Kujtoj se viti 1997 e gjeti portin e Durrësit në një situatë shumë të vështirë. Ndonëse policia kishte garantuar se porti nuk do të prekej, në mënyrë spontane, si në një furtunë, porti për 2 orë u zotërua nga elementë që e bastisën atë. U thyen magazina, u tentua që të vidhej dhe u shkaktuan dëme kolosale, pasojat e të cilave u vuajtën prej vitesh

Duke u ndalur në vitet ’90, në ato ngjarje që shënuan përgjithmonë historinë e demokracisë në Shqipëri dhe në qytetin e Durrësit, Zamir Ramadani, sekretari i degës së kësaj partie, risjell në vëmendje ngjarje të tilla si mitingu i parë i PD-së në stadiumin “Niko Dovana”, rrëzimi i bustit të diktatorit apo dhe vitin e mbrapshtë 1997. Duke qenë kryetar i grupit të këshilltarëve të PD-së në Këshillin Bashkiak, Ramadani nuk lë jashtë vëmendjes edhe vonesën e tejzgjatur që administrata e bashkisë i bëri prezantimit të projektbuxhetit. Ndërsa duke u ndalur në funksionin shtetëror, atë të drejtorit të përgjithshëm të Hekurudhës Shqiptare, Ramadani bën një ekspoze të aktivitetit të këtij lloj transporti dhe problematikat emergjente që thuajse po e nxjerrin jashtë loje këtë sektor. 

Z. Ramadani, çfarë kujtoni nga momentet e para, pas formimit të degës së PD në Durrës?

Ndryshimet dhe situata e përgjithshme në Europë, por dhe në vendin tonë sollën si domosdoshmëri krijimin e një opozite shqiptare. Pavarësisht se nuk kam qenë ndër firmëtarët dhe nismëtarët për krijimin e PD-së, kam qenë ndër ata që kanë kontribuar në përhapjen e mendimit ndryshe. Kam qenë pjesë e një rryme e cila nuk pajtohej me mënyrën se si drejtohej vendi në kohën e diktaturës. Me krijimin e PD-së kam qenë me punë në Portin Detar të Durrësit. Kam qenë përkrahës dhe aktivist në krijimin e celulave të para të PD-së në këtë port. Kujtoj disa nga njerëzit që kontribuan në këtë drejtim si Luan Kacani, Vangjel Belzha, Gëzim Serenai etj. Më kujtohet koha kur do të zhvillohej mitingu i parë dhe nevojitej një tribunë për podiumin që do të vendosej para stadiumit “Niko Dovana“. Pas kontaktit që patëm me përfaqësues të degës së PD-së, siguruam një rimorkio, që më pas u përdor në atë miting. Me emocione kujtoj gjithashtu momentin e rrëzimit të bustit të Enver Hoxhës në portin e Durrësit. Ishin momente me të vërtetë emocionante. Për rrëzimin e bustit të diktatorit është përdorur një elektrovinç i portit, pasi struktura ishte e fortë dhe ishte e pamundur të lëvizej me mjete të tjera. Busti më pas u hoq zvarrë në qytet, duke shënuar menjëherë pas Tiranës rënien e diktatorit.

Cila ka qenë karriera juaj politike?

Duke ju referuar aktivitetit tim politik, siç e thashë më lart, e kam nisur fillimisht me seksionet e lagjes, më pas në qendrat e votimit si përfaqësues i PD-së. Kam qenë drejtor i shtabit elektoral të zonës ku kandidoi Liri Dibra, kam qenë në dy mandate rresht sekretar i nëndegës së PD-së, më pas kryetar i nënseksionit nr.1 ku jam dhe sot, si dhe sekretar i degës së PD-së. Janë poste që i kam përfaqësuar me dinjitet, duke qenë sa më pranë qytetarëve dhe elektoratit të PD-së. Kam qenë po kështu kryetar i Këshillit Bashkiak dhe aktualisht jam kryetar i grupit të këshilltarëve të PD-së në Këshillin Bashkiak. Këshilli Bashkiak është një përfaqësim dinjitoz i votave të qytetarëve. Kam qenë kryetar i Këshillit Bashkiak në mandatin e parë të z. Dako. Ne si parti kemi pasur mazhorancën, ashtu siç e kemi dhe sot. Gjatë të gjithë mandatit jemi munduar që të zbatojmë dhe kthejmë në produkt taksat dhe tarifat që bashkia merrte nga qytetarët për t‘i shërbyer qytetarëve. Kemi qenë shumë transparentë në këtë mandat. Kemi këmbëngulur që bashkia të ishte më transparente dhe e vendosur në realizimin e programit dhe detyrimeve ndaj qytetarëve. Një nga problemet që kemi pasur si në mandatin e parë të kryebashkiakut Dako ashtu dhe në të dytin është fakti se buxheti paraqitet me shumë vonesë. Këshilli Bashkiak nuk e ka miratuar akoma buxhetin, pasi vetëm këto ditë ky projekt buxhet është dorëzuar nga bashkia. Po kjo praktikë ka qenë nga viti 2007, 2008, 2009, 2010, ku projektbuxhetet e bashkisë së Durrësit janë paraqitur në muajin prill, pra katër muaj me vonesë.

