Përgjatë një jave me rradhë Biblioteka Publike e Durrësit është duke zhvilluar një sërë veprimtarish në kuadër të 23 prillit, Ditës Botërore të Librit. Aktivitetet startuan me ekspozitën e librave kushtuar autorit të madh anglez, William Shakespeare, e cila është vendosur në sallën e bibliotekës dhe do të qëndrojë e hapur deri në 23 prill. Drejtoresha e bibliotekës,

Flora Dervishi deklaroi për gazetën “Dyrrah” se aktivitetet e programuara kanë për qëllim të nxisin edhe më shumë lexuesin t’i afrohet librit dhe bibliotekave. Në këto ditë kur teknologjia duket se po zëvendëson gjithnjë e më shumë leximin e zakonshëm të librave, kërkohet punë dhe promovim më i madh i librit, për ta bërë atë të shkojë deri tek masat popullore.

Për këtë arsye, biblioteka po zhvillon një fushatë sensibilizuese “Librat duan shtëpi”, e cila do të kulmojë ditën botërore të librit, më 23 prill. Një aktivitet tjetër i organizuar nga biblioteka ishte dhurimi i 50 librave për fëmijë komunitetit shqiptar në Hollandë. Me këtë rast është lidhur edhe një marrëveshje bashkëpunimi mes bibliotekës së Durrësit dhe komunitetit shqiptar në vendet e ulta.

Duke qenë se promovimi i librave mbetet një nga prioritetet e këtij institucioni ditën e premte, në odeonin “Nikolin Xhoja” u prezantua libri i autorit pogradecar Istref Haxhillari. Miku që vinte nga qyteti liqenor paraqiti para të pranishmëve në këtë veprimtari botimin e tij më të fundit, librin me tregime “Grinata”.

 

Promovime librash, fushatë sensibilizuese, marrëveshje bashkëpunimi dhe ekspozita libri janë disa nga aktivitetet e programuara në kuadër të Ditës Botërore të Librit nga Biblioteka e Durrësit. Kontakti i lexuesit me librin dhe promovimi i veprave të reja e jo vetëm janë ndër prioritet e këtij institucioni kulturor 

Haxhillari në vitin 2010 ka fituar çmimin “Don Kishoti i Mançes” i akorduar nga ambasada spanjolle në Tiranë me tregimin “Karmençita”. Ndërsa e ka nisur vonë proçesin e të shkruarit, Haxhillari ka botuar një sërë veprash gjatë këtyre viteve si përmbledhjen me tregime në dy pjesë: "Përthyerje", prozën poetike, "Bari i ujkut", novelat "Ëndrrat kryqëzojnë kohën" dhe “Thikat e Vardarit”, romanin "Pesha e kohës" dhe esenë “Hapësirat rrallohen prej dhimbjes”.

Ndërkohë të martën e ardhshme do të promovohet libri i Uran Butkës, “Masakra e Tivarit”, një vepër që tenton të hedhë dritë mbi një nga ngjarjet më të rënda në historinë shqiptare të viteve të luftës. Për t’i dhënë një shtysë veprimtarive kushtuar librit dhe për t’i bërë ato edhe më të larmishme drejtoresha Dervishi tregon se shumë shpejt mund të organizohen një herë në javë jo vetëm promovime librash të rinj, por edhe lektroiume, portrete shkrimtarësh, odë poetike, tryeza kritike, auditoriume tematike si “Durrësi në penën e shkrimtarëve” etj.

Për këtë biblioteka e Durrësit është duke zhvilluar bisedime me drejtorinë e pallatit të kulturës “Aleksandër Moisiu” për të caktuar një ditë të veçantë për këtë veprimtari artistiko-kulturore.