Deputeti i Durrësit, Gazmir Bizhga, ngre shqetësimin e tij për absurditetin e një takse të qarkullimit rrugor për anijet e peshkimit. Sipas tij qeveria me sa duket kërkon të shtrojë dhe detin me asfalt përderisa ka vendosur një taksë të tillë. Bizhga akuzon institucionet shtetërore për braktisjen që i kanë bërë sektorit të peshkimit, duke nxjerrë të papunë qindra peshkatarë dhe duke e çuar drejt shkatërrimit pjesën dërrmuese të peshkarexhave. Peshkatarët i janë rikthyer varkave me rrema, pasi në këtë mënyrë nuk harxhojnë para për naftë dhe garantojnë disi mbijetesën e familjeve të tyre. “Pronarëve të peshkatoreve që janë në det, iu duhet të paguajnë taksë për qarkullimin rrugor. Hajdutëri në mes të ditës. Këta o do shtrojnë edhe rrugët detare me asfalt ose janë të luajtur”,- thotë deputeti Bizhga.

Z. Bizhga, ju keni qenë tepër kritik në parlament për çështjen e sektorit të peshkimit në Durrës. Cilat kanë qenë arsyet e këtij reagimi?

Reagimi im ka qenë jo vetëm për problemet e sektorit të peshkimit në Durrës, por për të gjitha portet e Shqipërisë. Një nga sektorët jetikë për qytetet bregdetare po shkon drejt një falimentimi të sigurt. E ritheksoj, ajo që më shqetëson mua si qytetar dhe deputet i Durrësit, nuk janë broçkullat ligjore që shkruan qeveria, por falimentimi i një sektori jetik për dhjetëra familje në Durrës e në të gjithë Shqipërinë.

Është falimentimi i ngadalshëm dhe i pakthyeshëm i biznesit të peshkimit. Sot në Durrës, por edhe në Shëngjin, Vlorë, Sarandë e kudo gjetkë sektori i sipërmarrjes së peshkimit, po heq të zitë e ullirit për të mbijetuar. Asnjë ndihmë nuk kanë nga shteti prej shtatë vitesh. Qeveria vetëm i vjel taksat, duke ia rritur barrën fiskale vit pas viti dhe nuk ju kthen asgjë.

Kjo qeveri i vjel taksë për qarkullimin rrugor edhe peshkatoreve në det. Po është shumë e vërtetë. Pronarëve të peshkatoreve që janë në det, ju duhet të paguajnë taksë për qarkullimin rrugor. Hajdutëri në mes të ditës. Këta o do shtrojnë edhe rrugët detare me asfalt ose janë të luajtur.

Z. Bizhga, nuk besoj se kjo është e vërtetë. Ndoshta thjesht është një shaka politike?

Kjo që po them është e vërtetë sa drita e diellit. Mjafton t’ju jap një shembull. Një kompani e biznesit të peshkimit me qendër në Durrës, i drejtohet Ministrisë së Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave duke i shkruar ndër të tjera tekstualisht: “Që nga prilli 2009 ne marrim 10.000 litra naftë në muaj, për zhvillimin normal të punës sonë.

Problemi ynë është se me rritjen e çmimit të naftës, me taksat e karbonit dhe ato të qarkullimit jemi në prag të falimentimit. Jemi dakord që çmimi i naftës nuk varet nga ju, pasi ndikohet nga bursa dhe taksa e karbonit duhet pasi shkaktohet ndotje mjedisore, por cila është arsyeja që një barkë peshkimi duhet të paguajë taksë qarkullimi”.

Me këtë logjikë, nuk është çudi që një ditë kjo qeveri të taksojë edhe makinat me taksën e matrikulacionit detar.

Pse mendoni se sektori i peshkimit po shkon drejt falimentimit?

