit Rinia në Katund të Ri, Currilave Kallmit, Porto Romanos etj.
Këtë e ka bërë të mundur përmirësimi i infrastrukturës rrugore dhe përmirësimi i furnizimit me ujë të pijshëm. Në qëndër të vëmendjes kemi patur furnizmin me ujë të pijshëm dhe besoj që ia arritëm qëllimit duke e menaxhuar në mënyrën më të mirë të mundshme me cilësi dhe sasi të konsiderueshme. Zgjidhëm problemet me ndotjen akustike, me disiplinimin e lokaleve. U disiplinua përdorimi i motorëve të detit. Pozitiv është fakti që në asnjë prej plazheve nuk pati ngjarje të rënda kriminale dhe vjedhjet u luftuan me forcë.
Po probleme a keni vërejtur, sepse bizneset që operojnë në këtë fushë parashtrojnë ankesa të ndryshme?
Njësitë vendore nuk ecin me plane që nisin nga promovimi i turizmit. Bashkia nuk ka promovuar vlerat e qytetit dhe po të njëjtën problematikë kanë edhe njësitë e tjera vendore. Nuk mund të ketë turizëm nëse nuk ka banjo dhe dushe publike. Bashkia e Durrësit dhe komunat turistike duhet të krijojnë paketën turistike-financiare për t’ia çuar këshillave bashkiakë dhe komunalë për miratim para sezonit turistik.
Është e pafalshme që nuk ka sinjalistikë rrugore, vijëzime rrugore, kulla vrojtimi për të shpëtuar njerëzit dhe nuk ka hapësira plazhesh publike në Durrës. Ky është problem që vijon prej vitesh dhe që nuk pritet të gjejë zgjidhje gjatë sezonit, por duhet të merren masa gjatë vitit. Gjithashtu mund të them se jeta kulturore-artistike ishte e varfër.
Po përsa i përket ndotjes mjedisore, që është një nga problemet që ngrihet së më shumti nga bizneset dhe pushuesit?
Unë do të thoja se janë vetë subjektet private që e shkaktojnë ndotjen mjedisore në bregdet. Nuk u arrit të vihet në funksion kolektori dhe depuratori, por presim të vihet në funksion deri në fund të vitit për t’i dhënë zgjidhje një herë e mirë këtij problemi shqetësues.
Mund të konsiderohet një pyetje e pak para kohe po a mund të na thoni se ku do të përqendrohet puna e prefekturës së Durrësit për sezonin e ardhshëm turistik?
Disa nga objektivat tona për sezonin e ardhshëm turistik janë: vënia në funksion e depuratorit të ujërave të zeza, për të mos patur më ndotje të bregdetit. Do t’u kërkoj njësive vendore që tani në mbledhjen më të afërt ndërtimin e një pakete turistike me të gjitha elementët përbërës sipas plazheve.
Do të këmbëngul që në buxhetet e njësive vendore të futet paketa turistike financiare me zëra të vecantë, por njëkohësisht edhe promovimi i vlerave turistike historike arkeologjike etj. Motoja do të jetë: “Mirësevini të dashur turistë, do të gjeni gjithmonë diçka më të mirë se një vit më parë”.