Askush nuk duhet t’i nënshtrohet dhunës, po ndodh. Kjo verë që sapo lamë pas ka qenë e nxehtë jo vetëm në temperatura dhe debat politik, por edhe në ngjarje kriminale dhe dhunë në rrugë dhe brenda familjes. Nevoja për ashpërsim të politikave penale ndaj saj është në rritje, bashkë me përhapjen e agresivitetit të fenomenit. Është shekulli XXI dhe nuk duhet toleruar më.

Rrethi duhet thyer dhe viktimat të ndihmohen, po sa larg politikave vendore dhe qëndrore të cilat ende nuk kanë buxhete të veçanta për dhunën familjare dhe as të ndihmojnë me përparësi në strehim e punësim viktimat e saj. Kur stresi në shtëpi shtohet për shkak të papunësisë, mungesës së të ardhurave dhe problemeve të tjera, dhuna familjare raportohet në rritje.

Në çdo komunikim ditor të policisë lokale raportohen raste të saj. Tashmë pranohet hapur si një fenomen i mprehtë social në familjen shqiptare dhe viktimat kërkojnë ndihmë. Herë duke denoncuar dhe herë në heshtje. Shumica e tyre ndjehen dhe janë të izoluara. Jetojnë të pasigurta brenda mureve të shtëpi e ëmbla/e hidhura shtëpi.

Duhet pranuar që kriza ekonomike dhe përballë saj deklarimi shtetëror për rritje ekonomike kanë ndikuar edhe në këtë fenomen. Ekonomia e dobët, ulja e të ardhurave brenda familjes kundrejt çmimeve të larta të produkteve të shportës së konsumit dhe pasiguria që ofron tregu i punës çojnë në uljen e burimeve të vlefshme për viktimat, ndërkohë që donatorët dhe shërbimet sociale shtetërore kanë reduktuar ndjeshëm programet e asistencës dhe parandalimit.

Shumë gra të dhunuara, si dhe anëtarë të tjerë të dhunuar të familjes pohojnë se vazhdojnë të qëndrojnë në marrëdhënie abuzive për shkak se nuk kanë ku të shkojnë dhe nuk e përballojnë dot ikjen. Në pjesën dërrmuese të rasteve që denoncohen pranë Qendrës Sociale të Grave dhe Vajzave Durrës, në polici dhe në qendrën komunitare “Sot për të ardhmen” dhuna e ushtruar është diktuar apo acaruar më tej nga probleme ekonomiko-financiare.

Mundësitë e pakta ekonomike krijojnë varësi financiare të viktimave, numri i të cilave duhet pohuar se ka ardhur në rritje progresive gjatë viteve të fundit.

Situata

Nga viti në vit, ndërgjegjësimi i shoqërisë civile, por edhe përshkallëzimi i dhunës brenda familjes ka shtuar rastet e grave, por edhe viktimave të tjera të dhunës që thyejnë heshtjen dhe i drejtohen policisë për të kërkuar ndihmë. A shpëtojnë nga dhuna pas kësaj?

Kjo është një çështje tjetër që kërkon trajtim edhe më të gjerë pasi mbart problematika të tjera socio-psikologjike dhe e ardhmja e afërt rezulton e ndryshme dhe vlerësimet bëhen rast pas rasti. Në varësi të ndërhyrjes së përfituar, reagimit personal dhe atij social e shtetëror të viktimave dhe dhunuesve të tyre. Në jo pak raste dhuna e vazhdueshme ka përfundur në krim brenda familjes.

Denoncueset janë gra të qytetit dhe më pak të fshatit. I bashkon i njëjti fat, të qenët viktima të një dhune që ngelet e mbyllur brenda mureve të shtëpisë. Dhe ato kanë vendosur ta refuzojnë atë, ndonëse denoncimet jo gjithnjë sjellin shmangien e saj. Në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Durrës gjatë këtij viti janë rregjistruar afro 150 raste të denoncimit të dhunës familjare.

Ndërkaq, gjatë gjashtë muajve të parë të 2012-s, në sallën e shërbimit operativ policor kanë mbërritur 182 telefonata që denonconin raste të tjera të dhunës në familje, jo thjesht për të raportuar, po për të kërkuar ndihmën e shërbimit policor. Gjatë vitit 2009 numri i grave të dhunuara që kërkuan ndihmë në polici e gjykatë ishte 130, ndërsa në vitin 2008 u regjistruan 94 raste.

