Të huajt, por dhe investitorët vendas e shikojnë bregdetin shqiptar si perlën e ardhshme të turizmit elitar. Projekte konkrete për ndërtimin e porteve turistike janë paraqitur për Kalanë e Turrës, shëtitoren Taulantia, Plazhin e Gjeneralit, apo grykëderdhjen e Bunës
Kapiteni i përgjithshëm i porteve, Edmond Doraci, në një intervistë për “Dyrrah” deklaroi se proçedurat e rregullta ligjore për ndërtimin e këtyre porteve mbajnë datën 10 prill të vitit 2007. Kërkesat në Ministrinë e Transporteve kanë qënë shumë të mëdha dhe kanë shkuar në raport me strategjinë për zhvillimin e sektorit të turizmit në vend. Kepi i Rodonit, Plazhi i Gjeneralit, shëtitorja Taulantia etj. janë disa nga pjesët e bregdetit durrsak për të cilat investitorët vendas dhe të huaj kanë paraqitur projekte konkrete prej disa milion eurosh për ndërtimin e porteve të jahteve.
Zoti Doraci, a ka kërkesa nga investitorët për ndërtimin e porteve turistikë?
Kërkesat janë të shumta nga investitorët dhe nisin nga Grykëderdhja e Bunës, në Gjirin e Lalëzit, në shëtitoren Taulantia, në Kalanë e Turrës, në Plazhin e Gjeneralit dhe në Seman. Të huajt, por dhe investitorët vendas e shikojnë bregdetin shqiptar si perlën e ardhshme të turizmit elitar. Më të besueshëm janë investitorët që vijnë me llogari bankare për këto investime.
I pari projekt ka qënë ndërtimi i portit të velierave në zonën e Gjirit të Lalëzit, në Kepin e Rodonit, për të cilin kemi tre vjet që flasim dhe investitori ka paraqitur projektin me vlerë 10 milionë euro. Madje dimë që janë kryer edhe proçedurat. Pse nuk është zbatuar projekti?
Në fakt projekti është bllokuar. Kaloi fazën e parë të kualifikimit, por në lidhjen e kontratës pati probleme në raportin tokë-det. Ky është një nga konfliktet më të mëdha pse nuk realizohen projektet, për shkak të konfliktit të pronësisë. Portet turistikë, kërkojnë edhe pjesën tokë për zhvillimin e infrastrukturës së hotelerisë dhe të shërbimeve. Nuk kemi kontratë të firmosur, projekti ka qenë dhe mbetet shumë ambicioz, por nuk është gjetur ende marrëveshja me pronarët e trojeve për zbatimin e projektit.
Duke qëndruar në të njëjtën zonë turistike, ka një kërkesë për ndërtimin e një porti në Kalanë e Turrës. Sa është vlera e këtij projekti dhe a është zgjidhur problemi i pronësisë së tokës?
Kërkesa ka ardhur nga dy shoqëri, një sllovene dhe një zviceriane, përkatësisht “Dobronstaf” dhe “Finsec”, të cilat kanë paraqitur projektin me vlerë 31 milionë euro dhe kanë bërë kërkesën në Ministrinë e Transporteve për marrjen me konçesion për 35 vjet. Këto dy kompani kanë avancuar në objektet e shërbimit brenda portit, me sipërfaqje 400 mijë metra katror dhe kërkojnë të ndërtojnë edhe infrastrukturën për riparimin e mjeteve lundruese, turistike dhe atyre që janë jashtë këtij porti. 150 mijë metra katror janë parashikuar për ankorimin e 500 jahteve dhe 250 mijë metra katror në tokë. Kjo është një kërkesë shumë dashamirëse, por edhe domosdoshmëri për realitetin aktual. Ne jemi shumë dakord, sepse flota shqiptare nuk ka kantier detar. Ky projekt është drejt finalizimit në Ministrinë e Transporteve dhe bëhet fjalë për një port me sipërfaqje 400 mijë metra katror. Më pranë realizimit është pikërisht ky projekt, për shkak edhe të vlerës së madhe të investimit prej 31 milionë euro, investim që shtrihet në 5 vjet. Kjo kohë parashikohet për ndërtimin e kalatave, të infrastrukturës së portit, por edhe hapësirave të akomodimit të turistëve dhe krijimit të kushteve atraktive në tokë. Konsorciumi sllovako-zvicerian ka parashikuar që në portin e Kalasë së Turrës të sjellë turistët e vendeve të tyre.
Një tjetër projekt për një port turistik për të cilin kemi mësuar është në Durrës e më konkretisht në shëtitoren Taulantia. Sa i realizueshëm është? Në çfarë faze është projekti?
Kompania “ISDC”, e përbërë nga aksionerë shqiptarë nga kryeqyteti, ka bërë një kërkesë në Ministrinë e Transporteve për të ndërtuar një port jahtesh në shëtitoren Taulania, me vlerë 10 milionë euro. Projekti është mirëpritur në Ministri. Kompania ka paraqitur projektin sipas të cilit do të ketë hapësira të nevojshme ankorimi për 410 veliera dhe jahte. Sipërfaqja që do të zërë ky port është 368 mijë metra katror, nga këto 168 mijë metra katror janë në ujë dhe pjesa tjetër në tokë.
