Durrësi është qyteti me më pak koshte krahasuar me çdo njësi tjetër vendore në Shqipëri. Në 20 vitet e pas rënies së sistemit komunist thuajse nuk është ndërtuar asnjë godinë për fëmijë në një kohë që popullsia është 10-fishuar. Nga 8 kopshtet publike në qytet, 6 janë me drekë dhe 2 kopshte pa drekë.
Pushteti lokal dhe Drejtoria Arsimore Rajonale nuk kanë treguar as kujdesin më të vogël në këtë drejtim. Kërkesat e njëpasnjëshme të banorëve në çdo lagje të qytetit si dhe apelet e bëra nga qytetarët në adresë të bashkisë e Ministrisë së Arsimit kanë rënë në vesh të shurdhër. Në 20 vitet e fundit qeveria dhe pushteti lokal kanë lënë pas dore arsimin parashkollor duke e justifikuar këtë harresë me faktin se po ndërtohen kopshte private.
Por Durrësi popullsia e të cilit ka shkuar në 250 mijë banorë nuk mund të përmbushë detyrimin për fëmijët e vegjël me 8 kopshtet shtetërore dhe 15 të tjera private. Këto të fundit pjesërisht kanë kushte e infrastrukturë, ndërkohë që më shumë se 80 përqind e personelit janë arsimuar në shkolla jopublike.
DAR ka detyrimet ligjore edhe për kualifikimin e edukatorëve si për kopshtet publike edhe ato private, por një hap i tillë kryhet krejt formalisht dhe pa asnjë lloj përgjegjësie. Prej shumë vitesh bashkia nuk ka ndërtuar asnjë godinë për kopshte të reja, apo të ketë kryer rikonstruksione në ato ekzistuese dhe për këtë arsye ka një mbipopullim të madh me grupe që shkojnë deri në 50 e 70 fëmijë.
Kërkesat vit pas viti për regjistrimet e fëmijëve vijnë e rriten, ndërsa nuk ka asnjë lloj sinjali për ndërtime godinash të reja me fondet e bashkisë apo të shtetit. Duket se DAR dhe bashkia kanë rënë në ujdi për të mos kërkuar llogari paralele në drejtim të detyrimeve përkatëse duke ulur ndjeshëm edhe cilësinë e përgatitjes së fëmijëve për në klasën e parë.
Aktualisht grupet në kopshtet publike kanë 50 e më shumë fëmijë duke e bërë të pamundur punën e edukimit dhe të mësimit. Kopshti “1 Qershori” dhe “7 Marsi” në qytetin e Durrësit janë ndërtuar për të pritur 100 fëmijë në tre grupet e tyre, por aty edukohen 170 fëmijë. Një mbingarkesë e tillë e bën thuajse fiktive punën e personelit, të cilët e kanë të pamundur të realizojnë cilësisht programin.
Tani me fillimin e sezonit shkollor janë qindra prindër të cilët i janë drejtuar atyre pak kopshteve publike për të regjistruar fëmijët por që janë pritur ftohtë nga drejtuesit. Këta të fundit e kanë të pamundur të shtojnë numrin ngase edhe sot punojnë mbi kapacitetet e lejuara dhe infrastuktura nuk u jep asnjë lloj mundësi për të bërë qoftë edhe një lëshim të vogël për shtimin e numrit.
8 kopshte publike janë shumë pak për të përballuar fluksin e kërkesave nga të gjitha lagjet e qytetit bregdetar
15 kopshte private funksionojnë në Durrës, por numri i kufizuar i pranimeve bëhet pengesë për prindërit
50 fëmijë ka minimalisht çdo grup në kopshtet publike, megjithëse në raste të veçanta shifra shkon deri në 70
Në të tilla kushte prindërit i janë drejtuar DAR-së dhe bashkisë me shpresë se do të gjejnë një zgjidhje. Për ditë të tëra në këto institucione hyjnë e dalin pa përgjigje apo edhe me përgjigje negative prindër, të cilët duhet të lënë punën për t’u kujdesur për të vegjlit. Realisht koha është për fazën e regjistrimeve në kopshte, por një gjë e tillë ka përfunduar pa startuar.
Kjo për shkak të fluksit shumë të madh dhe ndërhyrjeve të panumërta. Drejtoreshat e kopshteve dhe edukatorët janë gjendur në pikë të hallit ngase nuk kanë mundësi të zgjidhin kërkesat e prindërve. Prioritet për regjistrimin e fëmijëve kanë familjet ku prindërit janë në punë shteti si dhe ato me prindër të divorcuar, kriter që nuk zgjidh fluksin e madh të kësaj kategorie duke lënë mënjanë kërkesat nga prindër të vetëpunësuar apo të tjerë në sektorin privat.
Edukatoret parapëlqejnë dhe zgjedhin kontigjentin që u vjen nga çerdhet, pasi e kanë më të lehtë t’i “shtrojnë” në programet e edukimit parashkollor. Banorët kanë kërkuar që në çdo lagje të ketë një kopësht publik nisur edhe nga fluksi që sa vjen e rritet. Por bashkia dhe as DAR nuk kanë ndonjë projekt dhe as strategji për të zbutur fenomenin, i cili ka vite që është shfaqur në qytetin e Durrësit.
Pikërisht infrastruktura është bërë disa herë shqetësuese, pasi fëmijët e tre grupeve janë detyruar të kalojnë ditët në mjedise pa ujë të pijshëm dhe pa higjenën e domosdoshme. Inspektoriati shëndetësor ka paralajmëruar disa kopshte për mungesën e kushteve të higjenës, ndërsa një vit më parë ky inspektariat kaloi në veprime ekstreme.
Kështu kopshti “7 marsi” në qytetin e Durrësit është mbyllur për 5 ditë, pasi në ambientet e tij janë konstatuar parazitë të ndryshëm që rrezikojnë shëndetin e fëmijëve. 200 fëmijë u dërguan në shtëpi duke sjellë telashe pa fund edhe për prindërit. Por kjo situatë rrezikon të përsëritet, pasi as DAR dhe as bashkia nuk kanë marrë asnjë masë në drejtim të investimeve për të përmirësuar kushtet e higjenës në kopshte.