Një ekspozitë kushtuar një libri. 107 tablo kushtuar personazheve të  rrëfyera nga autori shkodran Ejell Çoba. Ashtu si libri i Çobës që u referohet viteve 1973-1978, kur lufta e klasave ishte në kulmin e saj, edhe ekspozita e Gjovalin Palit sjell një realitet të përçudnuar, sjell një realitet të jetuar shumë vite më parë, por që ende ka lënë gjurmë në shoqërinë shqiptare.

Ka qenë kjo gjetja e veçantë e piktorit shkodran Gjovalin Pali, që në fillim të javës që sapo u mbyll hapi ekspozitën e tij të 7-të në Durrës me titull “Jetë e humbun”. Duke sjellë shumë portrete dhe kompozime Pali kishte tentuar t’i qëndronte besnik perceptimit të librit, të personazheve, duke ruajtur raportet krijim-përjetim-simbolikë. E ndarë në 10 cikle ekspozita sillte një panoramë jo letrare, por në telajo, të librit të Çobës. Ashtu si regjisori sjell në kinematografi me anë të gjuhës së filmit realitetin e një libri, piktori Pali kishte sjellë përmes pikturës karaktere, personazhe shumë të njohur apo të panjohur, të cilët dëshmonin realitetin tragjik të atyre viteve, kur diktatura ishte e plotfuqishme. Një ekspozitë kushtuar jetëve të humbura, atyre personave që provuan anën më famëkeqe të komunizmit, që vdiqën në burgjet e regjimit, e që shumë prej tyre ende nuk u dihen varret.

Ashtu siç ishte e veçantë tematika e kësaj ekspozite ishte e veçantë edhe teknika e përdorur në realizimin e shumë tablove. Duke mos mbetur i kënaqur nga efekti që i jepte piktura në bardh e zi Pali kishte sjellë shumë piktura të punuara mbi fletë alumini, të cilat siç u shpreh vetë piktori mbartin edhe peshën më të madhe të mesazheve që ai donte të transmetonte përmes tyre. Krahas portreteve të shumë të panjohurve, në fytyrat e të cilëve shpalosen qartë gjurmët e shëmtuara të diktaturës syri të kapte në ekspozitë piktura kushtuar figurave kryesore të komunizmit në botë si Mao Ce Duni, Stalini etj. Përmes tyre piktori shkodran kërkon të theksojë se komunizmi ishte një sistem i importuar në vendin tonë, megjithëse në Shqipëri ai shpalosi edhe veçori tërësisht shqiptare. Duke u marrë me diktaturën si fenomen e duke anashkaluar figurat politike shqiptare të asaj periudhe, piktori Pali ka sjellë përmes simbolikës përjetime me ngarkesa emocionale, një realitet tragjik që ka lënë gjurmë të thella në historinë tonë të pasluftës.