Cila ka qenë lidhja juaj me portin e Durrësit?

Në portin e Durrësit për rreth 7 vjet kam qenë në pozicionin e kryeinxhinierit deri në vitin 1996. Më pas i ndjeri z. Ypi u bë deputet dhe unë u emërova drejtor i Portit të Durrësit. Porti i Durrësit në këtë periudhë ju nënshtrua një rikonstruksioni të thellë me futjen e elementëve të ekonomisë së tregut. Në atë kohë, në bazë dhe të programit të PD-së, u realizuan reformat kryesore. Porti kishte në varësi kapitenerinë, agjensitë detare, spedicionerët, mjetet e transporteve ose të gjithë proçesin teknologjik të marrjes së anijes në dorëzim; përpunimin, shpërndarjen, magazinimin etj. Ishte një volum shumë i madh dhe një kontradiktë në vetvete. Në programin e PD-së ishte dhe privatizimi. Që në atë kohë, ne nisëm proçedurat për ndarjen më vete dhe privatizimin e Kapitenerisë, agjentëve, pilotëve, agjensive detare, agjensive spedicionere, transportit të mallrave, kompanive të ngarkim-shkarkimit etj. Të gjithë elementët kryesorë, që përbënin proçesin teknologjik të përpunimit të anijeve, janë privatizuar në mandatin e parë të PD-së.

Si e gjeti viti i mbrapshtë 1997 Portin e Durrësit?

Kujtoj se viti 1997 e gjeti portin e Durrësit në një situatë shumë të vështirë. Ndonëse policia kishte garantuar se porti nuk do të prekej, në mënyrë spontane, si në një furtunë, porti për 2 orë u zotërua nga elementët që e bastisën atë. U thyen magazina, u tentua që të vidhej dhe u shkaktuan dëme kolosale, pasojat e të cilave u vuajtën prej vitesh.

Si paraqitet situata në Hekurudhën Shqiptare, ku 400 punëtorë janë larguar nga puna?

Është e vërtetë. Rreth 400 punonjës janë larguar nga puna. Hekurudha shqiptare dikur në një ekonomi të centralizuar shikohej si prioritet, por me futjen e ekonomisë së tregut konkurenca bëri të vetën. Kjo konkurencë është e tejskajshme si në transportin e pasagjerëve ashtu dhe në transportin e mallrave. Gjithsesi duhet thënë se ne i kemi rritur import-eksportet në transport. Kemi arritur në vitin më të mirë 2010 -2011 gati 310 mijë ton, në një kohë që në vitet më të mira nuk kishte arritur më shumë se 30 mijë ton. Kjo tregon se me një politikë të mirë menaxhuese dhe me aplikimin e tarifave të favorshme jemi konkurent kryesor në transportin e import-eksporteve nëpërmjet Malit të Zi. Problemi më i madh për Hekurudhën Shqiptare është transporti i brendshëm. Fakti që hekurudha nuk hyn në çdo degë të ekonomisë, teknologjia e transportit dëshiron që të ketë një transport derë më derë që ngarkohet te pritësi dhe shkarkohet te uzina prodhuese, është problem serioz.

Fatkeqësi janë dhe të tjera çështje, të tilla që kanë të bëjnë me faktin se hekurudha nuk ka më mundësi të operojë me Portin Detar. Porti, me studimin e masterplanit, e ka nxjerrë lidhjen me hekurudhën në kalatën lindore dhe në një të ardhme pritet që hekurudha të jetë efektive në port. Probleme kemi dhe me transportin e pasagjerëve, ku akoma goditemi me gurë, konkurenca e transportit rrugor bën gjithashtu të vetën. Disavantazh tjetër është fakti se qeveria shqiptare ka investuar shumë në infrastrukturën rrugore, por jo në infrastrukturën hekurudhore. Në një situatë të tillë, shpejtësia e lëvizjes me anë të transportit rrugor është shumë më e madhe sesa me transportin hekurudhor. Po kështu transportet e mallrave kanë mbingarkesa, apo shfrytëzim mbi kapacitetet. Ne kemi kërkuar që të bëhen taksime të diferencuara etj.

A ka dritë në fund të tunelit për Hekurudhën Shqiptare?

Lajmi i mirë është që qeveria shqiptare në bashkëpunim me BERZH-in në vitin 2012 kanë akorduar 1,2 milion euro për studimin e fizibilitetit të të gjithë Hekurudhës, si dhe për projekt zbatimin e linjës Durrës-Tiranë. Në muajin shtator do të jetë një projekt i gatshëm për fillimin e punimeve të linjës Durrës-Tiranë, që ka dhe fluksin kryesor të lëvizjes së pasagjerëve dhe mallrave. Hekurudha shqiptare me këtë projekt do të ketë gati dhe fondin përkatës, për të filluar lëvizjen e trenave me cilësi bashkëkohore dhe sistem sinjalistike. Ardhja e këtij fondi do të përcaktojë shumë qartë se cilat linja do të kenë rentabilitet në zhvillimin e kësaj hekurudhe.