Vera po troket tek porta dhe, si çdo vit, turizmi bëhet tema më e nxehtë e periudhës. Por argumentet janë gjithmonë të njëjta: pastrimi i plazheve, ndotja detare, vlerësimi i bukurive natyrore dhe ndonjë çikje e rrallë për betonizimin pikëllues të bregdetit. Pra, një pjatë pak e vakët dhe monotone, që vetëm ndonjë kroçierë e veçuar me pak qindra persona arrin ndonjëherë ta bëjë të shijshme. Dhe ja një pisk piperi më shumë, që tashmë nga katër vite prezantohet çdo verë: perspektiva mahnitëse për të ndërtuar ndonjë port turistik!
Tani flitet për një investim prej 2 miliard euro për realizimin e një porti turistik me 900 vende barkash në Kalanë e Turrës dhe një tjetër – me të vërtetë mbresëlënës – prej 10 miliard euro për të përfituar500 vende barkash në Gjirin e Lalëzit. Por kush ka memorie kujton se në 2008, ndërsa po flitej për transformimin e Vlorës në më të madhin hub-port të Mesdheut, na doli edhe një tjetër projekt faraonik, në kontrast të hapur me atë logjistik-industrial. Në po të njëjtin lokalitet të destinuar për super-sheshin e kontenierëve, Narta, do të duhej të ngrihej edhe një strukturë turistike me 800-1000 vende barkash, tre hotele, 200 vila rezidenciale dhe 5000 apartamente. Por për momentin Narta mbetet një fushë kënetore, pa kontenierë as yachte… Në 2009 u fol për herë të parë për ndërtimin e një porti turistik prej 500-600 vendesh në Kepin e Rodonit, duke e motivuar idenë me pasionin e ardhshëm të shqiptarëve për barkat e argëtimit – një hobby natyrisht i përputhshëm me pagat e larta shqiptare… Po në vitin 2009 Këshilli bashkiak i Durrësit dekretoi realizimin e një porti turistik përgjatë Shëtitores Taulantia – pallatet shumëkatësh të së cilës do të kënaqnin pa dyshim shijet e rafinuara të yachtistëve të huaj – duke vendosur për këtë qëllim 598 milion lekë (rreth 4,5 milion euro). Dhe në vitin 2010 një kompani italiane lajmëronte për realizimin e një porti turistik prej 1000 vende barkash në një vend të papreçizuar “i arritshëm nga portet e Durrësit dhe Vlorës dhe nga aeroporti i Tiranës”. Por në Shqipëri nga “idetë-projekte” dhe nga “vendosja e gurit të parë”, edhe këtë herë nuk u bë asgjë.
Dhe mbi të gjitha, përse insistohet me projekte të porteve turistike ndërkohë që në Shqipëri ekzistojnë tashmë dy struktura që nuk kanë patur sukses? Në Currila rri kot i braktisur “porti gjerman” projektuar në vitet Nëntëdhjetë, ndërsa që nga 2004 në Orikum janë të gatshëm 500 vende barkash të realizuara nga Gruppo Giorgi i Livornos. Objektivi ishte ai i “tërheqjes së turistëve të pasur nga Perëndimi”, por realiteti është se kjo zonë e zhveshur dhe e betonizuar ka vetëm 12 barka dhe vepron si bazë logjistike për ndonjë mision të vogël italian për arkeologjinë nënujore.
