Atletet durrsake kërkojnë të rikthejnë traditën e bukur të atletikës në Durrës. Këto vajza të vogla, nënkampione të vendit e që premtojnë shumë për të ardhmen, do të jenë shpresa e sportdashësve bregdetarë për fitimin e trofeve kombëtare

Është pritur me shumë entuziazëm lajmi, se në kampionatin kombëtar për moshën 13 vjeçare organizuar më 11 prill në Tiranë, Teuta e Durrësit u rendit në vendin e dytë. Ky sukses është pritur me reagime pozitive nga opinioni sportiv, pasi atletika në Durrës pas viteve të emergjencës ka nisur të ripërtërijë traditat e saj të vyera.

Është një dyshe specialistësh të atletikës, njëra prej të cilave edhe kampione ne vrapimet e mesme në vitet 70-të. Ajo quhet Zamira Koçi. Ndërsa kolegia e saj, tjetër protagoniste e nisjes nga e para të punëve me atletikën është Merushe Mema.

Zamira është mësuese e edukimit fizik në shkollën 9-të vjeçare “Eftali Koçi”, ndërsa Merushe Mema mësuese e edukimit fizik në shkollën e mesme sportive “Bernardina Qerraxhia”. Gjatë intervistës ato zbardhin shumë nga

Cilat janë atletet që e “gatuan suksesin”?

Naze Thomai është nxënëse në shkollën “14 Nëntori”. Në vrapimin e 600 metrave, kjo vogëlushe i la pas atletet e ekipeve të tjera duke prerë e para shiritin. Gëzimi dhe kënaqësia janë të pakufishme. Ajo hidhet në krahët e trajneres Zamira Koçi dhe që të dyja ndajnë kënaqësinë e fitores. Por Naze Thomai nuk e ndali këtu suksesin e saj.

Ajo është stërvitur me intensitet edhe në garën e kërcimit së gjati, ku pranë saj shërben si përvojë e gjallë kampionia e kërcimit trehapësh, Marsida Dardha. Mbase Marsida do të jetë burim i një shkrimi tjetër, jo vetëm nga ecuria e saj cilësore si kampione e vendit, por edhe angazhimi muajt e fundit si inspektore në klubin shumësportesh Teuta.

Në garën e kërcimit së gjati Naze Thomai, e cila në këtë disiplinë përgatitet nga Merushe Mema vulosi vendin e parë dhe titullin e kampiones. Por Thomai nuk mbeti e vetme në arritjet e saj më të fundit. Iu bënë krah edhe Melina Kërtusha dhe Joana Hazisllari. Melina falë talentit të saj, zotëron aftësi dhe përgatitje në garat e shkurtra. Kështu në vrapimin e 50 metrave, ajo fluturon teksa nuk kishte gjasa të arrihej nga asnjë nga konkurentët e kësaj gare.

Vendi i parë fakt i kryer. Por Melina, nxënëse e shkollës 9-vjeçare “Nënë Tereza”, u rendit e treta në vrapimin e 600 metrave duke përbërë një dyshe simpatike të Teutës së bashku me Naze Thomain. Me rezultate inkurajuese dhe nxitje për prezantime më të arrira në të ardhmen, u paraqit edhe Joana Hazisllari.

Kjo atlete e Teutës u vendos në vendin e dytë në vrapimin e 50 metrave dhe në kërcimin së gjati u “strehua” në pozicionin e vendit të tretë. Por ende vajzat dhe atletet e reja të Teutës nuk e kishin thënë të plotë fjalën e tyre. Do të vinte gara e stafetës 4×50 metra, që emri Teuta të meritonte vendin e parë. Kjo stafetë mbetet shumë emocionuese dhe mbresëlënëse.

Grintë dhe karakter gare, dëshirë dhe dinjitet për të mbrojtur në përmasa nderuese emrin e klubit Teuta. Katër atletet 13 vjeçare durrsake: Naze Thomai, Melina Kërtusha, Joana Hazisllari dhe Anxhela Krashi, nuk kishte “zot nane” t’i kapte. Dhe kështu merituan vendin e parë dhe titullin kampion.

Në përbërje të ekipit të femrave 13 vjeçare të Teutës janë edhe dy atletet Marsida Baze dhe Edlira Dishi që në disiplinat e tyre arritën rezultate premtuese. Me këto 6 atlete Teuta u rendit në vendin e dytë, duke besuar se në konkurimet e ardhshme do të prekë edhe titullin kampion.

Perspektiva

Ajo që meriton të nënvizohet është thjesht ky fakt: puna me moshat e vogla po jep frytet e veta. Ky kampionat kombëtar nuk i mat vlerat e tij vetëm me trofeun e nënkampiones së vendit, por më gjerë. Teuta kërkon të kapë traditën, e cila është tronditur. Me interesimin dhe mbështetjen e klubit shumësportesh Teuta dhe në bashkëpunim me shkollën e mesme sportive “Bernardina Qerraxhia”, prej disa vitesh janë ofruar një grup atletësh që janë në kërkim të rezultateve cilësore.

Në drejtim janë vendosur specialiste të tilla si Merushe Mema në kërcimet, Zamira Koçi në vrapimet, Emin Kosturi në hedhjet etj. Emrat e Adriatik Hoxhës, Marsida Dardhës, Arjan Sheshit, Bledian Dervishi, Pjetër Ndoi, Edjana Kapxhiu, Ledio Koçi etj. janë dukuritë më të mira të atletikës durrsake e cila kërkon me shumë sakrificë për të shtrirë hegjemoninë e saj.

“Arritja më e mirë,- thotë Zamira Koçi,- është grupi i atleteve të reja që prezantuam në Tiranë. Janë atlete cilësore, të cilat me vullnetin e tyre dhe profesionalizmin tonë, paraqesin mundësi reale për të tjera prezantime edhe më të goditura. Optimizmi jonë është i argumentuar dhe i ndërtuar mbi bazën e një punë sistematike dhe shumëvjeçare. Nisja është e mbarë. Pretendohet për vazhdim edhe më të suksesshëm, për ta vendosur Teutën si dikur në podin e nderit. Dhe kemi besim se do t’ia dalim.”