Mimoza Mele (Laku), drejtoreshë e degës së Durrësit, në kompaninë e sigurimeve Sigal Uniqa Group Austria është pasqyra e një drejtueseje që mbetet e thjeshtë, me dinjitet e me vlera qytetare. Ndër të tjera ajo është mjaft altruiste e këtë gjë e dinë më së miri njerëzit e artit, pasi ka mbështetur shumë aktivitete kulturore, sociale e historike me përgjegjësi institucionale dhe vizion bashkëkohor. Të gjitha këto vlera të lartpërmendura, janë në harmoni me përkushtimin profesional, menaxhues dhe qytetar.
Si drejtuese prej shumë vitesh e degës së kompanisë Sigal në Durrës ju rëndon përgjegjësia që mbart ky post apo jeni krenare që drejtoni një degë të tillë?
Nëse i referohemi eksperiencës së parë, ajo ka qenë si e çdo studenti që fillon të vërë në praktikë njohuritë e marra në arsimin e lartë. Për mua ka qenë një fat që fillimet e para të punës sime i kam patur në Ndërmarrjen Ushqimore në Durrës, me një numër të madh punonjësish dhe gamë të gjërë produktesh. Eksperienca 6-vjeçare në këtë ndërmarrje më ka dhënë dëshirën për punë, aftësinë për të zgjidhur në kohë çështje të prodhimit, aftësinë e trajtimit të njëkohshëm të shumë problemeve, bashkëpunimin dhe koordimin e punës me shumë punonjës e kolegë. Të gjitha këto natyrisht më shtuan aftësinë e menaxhimit të situatave dhe aftësinë për të gjetur rrugën e suksesit. Në të gjithë larminë e punës së këtyre viteve, falenderoj të gjithë ata që më mbështetën dhe më dhanë guxim për të ecur përpara. Kjo e fundit është po kaq e rëndësishme për një fillim të mbarë. Një kthesë të rëndësishme në eksperiencën time të punës në përgjithësi, solli edhe ngritja ime profesionale. Në vitin 1992 shkova në SHBA për studime pasuniversitare në degën Menaxhim Biznesi, në Universitetin e Nebraskës. Më pas, në 1993 përfundova kursin pasuniversitar të Punës Sociale në Universitetin e Tiranës.
Janë dy gjëra shumë profesionale, që kur koordinohen së bashku, patjetër të japin mundësinë e zgjidhjes së saktë të situatave. Problemet e ndryshme nuk zgjidhen saktë vetëm matematikisht, por ato kanë të bëjnë me shumë njerëz dhe me shumë rrethana. Duhet njohur dhe shfrytëzuar situata dhe potenciali njerëzor, ndaj trajtimi psikologjik i tyre, e bën më të lehtë gjetjen e saktë të zgjidhjes së problemeve. Me këtë ritëm dhe dëshirën për punë, eksperiencat e mia kanë vazhduar në Zyrën e Punës në Durrës, drejtuese në Shkollën e Formimit Profesional, më pas në Fondacionin Soros në Tiranë për nëntë vite. Aty më pozicionuan si drejtuese e një prej programeve, konkretisht e Programit të Debatit, për të ardhur në vitin 2004 në fillimet e mia të punës në Kompaninë e Sigurimeve Sigal. E nëse e mendoj çdo fillim është i vështirë, por jo më si fillimi i parë. Kisha dëgjuar për Kompaninë e Sigurimeve Sigal, por në atë kohë e vetmja gjë që më lidhte me fushën e sigurimeve ishte ekzistenca e një siguracioni të detyrueshëm për automjetetin. Fillimi ishte me shumë dëshirë, me shumë besim se marrja përsipër e detyrës dhe puna e palodhur, të çojnë në sukses.
A ka qenë kusht i rëndësishëm përgjegjshmëria juaj dhe përvoja për të arritur objektivat?
Pa dyshim që po. Çdo punë, kur ajo realizohet me përgjegjshmëri dhe dëshirë çon në sukses. Aftësitë menaxhuese të një drejtuesi natyrisht kanë të bëjnë me anën profesionale, por shumë e rëndësishme në çdo moment është shkalla e përgjegjshmërisë në kryerjen e çdo pune. Unë jam përpjekur që t'i përputh të dy këto aspekte dhe e kam gjetur veten mirë në realizimin e detyrave dhe objektivave. Unë natyrisht punoj me një staf të përgatitur. Arritja e suksesit është vlerësimi dhe bashkërendimi i vlerave të secilit prej tyre. Ne jemi një ekip i gjerë, ku secili ndihet i rëndësishëm për punën që bën, i vlerësuar për çfarë bën për kompaninë, i rëndësishëm për çfarë bën për klientët dhe natyrisht edhe për atë që bën për veten e tij.
Si qytetare dhe njëkohësisht si drejtuese e Sigal-it në Durrës, a e ndjeni se në shoqërinë tonë ka filluar të kuptohet më mirë domosdoshmëria e përfshirjes në skemën e sigurimeve?
