Pas dhjetëra rolesh në skenë dhe një karriere shumë vjeçare aktori i njohur durrsak Hysen Bashhysa sjell këtë herë një hero larg imazhit dhe perceptimit që ne kemi për luftëtarët. Më shumë se një hero i luftës ai është një hero i dashurisë, një njeri që përpiqet të bëjë të lumtur veten e tij dhe partneren, që përpiqet që në mes të zallamahisë së luftës të sjellë ngrohtësinë e dashurisë. Edhe pse në moshë të madhe dhe në vend të huaj thirrja që ndjen për dashurinë i jep forcë. I vënë përballë një femre në dukje të ftohtë, të vetmuar ai arrin të çajë koracën e saj dhe të zbulojë një shpirt që, ashtu si i tij, është i etur për dashuri. E pra kjo është trimëria që e lartëson Martinin, megjithëse perceptimet butaforike të heronjve kërkojnë që ai të vdesë në front, në fushë të betejës, e jo duke konsumuar një akt dashurie.

Në këtë rol ju vini me petkun e një personazhi, Martinit, që është pjesë e kontigjentit paqeruajtës të dërguar në një vend të huaj, por që në vend që të vdesë në fushë të betejës, vdes në krahët e të dashurës. Si jeni ndjerë duke interpretuar Martinin?

Jam ndjerë jashtëzakonisht mirë, shumë komod, pasi kam pasur përkrah një partnere që ma ka lehtësuar jashtëzakonisht punën, pasi Adriana është shumë e komunikueshme. Martini është ai paqëruajtës që ka ikur në vend të huaj sepse ka mbetur vetëm në Shqipëri dhe sepse di që atje të paguajnë mirë. Atje përpiqet të ndërtojë edhe njëherë jetën e tij, sepse kështu ka qenë gjithnjë, një aventurier, por jo nga këto të rëndomtit. Martini përfaqëson ata, “heronjtë e viagrës”, që kur kthehen këtu nisin të marrin dekorata të pamerituara. Martini është një njeri i zakonshëm, që nuk ka bërë heroizma, por që pushteti kërkon ta glorifikojë për të shërbyer si shembull për të tjerë që do duan të ndjekin modelin e tij, të bëhen pjesë e konflikteve botërore. Bashkim Hoxha me këtë pjesë sipas meje ka arritur të përcjellë një mesazh të fortë: Për të treguar kujdes me këto nderime shpeshherë të pamerituara, për këta heronj butaforikë.

Pra sipas jush duhet të vendosen kritere të forta në këtë drejtim?

Po, në këtë drejtim duhet të vendosen kritere të forta, në mënyrë që të gjithë të jenë të bindur se ky person vërtet e meriton të nderohet. Nëse do ta aktualizoja problemin, këtu nderohet p.sh. Coppola, që është nderuar në Hollyëood, dhe nuk nderohet Nikolin Xhoja, që nuk i vjen më teatrit shqiptar. Nuk nderohet Vangjel Heba, Spiro Urumi etj. Njerëzit duhet t’i vënë gishtin kokës kur ta shohin këtë dramë, sepse unë dramë e quaj për vete.

Martini, personazhi që interpretoni, dashuron në luftë. Nuk duket pak e çuditshme e gjithë kjo apo mund ta përkufizojmë atë si heroi i dashurisë?

Martini dashuron si të gjithë shqiptarët, siç e thotë dhe vetë në pjesë: Ne e kemi dashurinë të ndezur. Për dashuri ne të nxjerrim sytë, dalim në mëngjes nga shtëpia dhe mendojmë si ta fundosim tjetrin. Për Martinin ky stacion i dashurisë është i fundit. Ai dashuron me gjithë shpirt. Edhe e bija, megjithëse e pikëlluar për humbjen e të atit, thotë se Martini ka vdekur ashtu si ka dashur, ai ka dashuruar gjithë jetën. Prandaj mund të them se ai është heroi i dashurisë. 

Keni me dhjetëra vite në skenë. Do të veçonit ndonjë prej roleve tuaja?

Jo, nuk  veçoj dot asnjërin. Kanë dalë të gjithë prej këtij shpirti, prej kësaj zemre. Është njësoj si një prind të dojë të ndajë fëmijët. Qoftë role të rëndësishëm apo jo unë u jam përkushtuar njësoj, kështu që nuk mund t’i ndaj.