Kalendari i veprimtarive të teatrit “Aleksandër Moisiu” për këtë sezon nuk është miratuar ende dhe kjo për faktin e thjeshtë se mungon këshilli artistik. Pas odisesë dy vjeçare me Këshillin Kulturor, mos funksionimi i të cilit bllokoi akordimin e fondeve për aktivitetet artistiko-kulturore të zhvilluara gjatë 2011, një tjetër organ kulturor pret miratimin e Këshillit Bashkiak.
Në bazë të rregullores së funksionimit të teatrit, ky institucion përbëhet nga një bord drejtues, anëtarë të të cilit janë drejtori i institucionit dhe katër persona të tjerë që duhet të miratohen me vendim të Këshillit Bashkiak. Drejtori i teatrit “Aleksandër Moisiu”, Bashkim Hoxha, bën të ditur se prej dy vitesh këshilli artistik nuk ka funksionuar, pasi nuk është zgjedhur.
“Gjatë kësaj periudhe kohore vendimet janë marrë prej meje, por kjo situatë nuk mund të zgjatet më shumë. Deri tani na thonin se duhej zgjedhur më parë Këshilli Kulturor e më pas do të miratohej këshilli artistik i teatrit. Çështja është zvarritur shumë, por na është premtuar se do të marrë zgjidhje në mbledhjen e rradhës së Këshillit Bashkiak”,- thotë Hoxha.
Mos funksionimi i këtij bordi nuk ka penalizuar deri tani punën e teatrit, pasi trupa e aktorëve ka vënë në skenë shfaqje të shumta gjatë këtyre viteve, por të penalizuar mbeten aktorët dhe regjizorët të cilët nuk mund të përfitojnë honoraret artistike.
“Përsa i përket përzgjedhjes së pjesëve që janë ngjitur në skenë gjatë dy viteve të fundit ajo është bërë prej meje,- thotë Hoxha,- por akordimin dhe shpërndarjen e honorareve nuk ma lejon ligji. Prandaj insistoj që miratimi i këtij bordi artistik të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundur”.
Emrat e propozuar Këshillit Bashkiak për të qenë pjesë e këshillit artistik janë figura të njohura jo vetëm të skenës durrsake, por edhe më gjerë. Bordi duhet të ketë në organikën e tij pesë anëtarë, katër të zgjedhur nga Këshilli Bashkiak, ndërsa anëtari i pestë është drejtori i teatrit. Mevlan Shanaj – aktor, regjizor dhe producent; Pluton Vasi – regjizor; Enver Plaku – aktor, regjizor; Shpend Topollaj – shkrimtar; Bashkim Hoxha – shkrimtar, regjizor, aktualisht drejtori i teatrit “Aleksandër Moisiu”, janë emrat e propozuar për miratim.
Hoxha bën të ditur se të gjithë emrat e përzgjedhur janë personalitete në fushat respektive dhe mendimi i tyre profesional do të jetë një vlerë më shumë për mirëfunksionimin e teatrit, që pas 4 muajsh feston 60 vjetorin e krijimit.
60 vjetori i teatrit
Në fund të këtij muaji pritet të marrë formë programi që do të hartohet për festimin e 60 vjetorit të teatrit. Drejtori Hoxha bën të ditur se është parashikuar të zhvillohet një takim me të gjithë protagonistët e teatrit të Durrësit ndër vite. Në takim parashikohet të rrihen mendime dhe të hidhen propozime konkrete mbi platformën në të cilën do të mbështeten festimet për këtë ngjarje të rëndësishme.
Kohë më parë drejtori Hoxha dhe regjizori Rama patën deklaruar për “Dyrrah” se po shihet mundësia për të risjellë edhe njëherë në skenë komedinë më të ndjekur në teatrin e Durrësit, “Kartela e verdhë”. Shfaqja parashikohej të vinte si një ndërthurje brezash. Në skenë do të interpretonin aktorët e vjetër dhe ata të rinj.
Ndërkohë një tjetër variant që propozon Hoxha është “Java teatrore”. Kështu gjatë këtyre ditëve mund të vihen edhe njëherë në skenë të gjitha shfaqjet e këtij viti si “Stjuardesat”, “Heronjtë e viagrës”, “Shërbëtori i dy zotërinjve”, “Ëndrra e një nate vere” etj.
“Ne nuk kemi ndonjë fond të veçantë për këtë qëllim, por do të mundohemi të realizojmë diçka mbresëlënëse për këtë përvjetor të rëndësishëm të teatrit. Gjithsesi në fund të muajit shtator ose fillimin e tetorit do të kemi një ide konkrete për këtë çështje”,- thotë Hoxha.
Goldoni, premierë në tetor
Gjatë muajve të vjeshtës, teatri i Durrësit do të jetë i hapur edhe ndaj privatëve. Kështu bën të ditur drejtori i këtij teatri, Bashkim Hoxha, i cili tregon për “Dyrrah” se aktualisht janë dy projekte teatrore, një me një trupë studentore, që pritet të vënë në skenë pjesën e tyre gjatë këtij muaji, ndërsa bashkëpunimi tjetër është ai me trupën “Princi i vogël”, që në muajin tetor pritet të vërë në skenë për publikun durrsak komedinë “Shërbëtori i dy zotërinjve”, i Karlo Gordonit. Komedia në fjalë është vepra më e njohur e dramaturgut italian. Ajo është përkthyer dhe është vënë në skenë në shumë nga teatrot më të njohur europianë. “Përmes bashkëpunimit me kompani private ne nuk bëjmë gjë tjetër veçse pasurojmë gamën e shfaqjeve teatrore që pritet t’i ofrohen publikut durrsak gjatë këtij sezoni”,- tha Hoxha.
Shekspiri në Durrës
Shekspiri dhe komedia e tij e famshme “Ëndrra e një nate vere” do të vijë për publikun durrsak në muajin nëntor. Regjizorja e njohur Driada Dervishi ka nisur punën për të sjellë në skenë këtë vepër impenjative, e cila do të jetë premiera e parë e trupës “Aleksandër Moisiu” për sezonin e vjeshtës. Pas farsës mjaft të suksesshme “Stjuardesat”, e cila u prit mirë nga publiku, këtë herë Dervishi do të sjellë një kolos botëror siç është shkrimtari anglez, Ëilliam Shekspir, tragjeditë dhe komeditë e të cilit vazhdojnë të rivihen në skenë 400 vjet pas vdekjes së dramaturgut të famshëm. “Ëndrra e një nate vere” do të vijë para publikut durrsak nën një konceptim të ri dhe mjaft interesant. Kjo komedi është një nga veprat më të mira të Shekspirit dhe përveç vënies në skenë, subjekti i saj është ekranizuar nga Hollywood.