Përurimi i një universiteti të ri privat jashtë Tirane dhe për më tepër me tarifa shtetërore, mblodhi pasditen e së shtunës qindra njerëz që festuan së bashku në ceremoninë e organizuar me këtë rast, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Sali Berisha.
Korpusi i Universitetit “Albanian University” në Berat, u vlerësua nga Berisha si një ngjarje e rëndësishme për qytetin e Beratit, qytetin mijëravjeçar që i “dha njerëzimit arkiva e visare të pavdekshme”.
Duke e cilësuar “një tempull që i mungonte qytetit të Beratit”, Kryeministri përshëndeti këtë iniciativë të sipërmarrjes private në fushën e arsimit dhe të gjithë sipërmarrësit, që me “guxim e kurajë hapën shkollat e larta dhe universitetet private të vendit”. “Shqipëria,- tha kryeministri,- është vend me potenciale të jashtëzakonshme dhe trashëgimi të madhe, por ajo do mund të jetë zonjë e vërtetë midis kombeve të tjera vetëm si Shqipëri e mendjes, Shqipëri e dijeve, Shqipëri e ideve. Vetëm 10 vjet më parë, numri i studentëve në Shqipëri ishte më i vogël se sa është sot, numri i studentëve në shkollat e larta dhe universitetet private të vendit. Vetëm 7 vjet më parë, kishim 52 mijë studentë në mbarë vendin, ose një e katërta e studentëve për 1000 banorë që kishte Europa e zhvilluar. Në një hark kohor të shkurtër, në bangot e universiteteve publike e private, sot kemi 164 mijë studente e studentë”.
Duke përmendur këto fakte, Berisha premtoi se qeveria e tij do të bëjë përpjekjet maksimale që numri i studentëve që ndjekin universitetin të jetë pa kufizim. “Askush nuk duhet të trembet nga dija dhe arsimi”,- tha kryeminsitri. Gjatë fjalës së tij Berisha kujtoi se 6 vite më parë përqindja e studentëve që ndiqnin studimet në shkollat e larta ishte shumë më e ulët në krahasim me përqindjen e studentëve në vendet perëndimore.
“Përqindja e të diplomuarve në universitete ishte ndër më të ulëtat, rreth 3.4 përqind, ndërkohë që kombet e zhvilluara e kanë 26 përqind, 32 përqind, pra, shumë herë më të lartë sa e kishim dhe sa e kemi ne ende sot”,- tha kreu i qeverisë. Në vijim Berisha tha: “Universitetet duhet t’i shndërrojmë në shtretërit e dijes, në shtretërit e mendimit intelektual dhe tempujt e mendimit shkencor. Sot janë mijëra shqiptarë që i përkasin ekselencës shqiptare dhe asaj globale, aty ku janë, në Itali, Francë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermani e kudo në botë. Të bëjmë gjithçka për t’i tërhequr ata që japin kontributin e tyre në zhvillimin e vendit. Ata janë të gatshëm, ndaj ta bëjmë arsimin e lartë të hapur ndaj tyre”.
Në përfundim të fjalës së tij Berisha theksoi se programi i PD-së për arsimin do të synojë në forcimin e lidhjeve akademike me universitetet e perëndimit si një faktor mjaft i rëndësishëm për rritjen e cilësisë së mësimdhënies.
“Unë ju ftoj t’i forcojmë me një program serioz e të caktuar, lidhjet ndërkombëtare me universitetet e Europës dhe Shteteve të Bashkuara. Lidhjet akademike ndërkombëtare janë një faktor i fuqishëm për kërkimin shkencor, janë një faktor i fuqishëm për rritjen e cilësisë së mësimdhënies, janë një faktor i rëndësishëm për konsolidimin e stafit akademik të universiteteve tona”,- tha Berisha.