Italianët sollën linjën e re të landpeshimit, moderne për kohën. Por ne nuk kishim plotësuar kushtet më minimale, pasi na mungonte uji, kurse energjia shkëputej herë pas here. Specialistët italianë e kuptonin se ku çalonte e tërë puna, por as ne dhe as specialistët e huaj nuk bisedonim për gjëra që kishin të bënin me politikën

Albert Manastirliu, specialist i zyrës së projektimit në ish-Nish Goma, rrëfen në një intervistë për “Dyrrah”, periudhën e artë të ndërmarrjes së vjetër, që kishte nisur të funksiononte që para viteve të luftës. Izolimi i vendit dhe mangësitë në proçesin e prodhimit dëmtonin jo pak sipas tij cilësinë e prodhimit dhe rrisnin mjaft koston e këtij proçesi. Megjithëse në vitet ’80 në ndërmarrje erdhën makineri të reja dhe specialistët u dërguan në vendet perëndimore për të parë nga afër proçesin e punës dhe teknologjinë e kësaj industrie, ish-gjigandi i vjetër nuk mundi të mbijetonte në vitet e demokracisë.

Keni shërbyer për shumë vite në zyrën e projektimit tek Nish Goma. Cili është mendimi juaj për prodhimet e kësaj ndërmarrje?

Shumë inxhinierë, teknikë e specialistë në Durrës kanë pasur të lidhur jetën, përkushtimin dhe përvojën me këtë ndërmarrje. Ka qenë kantier ndër më të mëdhenjtë në këtë qytet. Aty kanë mbajtur ekonominë familjare shumë qytetarë. Zyra e projektimeve ka pasur detyra shumë të rëndësishme, ashtu si edhe repartet e prodhimit. Kjo zyrë ishte e detyruar t’u paraprinte linjave e reparteve me projekte për të përmirësuar cilësinë dhe teknologjinë si dhe me tendencën për të zëvendësuar importin me artikuj e prodhime vendase. Specialistët e projektimit detyrimisht duhej të ishin një hap para reparteve dhe fabrikave të ndërmarrjes për t’u paraprirë atyre. Nish Goma ka pasur në drejtim njerëz e kuadro shumë të zotë, specialistë të cilët punonin për t’u krahasuar me inxhinierët e huaj.

Kishit ju takime me specialistë të huaj?

Sipas rastit. Vinin në Durrës specialistë të huaj, kryesisht kinezë, italianë, francezë. Kjo në varësi të zhvillimeve politike. Sa herë që vinin makineri, pajisje e teknologji të reja, ne takoheshim me ta për të mësuar çështjet teknike. Kur u montua teknologjia e veshjeve speciale, linja e re dhe shumë moderne, na është dashur të bashkëpunojmë gjatë me specialistët italianë. Ata ishin të përkushtuar dhe shumë dashamirës për t’u dhënë teknikëve shqiptarë çdo informacion. Pas viteve 1980, për shkak edhe të prishjes së marrëdhënieve me Kinën, erdhën linja shumë cilësore, të krahasueshme me ato të vendeve perëndimore. Sigurisht nuk bëhej fjalë për teknologjinë e fjalës së fundit. Italianët sollën edhe linjën e re të landpeshimit, moderne për kohën. Por ne nuk kishim plotësuar kushtet më minimale, pasi na mungonte uji, kurse energjia shkëputej herë pas here. Më kujtohet se si specialistët italianë na thanë: “S’e kuptojmë dot. Pse merrni linja kaq moderne? Këtu një ditë mungon ajri, një ditë nuk ka energji elektrike, nuk ka avull”. Ata nuk arritën të bënin një provë të saktë për ta nisur proçesin nga fillimi deri në fund. Specialistët italianë e kuptonin se ku çalonte e tërë puna, por as ne dhe as specialistët e huaj nuk bisedonim për gjëra që kishin të bënin me politikën.

Po specialistët shqiptarë kanë vizituar kompani të mëdha në Perëndim për të përfituar nga rezultatet e industrive të atyre vendeve?

Pas viteve 1980 disa grupe me specialistë nga Durrësi shkuan për të parë se si funksiononte organizmi dhe prodhimi jashtë vendit, në disa shtete. Një nga këto grupe vizitoi Italinë, Gjermaninë, Finlandën e Suedinë. Ishte i pari ballafaqim serioz, real me industrinë e vendeve të zhvilluara. Teknologjia dhe makineritë së bashku me mënyrën e organizimit të punës ishin objekti i këtyre vizitave. Kur u kthyen specialistët tanë flisnin shumë pak. Ata na tregonin shumë gjëra lidhur me teknologjinë e zhvilluar e moderne përëndimore. Na thonin se kishin parë një industri që ishte fjala e fundit e shkencës në makineri, pajisje e teknologji. Herë pas here shpreheshin duke thënë se vendi ynë kishte shumë për të bërë në përpjekje për t’u krahasuar me ta. Specilistët tanë sollën që andej disa projekte që kishin mundur t’i kopjonin gjatë kontakteve me këto lloj makinerish. Sollën skica e projekte, por vetëm një pjesë shumë e vogël u vunë në zbatim. Nga vizita jashtë vendit sollën tek ne edhe mentalitetin e ri të punës. Ekipi nuk fliste për gjërat që kishin të bënin me mënyrën e jetesës, zhvillimin ekonomik, kushtet e punës, pagat e të tilla gjëra që për ne ishin jo pa interes. Ne e kuptonim këtë lloj heshtjeje.