Shumë të tjera vuajnë situatat e rënduara në familje pa mundur të denoncojnë, për shkak të barrierave sociale, psikologjike, por edhe faktit se denoncimin nuk e shohin si zgjidhje të gjendjes së tyre. “Nuk është e lehtë të pranosh se dhunohesh nga një njeri i dashur. Shumë shpesh mendon se është dhe faji yt që keqtrajtohesh ashtu. Është e dhimbshme. Unë e gjeta rrugëzgjidhjen duke u larguar nga shtëpia dhe nga Durrësi, pas divorcit. Edhe pasi u ndava nuk munda të shpëtoj nga ish-bashkëshorti. Kjo më detyroi të lë punën, shtëpinë, jetën time këtu dhe të emigroj në Itali, te disa të afërm të mi.”- thotë Mimoza R. 44 vjeçe, nënë e një vajze tashmë adoleshente.

Dhuna familjare mbetet një problem i mprehtë social që kërkon vëmendjen e të gjithëve, veçanërisht për rastet ekstreme kur e ardhmja e viktimave, jeta e tyre mbetet në duart e një shoqërie dyert e së cilës veç deklarohen të hapura, po realisht të përplasen në fytyrë, duke shtuar ndjesinë e izolimit.

Dhunues e të dhunuara

Statistikat e rasteve të denoncuara tregojnë se kategoria më dhunuese është ajo e burrave, bashkëshortë ose ish-bashkëshortë dhe pas tyre renditen prindërit si dhunues të fëmijëve, por edhe e fëmijëve të rritur ndaj prindërve, e vjehrrit ndaj nuses së djalit dhe e nuses ndaj vjehrrit a vjehrrës.

Ka dhe raste kur të dy prindërit janë dhunues të fëmijës, ashtu si nuk kanë munguar rastet kur dhunuesja është gruaja dhe viktimë e dhunës bashkëshorti, ndonëse këto raste janë ende shumë të rralla. Statistikat flasin për një ndërgjegjësim në rritje të viktimave të kësaj dhune që mbetet plagë e shoqërisë shqiptare, ndonëse me përmasa ende të panjohura për shkak të mentaliteteve dhe problematikës që mbart dukuria te vetë pjesëtarët e familjes, përfshirë dhe ata që nuk janë objekt i drejtëpërdrejtë i saj.

Pjesa më e madhe e viktimave që denoncojnë janë banore të zonave urbane, ndonëse ky fakt nuk është tregues për gjeografinë e shpërndarjes së fenomenit. “Ekzistojnë faktorë të ndryshëm që ndikojnë në këtë realitet dhe kryesisht janë mentalitetet, niveli i informimit, ndërgjegjësimit, lirshmëria në marrjen e vendimeve dhe të tjera aspekte.”- thonë në Qendrën Sociale të Grave dhe Vajzave.

Vktimat gjithnjë e më shumë kanë nisur të kërkojnë ndihmë nga autoritetet, të tregojnë plagët e rrahjeve dhe të pranojnë që dhunohen nga njerëzit e dashur. “Kur është nevoja, të dhunuarat ose të dhunuarit sipas rastit dërgohen për trajtim mjekësor dhe vlerësim mjeko-ligjor të dëmtimeve që kanë dhe më pas në prani ose jo të psikologes iu merret kallëzimi dhe mbi bazën e tij plotësohet kërkesë padia për lëshimin e Urdhrit të Mbrojtjes nga Gjykatat e Durrësit dhe Krujës.”- tregojnë në drejtorinë e policisë së Durrësit.

Ekziston një partneritet midis strukturave policore dhe atyre lokale, përfshirë shoqatat që punojnë në fushën ndaj dhunës dhe pushtetit vendor për t’u siguruar viktimave mbështetje për kurimin, strehimin, ndihmën ligjore dhe psikologjike. Megjithatë problemet nuk mungojnë në sigurimin e ndihmës reale të kërkuar.

Në jo pak raste, gratë dhe fëmijët që detyrohen të braktisin shtëpinë për t’i shpëtuar dhunës nuk kanë ku të shkojnë. Strehëzat në Tiranë dhe Elbasan jo gjithnjë i përgjigjen kërkesave të tyre. Prej shumë vitesh ndërtimi i një strehëze për gratë e dhunuara në Durrës është parë si domosdoshmëri, por ende ngritja e saj nuk është bërë realitet. Viktimat e dhunës ekstreme, që rrethanat e jetës i kanë lënë jashtë dyerve të shtëpisë që vetëm ëmbëlsi e ngrohtësi nuk ofron, enden të pashpresa me sytë e uritur për ndihmë në realitetin e tyre që dhemb. 

