Një pacifiste që gjendet me dëshirë në mes të një lufte, një e dashuruar pas kinematografisë që kërkon të hapë kinemanë e parë në një qytet të shkatërruar, një femër që i largohet dashurisë, por që në fund e përjeton atë në formën më të bukur dhe më tragjike. Kjo është Kristina, heroina e “Heronjtë e viagrës”, e interpretuar nga aktorja Adriana Tolka. Ka shumë kundërshti në këtë personazh që në fillim shfaqet si një femër e ftohtë, që ngjan me Skandinavinë nga edhe vjen, por që në fund dashurohet dhe shoqëron deri në banesën e fundit, të dashurin që i vdes në duar. Krejt ndryshe nga roli i stjuardesës franceze plot ojna, këtë herë Tolka vjen me një karakter të fortë, që thotë të vërteta të mëdha. E pranishme në shumë konflikte të përgjakshme ajo habitet sesi njerëzit mund të flasin për dashuri në luftë, kur ata shkojnë atje plot gëzim e fishekzjarre, sikur po shkojnë në dasëm.
Në këtë pjesë ju interpretoni një nga personazhet kryesore, Kristinën, një pacifiste që gjendet në mes të një lufte. Si jeni ndjerë me këtë personazh?
Mund të them se me të gjithë dramaturgjinë e Bashkim Hoxhës jam ndjerë shumë mirë. Që në fillim i kam bërë të ditur autorit nga ana ime se është një pjesë që më ka pëlqyer tej mase, por mund të them se këto janë vlera që i ka e gjithë dramaturgjia e Hoxhës. Është një vepër shumë konçize, me këmbë në tokë, karakterizohet nga një dialog i thjeshtë, konkret, i drejtpërdrejtë, pra pa letrarizmat që jemi mësuar shpesh t’i shohim në dramaturgjinë dhe në skenaret e filmave shqiptarë. Kjo vepër ka të vërteta të mëdha, ndoshta dhe kundërshtime e gjuhë polemike që mendoj se nuk do të kalojë pa u vënë re në rrethet e kritikës së vërtetë. Më pëlqen Kristina, pasi ajo pëson një transformim të madh, nga një grua e ftohtë, e cila jo se nuk i ka provuar gjërat, por ndoshta nuk i ka provuar në vërtetësinë e tyre. E për këtë ajo e ka shndërruar dashurinë e saj duke jetuar për të tjerët. Që të ekzistosh për tjetrin në rradhë të parë duhet të duash veten. Ndoshta ka momente të jetës që ne e anashkalojmë veten. Më pëlqen shndërrimi që ajo pëson. Pasi njeh njeriun e duhur në odisenë e vështirë të luftës, ajo njeh kuptimin e vërtetë të dashurisë dhe mëson si të dojë më shumë veten. Dialogu në këtë pjesë është shumë i ngrohtë. Duke pasur si partner kryesor aktorin me përvojë Hysen Bashhysa jam ndjerë mirë në interpretimin e kësaj pjese sepse marrëdhënia aktoriale është marrje dhe dhënie. Kam arritur të komunikoj mjaft mirë me të.
Adrianë, kjo është pjesa e dytë rradhazi që ti interpreton me trupën teatrore “Aleksandër Moisiu”. Si je ndjerë me kolegët e tu?
Me Besin dhe Xhenin (Besmir Bitraku dhe Xhejni Fama) kam bashkëpunuar edhe në komedinë “Stjuardesat”, këtu në Durrës, por edhe në Tiranë. Është mjaft i rëndësishëm dhe i domosdoshëm komunikimi mes kolegëve në profesionin tonë, pasi kjo garanton më pas edhe cilësinë e shfaqjes. Mund të them se jam afeksionuar me të gjithë trupën dhe ndihem shumë mirë. Në të njëjtën kohë publiku durrsak është treguar gjithnjë shumë i ngrohtë dhe kjo na e lehtëson punën edhe neve aktorëve.
Keni vënë role të ndryshme në skenë, qoftë në komedi apo drama. Ku ndiheni më mirë?
Në të dyja ndihem mirë, nuk bëj dallime në këto raste. Në komedi xhongleron, argëtohesh, ndërsa në dramë rolet e heroinave të japin mundësi të thuash të vërteta të mëdha. Tek personazhet ne gjejmë pika takimi me jetën tonë reale.ù
Sa bëhesh pjesë e një roli kur e interpreton atë?
E gjitha është përqendrim dhe seriozitet në punë, kujtesë emocionale. Kujton gjëra që ke kaluar në jetë, pasi pjesë të vetes sonë ne i gjejmë në disa raste tek personazhi që interpretojmë. Duhet të vëmë shumë në punë logjikën, të kuptojmë personazhin, ta zbërthejmë atë. Sado vite eksperiencë të kesh në skenë, çdo rol është si ta nisësh punën nga fillimi, prandaj duhet një përqendrim i madh. Çdo premierë, çdo rol është një sprovë më vete.