Cili është gjykimi juaj për mënyrën e organizimit të punës në këtë ndërmarrje të madhe?

Ndërmarrja ka qenë ndër më të mëdhatë në Durrës. Për shumë kohë një rëndësi e veçantë i është kushtuar emërimit të drejtuesve dhe përgjegjësve. Kjo ka qenë arsyeja që edhe prodhimi ka ecur mirë. Mjafton të kujtojmë se në këtë ndërmarrje kanë shërbyer specialistë shumë të zotë si: Luigj Kalebota inxhinier mekanik i përkryer, ing. Sokol Mane, ing. Petro File, ing. Kristaq Nako etj. Drejtuesit Andrea Koço, Liri Laknori, Gim Kasmi kanë pasur jo pak peshë në krijimin e një imazhi shumë të mirë për Nish Gomën, ndërmarrjen që mbante me bukë më shumë se 2000 familje në Durrës. Por nuk duhet lënë pas kujtesës edhe një fakt tjetër. Është krejt i ndryshëm, madje edhe i kundërt me të parin. Me politizimin e të gjithë sektorëve, nisi të manifestohej pushtimi i vendeve të drejtimit nga persona që nuk kishin kontribut dhe që nuk e njihnin specialitetin. Nisi të shfaqej një defekt jo i vogël në organizim. Kishte shumë kuadro të lartë të cilët u vendosën nën diktatin e njerëzve mediokër, të paarsimuar. Kjo kategori quhej kuadro partie. Inxhinierë kimistë, inxhinierë mekanikë, ekonomistë, të arsimuar brenda apo jashtë vendi u vunë nën urdhërat e këtyre njerëzve, të cilët zunë postet drejtuese. Një fenomen i tillë u vu re në mënyrë të dukshme sidomos pas ndarjes së Nish Gomës. Veprime të tilla, që vijuan si të tilla deri në përmbysjen e sistemit, patën ndikim negativ në prodhim, në rendiment, në cilësi. 

Ishte e vështirë për të siguruar lëndën e parë?

Lënda e parë për ndërmarrjen e Gomës ishte kauçuku natyral. Bota e zhvilluar industriale kishte shfaqur dukshëm tendencën për ta eleminuar këtë lloj lënde të parë duke e zëvendësuar atë me material artificial. Të parat kishin kosto të lartë, të dytat kosto të ulët. Edhe kauçukun, edhe kimikatet si: sarina, oksidi i zinkut, bloza, nerofuma vinin nga jashtë. Kryesisht nga Vietnami, por jo vetëm. Industria jonë kishte problemet e saj. Për shembull për të prodhuar avullin duhej vënë në punë kaldaja. Në atë kohë kishim vetëm një kaldajë kineze të cilësisë së mirë dhe që vihej në punë me karburant. Të tjerat ishin prodhim vendi dhe punonin me qymyr. Kjo nuk e arrinte kurrë rendimentin. Digjej qymyri pa arritur kurrë dhe asnjëherë presionin që duhej. Qymyri ishte i minierës së Valiasit dhe minierat tona nuk kishin qymyr të përshtatshëm për kaldajat e ndërmarrjes së Gomës. Me kalimin e viteve në Durrës erdhën pajisje shumë cilësore për matjen e prodhimit dhe të konsumit të avullit. Kjo e rriti jo vetëm sasinë, por edhe cilësinë e prodhimit.

Nish Goma ndërpreu aktivitetin pak vite pasi vendi u përfshi në sistemin demokratik. Mund të mbijetonte ky sektor në kushtet e reja të tregut?

