Prezantohet monografia “Biblioteka publike Hivzi Sulejmani e Prishtinës (1945-2010)”, e studiuesit Sylejman Pireva. Kjo vepër studimore, e para në llojin e saj, tenton të hedhë dritë dhe të vërtetojë në mënyrë shkencore historikun, veprimtarinë dhe aktivitetin e bibliotekës publike të kryeqytetit të Kosovës
Ish drejtori i bibliotekës publike “Hivzi Sulejmani” të Prishtinës, Sylejman Pireva, prezantoi në Durrës monografinë kushtuar historikut të këtij institucioni. Ky libër, i pari në llojin e tij, tenton të hedhë dritë mbi historikun e themelimit dhe ngritjes së kësaj biblioteke, drejtuesve të saj, diskriminimit të stafit shqiptar dhe tentativave për të shtuar fondin e librave në gjuhën shqipe që nga koha, kur Kosova u shkëput nga tutela e Serbisë. Prezantimi i librit të këtij studiuesi u bë në ambientet e bibliotekës publike të Durrësit gjatë një ceremonie ku merrnin pjesë veç miqve durrsakë të librit edhe një delegacion kosovar, me në krye drejtorin aktual të bibliotekës “Hivzi Sulejmani”, Munish Hyseni. Me këtë rast bibliotekës së Durrësit ju dhuruan nga simotra e saj në Prishtinës 24 tituj librash. Në qershor të këtij viti biblioteka e qytetit tonë dhe biblioteka publike e Prishtinës festojnë 10 vjetorin e binjakëzimit. Referuesit në këtë veprimtari libri vlerësuan përpjekjen e Pirevës, që hodhi hapin e parë për të dokumentuar hap pas hapi historikun e kësaj biblioteke në periudhën kohore nga viti 1945 e deri në 2010-ën.
Ashtu siç theksoi dhe vetë autori i monografisë, puna për shkrimin e saj nuk ka qenë aspak e lehtë për vetë faktin sepse mungojnë dokumentet shkresore që të vërtetojnë etapat e ndryshme nëpër të cilat ka kaluar historiku i saj. Si një njohës i mirë i kësaj biblioteke, me një përvojë mbi tridhjetë vjeçare në këtë institucion, Pireva ka ditur të hedhë dritë dhe të vërtetojë në mënyrë shkencore dhjetëra dëshmi, të dhëna statistikore e dokumente burimore dhe t’i sjellë ato përmes një stili elegant. Megjithëse nuk mund të konsiderohet një monografi shterruese ajo i hap rrugën botimeve të tjera shkencore që mund ta pasurojnë edhe më tej këtë temë. Në këtë monografi, Pireva sjell për herë të parë para lexuesve shumë dëshmi dhe dokumenta të panjohura për ta. Megjithëse ekzistojnë të dhëna për gjendjen e bibliotekave në Kosovë në shekullin XIX dhe fillimin e shekullit XX, autori nënvizon se bibliotekat publike në vendin e tij kanë nisur të funksionojnë intensivisht vetëm pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. Libri me rreth 300 faqe është ndarë në katër periudha sipas rendit kronologjik të zhvillimit të veprimtarisë bibliotekare në Prishtinë, në një kohëzgjatje prej 65 vjetësh. Periudha e parë e historikut të bibliotekës “Hivzi Sulejmani” zgjat plot 32 vjet, e në këto vite ky institucion është drejtuar nga dy drejtoresha serbe.
Në fund të monografisë së tij, Pireva ka përfshirë një fotoalbum, që dokumenton mes fotografive të vjetra e të reja në kohë, drejtuesit e kësaj biblioteke ndër vite si dhe veprimtaritë për librin, të organizuara me inisiativën e këtij institucioni. Shumë nga pjesëmarrësit në këtë ceremoni kanë prekur nga afër fondin e librave të bibliotekës “Hivzi Sulejmani” në Prishtinë dhe për këtë falenderuan palën kosovare për përkushtimin e treguar për pasurimin e fondit të librave sidomos pas vitit ’99, kur një pjesë e madhe e bibliotekave dhe fondit të tyre kudo në Kosovë u dëmtua rëndë për shkak të luftës. Ndërsa biblioteka e Prishtinës së shpejti do të kalojë në ngrehinën e re, stafi i simotrës së saj durrsake uroi që një gjë e ngjashme të ndodhë edhe në Durrës, ku shtëpisë së librit po i zihet fryma në ambientet e ngushta që ka në dispozion. Në të njëjtën linjë u shpreh edhe ish deputeti durrsak, Bardhyl Agasi, i njohur edhe si autor librash, i cili nënvizoi faktin se mos prania e drejtuesve vendorë në aktivitetet për librin flet për indiferencën që ata tregojnë për këtë pasuri me mjaft vlera për të gjitha brezat e shoqërisë.