Muzeu i kulturës popullore përbën një nga monumentet më të rëndësishme të qytetit të Durrësit. Gjatë muajve të verës, kur numri i turistëve që vizitojnë Durrësin rritet ndjeshëm, grupe të shumta vizitorësh ndalen në shtëpinë muze të Aleksandër Moisiut. Edmond Agolli, drejtor i rrjetit muzeor të Durrësit shprehet se vetëm të enjten e kaluar, 65 turistë nga vende të ndryshme të botës kanë prekur nga afër objektet e ekspozuara në katin e dytë të kësaj godine.
Ky aktivitet u organizua nga Këshilli Botëror i Turizmit, Udhëtimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave. Kjo ishte vizita më e vlerësuar ndër grupet e vizitorëve, sepse ka patur një vlerë për njohjen e këtij muzeu, që pasqyron një dëshmi të gjallë të zakoneve, traditave, arredimit të ambienteve të brendshme, veshjeve popullore dhe stolive të grave e burrave durrsakë më shumë se një shekull më parë. Përveç 260 turistëve të huaj që e kanë vizituar muzeun gjatë periudhës qershor-gusht, në muajt e tjerë të vitit muzeu pret vizitorë nga shkollat 9 vjeçare të qytetit, që e kanë të përfshirë në programin mësimor turin në fjalë.
Gjatë periudhës së dimrit e kanë vizituar shtëpinë muze rreth 320 nxënës shkollash. Në muze ruhen dhe ekspozohen materiale autentike shekullore. Qyteti i Durrësit njihet si një ndër qendrat me vlera të konsiderueshme kulturore, etnografike, historike dhe arkeologjike. Në njërën nga dhomat e muzeut, përveç objekteve në stenda të biografisë së familjes Moisiu, në hapësirat e tjera varen vepra arti të rralla, objekte origjinale artistike dhe artizanale të durrsakëve të hershëm.
Megjithë kujdesin që duhet treguar ndaj veshjeve popullore autentike sërish një pjesë e kostumeve më shumë se 150 vjeçare nuk janë sistemuar brenda kornizave prej xhami. Të vjen keq kur sheh veshje të tilla, të cilat kanë marrë një ngjyrë gri, tek-tuk të grira nga mola dhe që rrezikojnë çdo ditë të pushtohen nga myku. Sipas z.Edmond Agolli vendosja e kostumeve popullore në kutia xhami do të realizohet këtë vit, sepse haset shumë vështirësi në pastrimin e tyre.
Drejtuesit e këtij muzeu e ruajnë me fanatizëm çdo objekt dhe çdo veshje si dëshmi e së shkuarës, duke plotësuar kështu mozaikun kulturor të qytetërimit të hershëm. 150 grupe pa bileta, duke përfshirë këtu delegacione të ambasadave me kartë vizitash kanë vizituar shtëpinë muze të Aleksandër Moisiut. Lidhur me vizitat e turistëve nga grupet që kanë vizituar muzeun, statistikat do të dalin më të sakta duke i bashkangjitur numrin e vizitorëve në vazhdim, deri në fund të vitit.
Shtatori sjell rënien e numrit të vizitorëve turistë dhe rritjen e numrit të vizitorëve nxënës shkollash dhe studentë të universiteteve. Në përgjithësi vizitorët janë të interesuar për etnografinë dhe punimet artizanale. Kjo shtëpi, ndonëse mund të duket e vogël në krahasim me madhështinë e amfiteatrit apo të Torrës, është nga monumentet më mbresëlënëse të Durrësit.
E gjendur paksa në fshehtësi, ajo ndodhet në zemër të qytetit të vjetër dhe bashkë me xhaminë Fatih e amfiteatrin, që janë disa metra largësi nga njëra-tjetra, plotësojnë një kuadër historik me një perfeksion dhe harmoni të rrallë dhe si një lloj dëshmie vizive e gradualitetit dhe e dinamikës historike në jetën e një qyteti. Shtëpia-muze, me pusin e vjetër në oborr dhe me atë kërcitjen e hapave mbi dyshemetë e drunjta porsi një muzikë okulte është tepër tërheqëse për vizitorët.