Ndërmarrja pushoi prodhimin në vitin 1994. Në atë kohë kishin mbetur pak punëtorë e specialistë, pasi pjesa më e madhe kishte kërkuar të tjera mundësi. Pikërisht në këtë periudhë nisi edhe importi në mënyrë masive i gjithçkaje, edhe i atyre artikujve që prodhoheshin në vend. Kjo ndërmarrje, në mos gaboj, në vitet 1960 ka pasur edhe një linjë të prodhimit të çamçakëzit. Pra kishte synime dhe ambicie për të mbijetuar. Por klima e re politike bëri që edhe kjo ndërmarrje të mos qëndronte më në këmbë. Mendoj se Nish Goma mund të jetonte e të ecte me mundësitë dhe kapacitetet e saj. Kishte nevojë për një organizim të ri pune, për makineri e teknologji. Por krahas të tjerave kishte edhe një avantazh që sot dhe asnjëherë nuk do e kenë më shoqëritë tona. Kishte punonjës të kualifikuar. Ka pasur një shkollë të veçantë për të përgatitur të rinjtë e të rejat për Gomën. Tani çdo gjë ka rënë përtokë dhe sytë janë drejtuar tek importi. Duke mos pasur linja të brendshme, prodhim vendi, çmimi në treg do të jetë gjithnjë i lartë dhe për këtë ne jemi të gjithë dëshmitarë.



 

Rrënimi

Këto janë godinat e Nish Gomës në Shkozet. Të ndërtuara në fund të viteve 1970 aty është vendosur një pjesë e konsiderueshme e makinerive, pajisjeve, laboratorit dhe sektorëve ndihmës të Nish Gomës. Rrethimi, që qarkonte ndërmarrjen, është prishur në pjesën më të madhe. Bari, balta, dherat, ferrat e shkurret kanë pushtuar të gjitha mjediset e jashtme. Brenda në këto objekte nuk ndihet asgjë. Diku është shkruar në një kënd të dukshmëm se objekti shitet. Diku tjetër nuk ka shenja jete. Ndërmarrja u privatizua, por nuk mundi të mbante linjën e saj. Repartet janë boshatisur dhe as brenda e as jashtë tyre nuk ndihen më as zërat e burrave dhe grave dhe as zhurma e makinerive. Pjesa më e madhe e makinerive nuk janë më aty. Ato janë dërguar për skrap dhe vendi ka mbetur bosh. Nuk ka më punëtorë dhe as specialistë, inxhinierë, teknikë e specialistë. Të gjithë kanë ikur nga kanë mundur. 6.5 ha sipërfaqe e kësaj ndërmarrje të rrënuar tashmë është e pashfrytëzuar. Xhamat janë thyer thuajse të gjithë, nga kati i parë deri në katin e tretë apo në katin e katërt.

Kaldajat janë jashtë fuknsionit për arsye të ndryshme, dyert janë kyçur dhe zinxhirët tregojnë se ato kanë muaj e vite pa u hapur. Magazinat janë shpartalluar si për të dëshmuar se nuk ka mbetur asgjë brenda tyre. Kornizat e dritareve janë dëmtuar nga lagështia, kurse shumë dyer janë të mbyllura. Edhe vend-roja tani është e kyçur, edhe sporteli e dritarja, nga ku jepeshin e merreshin përgjigje, ka mbetur e braktisur. Fare pak shenja dhe kujtime kanë mbetur që nga ajo kohë. Kanë kaluar 18 vite dhe asgjë nuk ka lëvizur. Shenja e vetme e kohës së shkuar ka mbetur një emblemë e ndërmarrjes “GD” që do të thotë Goma Durrës, ndërsa busti i Telat Nogës në hyrje të ndërmarrjes është dëmtuar plotësisht. Aty nuk ka as roje dhe as nuk dëgjohet ndokush duke punuar. Godinat u janë kthyer pronarëve, por edhe ata kanë mbetur në mes të rrugës, pasi nuk kanë mundur t’i japin fund problemeve të pazgjidhura.



 

Drejtori që iu përkushtua punës

Vangjel Ilo u lind në Dardhë të Korçës më 1932. Është pasardhës i familjes atdhetare e patriotike të Spiridon Ilos, i cili u përpoq gjithë jetën për një Shqipëri jashtë sundimit osman. Arsimin e mesëm e kreu në shkollën “Raqi Qirinxhi”. Për shkak të rezultateve shumë të larta iu ofrua bursë për të vijuar studimet në Çekosllovaki për degën e Kimisë. Atje përfundoi studimet e larta duke u diplomuar si inxhinier për industrinë e gomës. Për shkak të rezultateve të larta dhe shërbimit intelektual e profesional emërohet drejtor i ndërmarrjes së Nish Gomës në Durrës. Në përpjekje për ta çuar përpara ndërmarrjen futi teknologjinë e re dhe rriti gamën e prodhimeve. Pasi shërbeu me përkushtim në këtë sektor të rendësishëm industrial si dhe duke vlerësuar punën cilësore, Vangjush Ilo emërohet drejtor në një nga drejtoritë kyçe në Ministrinë e Industrisë. Kjo i dha shtysë ndërmarrjes së Nish Gomës dhe të tjera ndërmarrjeve. Ilo mbështeti shumë nisma dhe ndërhyri për të financuar shumë projekte për rinovimin teknologjik, blerjen e pajisjeve dhe makinerive si dhe hapjen e linjave të reja.