Kush propozon projekte për krijimin e porteve turistikë përgjatë bregdetit shqiptar përdor gjithmonë argumente të njëjta: “duhet të zhvillohet tregu nautik në Shqipëri”; “në portet italiane dhe greke janë ankoruar 300 mjete lundruese që i përkasin qytetarëve shqiptarë, pra një pjesë e klientelës do të ishte gati”; “portet turistike do të promovonin turizmin elitar në Shqipëri”. Dhe pastaj të gjithë e dinë se, në këtë periudhë, 30.000 yachte po arratisen nga Italia për shkak të taksave të reja mbi mjetet lundruese, të vendosura nga qeveria teknike: përveç 20.000 euro në vit për vendin e barkës, një yacht prej 30 metrash duhet të paguajë një “taksë qëndrimi” prej 27.000 euro. Është e qartë se ato mijëra barka italiane i çojnë gojën lëng të gjithëve. Për tani janë duke përfituar portet turistike të Kroacisë dhe të Malit të Zi, që i propozojnë italianëve tarifa shumë ekonomike, dhe pra ndonjëri pyet se përse mos të ndërtohet të paktën një port edhe në Shqipëri.
Por e vërteta e trishtë është se, përveç këtyre arsyeve fisnike, ka një tjetër (ndoshta e vetmja): nevoja për t'i dhënë maskë oksigjeni firmave të ndërtimit, që duhet të spostojnë aktivitetet e tyre nga ndërtimi urban – tashmë i marrë fund sepse askush nuk blen më shtëpi – në infrastruktura. Jashtë Shqipërisë, të gjithë e dinë se ndërtimi i porteve turistike është i lidhur gjithmonë me dëshirën për të realizuar investime ndërtimore të fuqishme dhe për të bërë biznes në kurriz të territorit. Në fakt, porti turistik është një prej veprave më invazive dhe e papërputhshme me mjedisin detar, por është edhe preteksti për të realizuar komplekse turistike dhe ndërtime përgjatë bregut. Vepra e ndërtuesve nuk mbaron me pushtimin dhe betonizimin e sipërfaqeve të gjera të ujit. Duke parë projektet e porteve turistike, vërehet se përfshijnë gjithmonë fshatra, villa, qendra tregtare, apartamente dhe hotele. Me pak fjalë, porti turistik është në të vërtetë një levë për investime ndërtimore më të mëdha dhe të natyrës tjetër.
Dhe pastaj, a sjellin këto investime avantazhe reale? Jo, sepse në Itali ekzistojnë 400 porte turistike të cilët janë pothuaj të gjithë bosh. Për më tepër, para se kriza do të ulte turizmin nautik botëror me 50%, po projektoheshin 100 porte të tjerë turistikë, çuditërisht përgjatë brigjeve shumë pak tërheqëse nga ana turistike për shkak të kënetave, monotonisë së peisazhit dhe betonizimit: Lazio, Campania, Friuli, Toscana, Calabria. Pra, projekte të padobishme, të realizuara në emër të spekullimit ndërtimor më cinik. Projekte që shkaktojnë matematikisht përkeqësimin e cilësisë së ujrave detare dhe rëndimin e erozionit bregdetar. Projekte që, nëse realizohen gjatë brigjeve të ulta dhe ranore, sjellin rrezikun e mbushjes me rërë të portit dhe nevojëm e vazhdueshme për dragazh. Por e rëndësishme është të ndërtohet, sepse realizimi i një vendi barke kushton 100-200.000 euro, dhe lum ai që i fut në xhep!
Përpara realizimit të një porti turistik, Shqipëria ka urgjencë për të tjera ndërhyrje, nga rrugët panoramike bregdetare tek hekurudhat që e lidhin me vendet fqinje, nga investimet serioze në sektorin bujqësor tek bllokimi i betonizimit, deri në rritjen e nivelit të jetesës, në mënyrë që yachtisti hipotetik të mund të zbarkojë në një vend të denjë për shijet e tij.
Përse insistohet me projekte të porteve turistike ndërkohë që në Shqipëri ekzistojnë tashmë dy struktura që nuk kanë patur sukses, në Currila dhe në Orikum? Sepse porti turistik është në të vërtetë një levë për investime ndërtimore më të mëdha dhe të natyrës tjetër. Duke parë projektet e porteve turistike, vërehet se përfshijnë gjithmonë fshatra, villa, qendra tregtare, apartamente dhe hotele…