Për dy ditë me radhë, në kuadrin e 100 vjetorit të pavarësisë, në QKF Durrës, nën kujdesin e DAR, u zhvillua faza e dytë e konkursit të fjalës artistike mes nxënësve të shkollave të mesme publike dhe jopublike të qytetit dhe rrethit të Durrësit. Juria prej dhjetë anëtarësh ishte e përbërë nga disa nga emrat më të njohur në fushën e letrave në Durrës. Përmendim këtu mësues dhe krijues, shkrimtarë dhe poetë si Vaso Papaj, Agim Bajrami, Gladiola Busulla, Xhevahir Cirongu, të cilët me veprat letrare të tyre janë të mirënjohur jo vetëm nga nxënësit e shkollave, por edhe nga publiku i gjerë durrsak dhe i mbarë vendit.
Drejtori i DAR, Filip Gjonçi, i uroi suksese 130 nxënësve konkurrues, të cilët u përzgjodhën në fazën e parë të këtij konkursi. Për herë të parë në traditën e këtij konkursi letrar vihej re një pjesëmarrje kaq e madhe, si asnjëherë tjetër. Nxënësit të dashuruar me fjalën e shkruar dhe artin e të shprehurit, u ngjitën në skenë, duke treguar vlerat artistike individuale në interpretimin e përrallës, fabulës, prozës, poemës dhe poezive.
Në vetvete, cilësia artistike e konkurrimit shprehte punën e madhe që bëhet me talentet, nga mësuesit e letërsisë nëpër shkollat tona, bile jo vetëm te gjimnazet, por edhe tek shkollat profesionale. Materiali letrar, ku dominonte fryma kombëtare dhe ajo e atdhedashurisë, ishte përzgjedhur me kujdes nga veprat e poetëve dhe shkrimtarëve tanë më të njohur, si Naimi, Fishta, Mjeda, Poradeci, Kadare, Noli, Asdreni, Ali Podrimja, Ali Asllani, etj. Nuk munguan edhe poezi lirike të pëlqyeshme për vetë moshën, por edhe pjesë letrare të krijuara me aq frymëzim nga vetë nxënësit.Dëshira e tyre për të treguar veten, për t’u vlerësuar dhe fituar ishte e madhe.
Juria e pati shumë të vështirë të zgjidhte më të mirin, aq sa pati edhe balotazh mes konkurrentëve. Më të mirët, 16 konkurrentët fitues, që grumbulluan më shumë pikë, do të marrin pjesë në festivalin e parë kombëtar të fjalës artistike me nxënësit e shkollave të mesme, i cili do të zhvillohet në muajin maj, në teatrin e Qendrës së Artit “Dea” në Ksamil.