Sot që po flasim prodhimi i përgjithshëm i këtij sektori është sa 75% e prodhimit të fundviteve 80-të. Pjesa më e madhe e anijeve të peshkimit kanë moshë 25 deri 40 vjeçare, por nuk mungojnë edhe anijet mbi 60 vjeçare.

Mosha e lartë, gatishmëria e ulët teknike si dhe mangësi të infrastrukturës ndihmëse të riparimit të anijeve janë faktorë të rëndësishëm kufizues të zhvillimit të peshkimit. Kantieri detar në Durrës është në fazën e likuidimit dhe është kthyer në një vend depozitimi të skrapit. E gjithë teknologjia e tij po kthehet në skrap, si çdo gjë e vlefshme në këtë vend.

 

Ajo që më shqetëson mua si qytetar dhe deputet i Durrësit, nuk janë broçkullat ligjore që shkruan qeveria, por falimentimi i një sektori jetik për dhjetëra familje në Durrës e në të gjithë Shqipërinë. Është falimentimi i ngadalshëm dhe i pakthyeshëm i biznesit të peshkimit. Sot në Durrës, por edhe në Shëngjin, Vlorë, Sarandë e kudo gjetkë sektori i sipërmarrjes së peshkimit, po heq të zitë e ullirit për të mbijetuar. Asnjë ndihmë nuk kanë nga shteti prej shtatë vitesh. Qeveria vetëm i vjel taksat, duke ia rritur barrën fiskale vit pas viti dhe nuk ju kthen asgjë

Krijimi i lehtësirave për bizneset private për ndërtimin e shkallëve të riparimit të anijeve të peshkimit nuk është prioritet i kësaj qeverie.
Kostot e larta të karburantit, mungesa e infrastrukturës ankoruese dhe të shërbimit, një administratë e dobët menaxhuese, si dhe mungesa e vëmendjes shtetërore ndaj këtij sektori janë faktorët që e kanë lënë peshkimin të zhvillohet në mëshirë të fatit. 

Sot sektori i peshkimit është kthyer në barkat me rrema, për shkak të pamundësisë paguese të naftës, dhe tani peshkatarët janë në radhën e pafund të të papunëve të këtij vendi dhe në listat e borxhlinjve në dyqanet e ushqimeve të këtij vendi.

Para disa javësh isha dëshmitar i një dhimbjeje të madhe, në dy familje peshkatarësh në Ishëm. Dy të rinj humbën jetën duke peshkuar. Çfarë do të thoni ju? Duke peshkuar mbeturina në lumin e Ishmit. “Peshkonin” mbeturina, për të mbijetuar e jo për t’u pasuruar. Humbën jetën dy të rinj ende pa e filluar atë; Elvis Salia, 21 vjeç dhe Elson Senameti, 18 vjeç. Elvisi, që ishte djalë i vetëm, do të martohej këtë fund gushti me motrën e Elsonit, por nuk mundi që ta fillonte jetën.

As Elsoni nuk mundi të gëzonte dasmën e motrës së tij. Kjo është Shqipëria dixhitale e të rinjve shqiptare. Këtu është katandisur ekonomia bujqësore dhe e peshkimit në këtë vend. Këtu i kanë sjellë shqiptarët qeveritarët e këtij vendi. Djali i kryeministrit fiton 200 mijë euro në vit, të deklaruara nga vetë ai, kurse të rinjtë e mjerë e mbyllin jetën pa e gëzuar asnjë ditë atë.

Z Bizhga, gota nuk duhet parë vetëm bosh, pasi ka dhe lajme të mira. Porti i Peshkimit ka nisur të ndërtohet apo jo?

Nuk mendoj se ky është porti që i duhej Durrësit, pasi nuk plotëson kriteret për një port të standardeve bashkëkohore. Ky port do të jetë një port i sajuar në krah të murit të portit, në një kohë që qeveria qëllimisht anashkaloi bashkinë e Durrësit për të mos lejuar ndërtimin e tij sipas standardeve europiane, por për interesat e saj të ngushta.