DHUNA FAMILJARE

Ashpërsim i politikës penale ndaj dhunës

Në legjislacionin e shumë vendeve dhuna në familje konsiderohet një vepër penale dhe ndëshkohet. Kjo ndihmon në uljen e fenomenit dhe vënien në punë të mekanizmit shtrëngues shtetëror ndaj atyre që ushtrojnë dhunë ndaj më të dobtëve në familje, duke krijuar më shumë siguri në ambjentin abuziv familjar dhe marrëdhëniet mes anëtarëve të familjes. Dëshmitarët më të shpeshtë të kësaj dhune janë fëmijët duke diktuar kështu mirërritjen psiko-emocionale të një brezi të tërë dhe ndikimet e dhunës së përjetuar në familjet e ardhshme që ata do të ndërtojnë. Në jo pak raste, dhuna ka përfunduar në vrasje; por edhe vetëvrasjet shpesh janë pasojë e dhunës së vazhdueshme dhe dhënies fund të saj përmes aktit final. Në disa prej rasteve, nuk ka vend vetëm për ndjekje penale të dhunuesit për "shkaktim vetëvrasjeje", po dhe për krim të vrasjes. Në shoqëri dëshmohet jo rrallëherë, ndonëse të paprovuara se viktimat e dhunës janë detyruar nga dhunuesit e tyre të kryejnë vetëvrasje, madje dhe të shkruajnë letra lamtumire. 

Në dhjetor të vitit të kaluar, ministri i Brendshëm Bujar Nishani, sot President i Republikës ka kërkuar ndjekjen e një politike penale më të ashpër për sa i përket dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave në veçanti. “Kodi penal dhe kodi i proçedurës penale kanë nevojë të ndryshohen, është koha për një politikë penale më të ashpër që synon në radhë të parë të rrisë përgjegjësinë e çdo qytetari dhe grupi shoqëror, por do të ndihmojë edhe autoritetet në investigimin, hetimin por edhe penalizimin e veprave të tilla",- pati deklaruar Nishani. Në kuadër të ndëshkimit penal të dhunës, nenit 90 të Kodit Penal “Dëmtime të tjera me dashje” është propozuar t’i shtohet neni 90/a për dhunën në familje dhe vendosja e sanksionit deri në 5 vjet heqje lirie për dhunuesin: “Rrahja, si dhe çdo vepër tjetër dhune, e kryer nga autori i veprës ndaj personit që ka ose ka pasur marrëdhënie bashkëshortore apo bashkëjetese, dënohet me burgim nga 6 muaj gjer në 5 vjet”.

PRECEDENTI

Pak ditë më parë, një 42 vjeçare u largua nga kjo botë. Morën fund vuajtjet e përditshme fizike dhe emocionale të saj. Shenjat e shumta të dhunës në trupin e viktimës së vetëhelmimit dëshmuan për realitetin e saj dhe shkakun e vërtetë të ikjes nga kjo botë. Një martesë e kaluar nën terror të vazhdueshëm. Drejtoria e Policisë së Qarkut Durrës raportoi, në fund të gushtit, zbardhjen e shkakut të vdekjes dhe ndalimin e bashkëshortit të saj vetëm dy ditë, pasi ajo mbylli sytë dhe u shoqërua për në banesën e fundit. 46 vjeçari Ferid Doku u ndalua nën akuzën e konsumimit të veprës penale “shkaktim të vetëvrasjes” dhe nëse gjykata e shpall fajtor ai rrezikon gjobë gjer në pesë vjet burg. E prekur rëndë në dinjitetin personal për shkak të dhunës që ushtrohej mbi të dhe pamundësisë për të gjetur rrugëdalje 42 vjeçarja nga Fushë Kruja i ka dhënë fund jetës duke konsumuar një sasi lënde helmuese. Nga kqyrja e kufomës rezultoi se viktima kishte shenja të dhunës në trup në kohën që ka qenë gjallë dhe sipas deklarimeve të marra nga familjarë të tjerë, të afërm të saj, kjo dhunë është ushtruar nga i shoqi. Ajo është vetëm një rast që klith, apelon për shumë të tjera që jetojnë në të njëjtat kushte, por janë ende në jetë.