Mbi pesëdhjetë hektarë pyje janë dëmtuar në qarkun e Durrësit. Ky është bilanci i dëmeve të shkaktuara nga zjarret e rëna në qarkun e Durrësit, ku nuk ka aktualisht asnjë vatër aktive zjarri, ndërkohë që vendi vazhdon të digjet në flakë. Krahasuar me zona të tjera të vendit, Durrësi këtë vit deklarohet të mos jetë prekur shumë nga zjarret, ndonëse sipërfaqja e pyjeve të dëmtuara në tre rastet e fundit është më e madhja, mbi 50 hektarë.
Për rastin e zjarrit të rënë në kodrat me ullinj e shkurre të Gjirit të Lalzit, në komunën Ishëm, prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet dhe mësohet se ka kërkuar akt-ekspertize nga autoritetet lokale të shërbimeve zjarrfikëse. Vetëm në këtë rast u shkrumbuan 15 hektarë drurë dhe shkurre.
Megjithatë si në rastin e Ishmit, ashtu edhe në atë të Krujës dhe Qafë Shtamës, që konsiderohen si zjarret më të mëdha të kësaj periudhe në qark, ndërhyrja ka qenë efikase për të mbajtur larg shtëpive dhe jetëve njerëzore vatrat kërcënuese. Prefekti i qarkut Genci Alizoti pohon për gazetën se në qarkun e Durrësit nuk ka asnjë vatër zjarri, ndërkohë që reparti i zjarrfikësave vazhdon të jetë në gadishmëri për t’iu përgjigjur në kohë reale çdo situate.
Në Gjirin e Lalzit në Ishëm është vendosur një automjet zjarrfikës dhe shërbime për të dhënë ndihmën e menjëhershme në rast rreziku. Alizoti apelon ndaj komunitetit të zonave i cili duhet të bashkëpunojë përmes mbrojtjes së territorit përreth, pronës së përbashkët, si dhe të bëjë njoftimet në rastin më të parë të konstatimit të rrezikut. Ndër vite zona më e prekur nga zjarret mbetet ajo e Ishmit.
Të tjera zona të dëmtara gjatë dhjetë viteve të fundit nga zjarret në Durrës janë Gryka e minierës së Manzës dhe zona e Currilave, pa lënë mënjanë dhe atë mes Porto-Romanos dhe repartit të marinës në veri të Durrësit.
Për shkak të bimësisë së thatë, kryesisht shkurre si dhe ullinjve zjarri në këto zona ka rrezikuar të përhapet shpejt dhe në drejtim të shtëpive të ngritura pranë këtyre sipërfaqeve, ndërkohë për çdo rast deklarohet se kemi të bëjmë kryesisht me zjarrvënie të qëllimshme për të siguruar tashmë jo vetëm kullota, por edhe qymyr druri nga djegia e pemëve.