Kur flasim për shëtitoren Taulantia, në çfarë kufijsh është parashikuar ndërtimi i portit?
Projekti në perëndim kufizohet me pistën e madhe që po ndërtohet afër Brrylit e më pas kufizohet me portin e peshkimit, pra prapa godinës së Kapitenerisë së përgjithshme të porteve. Ky projekt ka kaluar fazën e parë të kualifikimit dhe pritet që të kalojë për miratim në qeveri. Investitorët e kanë kërkuar me konçesion për 35 vjet, me të drejtë rinovimi kontrate deri në 75 vjet. Brenda hapësirës në tokë projekti përmban infrastrukturën e nevojshme për hoteleri, shërbime, argëtim etj. Ndërkaq një shoqëri shqiptare, “Eurofish”, ka shprehur interesimin për ndërtimin e një porti afërsisht me të njëjtat karakteristika si të Kalasë së Turrës, ku të jenë të alternuara vendqëndrimet e turistëve dhe të mjeteve lundruese. Projekti është parashikuar të vihet në zbatim në derdhje të Bunës, në Velipojë, por ka kapacitet më të vogël nga 130 deri në 200 jahte. Ai zë një sipërfaqje rreth 150 mijë metra katror, ndërsa financimi llogaritet në tre milion euro. Në portet e jahteve që do të ngrihen janë parashikuar ndërtimi i çezmave, rrjetit të supermarketeve, lokaleve zbavitëse, hoteleve, pikave të karburantit, ofiçinave të riparimit etj., shërbime këto që janë kushte të detyrueshme për një port turistik. Sigurisht që porti i Durrësit nuk i plotëson këto kritere, për vetë profilin e tij tregtar.
Projektet e investitorëve vendas dhe të huaj
Porti turistik në Kepin e Rodonit, pranë Gjirit të Lalëzit, 10 milion euro.
Port turistik në shëtitoren Taulantia, 10 milion euro.
Port turistik në grykëderdhjen e Bunës, 3 milion euro.
Port turistik në Kalanë e Turrës, 31 milion euro.
2010, turistët largohen prej tarifave të larta
Mungesa e një porti jahtesh, por edhe tarifat e shtrenjta që aplikon Autoriteti Portual i Durrësit ndaj jahteve, velierave dhe anijeve të vogla luksoze kanë sjellë irritimin dhe largimin nga porti i pronarëve të këtyre mjeteve. Rastet e largimit të velierave nga porti i Durrësit janë të shumta dhe kryesisht ato largohen vetëm 24 orë pas mbërritjes së tyre. Sipas tyre një qëndrim prej 24 orësh në portin e Durrësit i kushton më shtrenjtë se në Spanjë, Portugali apo Itali. Tarifat mund t’i përballojnë kroçerat e mëdha që vijnë në Durrës, por velierat që sjellin biznesmenë dhe pasanikë të huaj largohen sapo njihen me faturat dhe me mungesën e kushteve.
Rastet janë të shumta, midis tyre ekuipazhi i jahteve “El Dorado” dhe “Nautilius Gibraltar” me rreth 15 turistë nga Gjermania dhe Polonia të cilët janë çuditur me faturën “bombë” që u ka dorëzuar kapiteneria e Durrësit për ankorimin 24 orësh. Plot 100 euro në ditë. Kapiteni gjerman i “El Dorado”, Volfang David, deklaroi se në Durrës të ankorosh një jaht kushton më shtrenjtë se në Itali, Spanjë apo Francë. Ata deklarojnë se kanë shkuar në të gjitha portet e mëdha europiane, por nuk kanë hasur tarifa të tilla. “Në vendet më të shtrenjta të Mesdheut si Itali dhe Spanjë kemi paguar maksimumi 90 euro për një ditë, ndërsa këtu në Durrës nuk ka asnjë kusht minimal për të qëndruar. Nuk ka as ujë, as elektricitet dhe as supermarket afër, dotë largohemi pa diskutim! Si është e mundur që me këtë faturë të gjendemi në të tillë situatë? Nesër me të gdhirë dita do të lundrojmë drejt Ulqinit në Mal të Zi, aty ku këto tarifa janë disa herë më të ulëta”,- thonë turistët. Për një jaht turistik vetëm 12 metra të gjatë, pagesa prej 100 eurosh në ditë është e paimagjinueshme për pushuesit perëndimorë, për më tepër që nuk ofrohet as kushti më minimal për një qëndrim komod. Porti më i madh i vendit tonë, ai i Durrësit, operon me fatura tregtare. Strukturat e autoritetit portual në Durrës deklarojnë se tarifat e këtij porti janë tregtare. Anijet e mallrave paguajnë për metër linear dhe po në të njëjtat tarifa hyjnë edhe anijet turistike. Të tilla tarifa, në vend që të shtojnë numrin e velierave të Mesdheut që vizitojnë Durrësin, trembin turistët pasi janë disa herë më të larta se çmimet e ankorimit për një port turistik të BE-së.