Natyrisht gjithçka po ndryshon edhe në fushën e sigurimeve. Shoqëria shqiptare ka trashëguar koncepte të vakëta përsa i takon sigurimeve. Por kjo nuk duhet të pengojë ecjen me ritme të shpejta në këtë fushë. Ka faktorë ekonomikë dhe socialë, që bëjnë që në Shqipëri niveli për frymë i shpenzimeve në sigurime është rreth 18 euro. Krahasuar me vendet fqinjë dhe aq më tepër me vendet e Europës diferenca është e madhe. Kjo shifër sot është këtu sepse vijmë nga një tjetër atmosferë zhvillimi për sigurimet, por në të njëjtën kohë është një tregues që le të kuptohet se janë të gjitha mundësitë për rritje të këtij niveli. Ne duhet ta ndjejmë veten gjithnjë e më tepër pjesë e skemës së sigurimeve, sepse e tillë është edhe siguria e jetës.
A e keni përballuar si duhet konkurencën që është bërë e fortë sot?
Siç e theksova edhe më lart shoqëria shqiptare çdo ditë e më shumë do të ndjejë nevojën e përfshirjes në skemat e sigurimit, këtë e ka ndjerë edhe biznesi në fushën përkatëse dhe i ka paraprirë me një numër të konsiderueshëm të kompanive të sigurimit në treg. Rritja e numrit të kompanive të sigurimit sjell me vete edhe rritjen e konkurencës. Dhe për t’ju përgjigjur pyetjes suaj, konkurencën e kemi përballuar mirë. Janë të gjithë faktorët që diku më shumë e diku më pak unë i kam përmendur që janë pika kyçe për ruajtjen dhe rritjen e shkallës së besueshmërisë. Rritja e besimit është një nga elementet që sot, më shumë se më parë, është e rëndësishme për përballimin e konkurencës.
Jeni vlerësuar si drejtuese me vizion në mbështetje të projekteve të artit e kulturës, pse kjo ndjeshmëri kaq e madhe?
Unë në pozicionin që kam, përfaqësoj vlerat dhe interesat e kompanisë ku punoj. Mbështetja për aktivitete të shumta artistike, kulturore e humane vjen si prezantim, së pari i interesave të kompanisë e më pas unë e bëj me shumë dëshirë, sepse gjithçka është për bashkëqytetarët e mi. Kjo vjen edhe për faktin se dega e Sigal-it në Durrës ka një mundësi duke patur në aktivitetin e saj, qendrën më të re, Klubin e Artit dhe të Kulturës. Në këtë qendër të madhe, të bukur e bashkëkohore ne u japim mundësi të gjithë artistëve të vijnë dhe të shfrytëzojnë falas ambjentet tona dhe të ndajnë me miq e dashamirës të artit vlerat e punimeve të tyre. Është një mundësi që ne duam t‘ua japim artistëve të rinj e të mirënjohur për të zhvilluar aktivitetet e tyre dhe në të njëjtën kohë për të kontribuar sadopak në jetën kulturore artistike të qytetit tonë.
Si është Moza si grua, si bashkëshorte dhe si nënë?
Unë jam si të gjitha nënat, me dashurinë e pakufishme për dy fëmijët e mi të mrekullueshëm, jam një bashkëshorte e devotshme, mundohem të ndaj si duhet dhe sa duhet pozicionin tim në familje kundrejt dashurisë dhe respektit reciprok. Familjen e kam të shtrenjtë dhe të shenjtë si të gjithë, ndaj nuk mund t‘u shtoj asgjë të veçantë detyrimeve që të gjithë ndjejnë për familjet e tyre. Si grua ndihem e përfshirë normalisht në jetën sociale, ekonomike. Nuk kam pasur tendencë ngritjen në karrierë, por e kam arritur atë duke ju përkushtuar me dëshirë e dashuri punës dhe aktivitetit te përditshëm. Jam ndjerë gjithmonë mirë në shoqërinë e kolegëve, bashkëpunëtorëve dhe të bashkëqytetarëve të mi. Ka qenë gjithmonë një detyrim për mua për t‘ia kthyer respektin me përkushtim në shërbim të tyre dhe të qytetit tim. Gjej rastin të falenderoj nënën time të mrekullueshme dhe familjen, pa ndihmën e të cilëve nuk do të kisha bërë kaq sa kam bërë për veten, shoqërinë dhe për të gjithë njerëzit që më njohin nga afër.
Ç'mendoni për fëmijët tuaj?
Fëmijët e mi rriten çdo ditë si pjesë e këtij qyteti dhe kanë të njëjtën dashuri si dhe unë për qytetin tonë. Janë nxënës shumë të mirë. Ne si prindër mundohemi tu krijojmë mundësinë të përgatiten si qytetarë të devotshëm për veten, familjen e shoqërinë dhe natyrisht edhe për qytetin tonë. Besoj se ato do të jenë të tillë
Cila është lutja që ju përdorni gjithmonë?
Unë dua jetë, që të kem mundësi të jem sa më shumë pranë fëmijëve të mi, për t‘u dhënë këshillat e duhura apo mbështetjen nëse do t`u duhet. Unë dua energji, për të punuar shumë, për të ndihmuar këdo që ka nevojë për mua, pak apo shumë. Natyrisht falenderoj fatin, por dhe Zotin që jetoj në Durrës. Kam kaq shumë miq, bashkëqytetarë, kaq shumë njerëz të mirë…