Rreth 3,1 milion shqiptarë kanë udhëtuar drejt Europës më pasaporta biometrike

Drejtori i Përgjithshëm i Departamentit të Kufirit, Pëllumb Nako thotë se fenomeni i azilkërkuesve po shkon drejt minimizimit

Në 15 dhjetor 2010 shqiptarët patën mundësinë të udhëtonin drejt vendeve të Europës pa pasur nevojë për viza. Pas shumë vitesh pritjeje më në fund u realizua lëvizja e lirë në vendet e BE-së. Megjithë frikën e fillimit, liberalizimi i vizave me vendet e zonës “Shengen”, në pjesën dërrmuese të saj u respektua nga qytetarët shqiptarë, si në rregullat e hyrjes në këto vende, ashtu edhe në afatet e qëndrimit të vendosura nga Brukseli zyrtar. Në harkun kohor të një viti, 15 dhjetor 2010-15 dhjetor 2011, në pikat kufitare të vendit tonë janë regjistruar rreth 3 milionë e 132 mijë shtetas që kanë dalë nga vendi dhe rreth 2 milionë e 656 mijë shtetas që kanë hyrë; një pjesë e tyre nuk janë kthyer, pasi janë brenda afatit 90 ditor të qëndrimit në vendet e zonës Shengen. Shifrat bëhen të ditura nga Drejtori i Përgjithshëm i Departamentit të Kufirit në Policinë e Shtetit, Pëllumb Nako, i cili nënvizon një fakt interesant. Rreth 423 mijë shtetas shqiptarë kanë udhëtuar për herë të drejtim të vendeve Shengen vetëm me pasaportë biometrike, pa pasur nevojë për dokumente të tjera shtesë e për më tepër pa qëndruar për javë të tëra në rradhë para ambasadave të vendeve europiane. “Fluksi i lëvizjeve në kufi ka qenë i njëtrajtshëm dhe lëvizja e lirë e shtetasve shqiptarë në zonën Shengen, në pjesën dërrmuese të saj është respektuar nga qytetarët, si në rregullat e hyrjes, ashtu edhe në ato të qëndrimit nga qytetarët shqiptarë”,- thotë Nako.

Me përjashtim të disa shtetasve të kthyer në kufi, në pjesën më të madhe për shkaqe të ardhura nga vetë qytetarët, ky proçes, sipas kreut të Kufirit po ecën normalisht. Gjatë një viti që shqiptarët udhëtuan drejt Europës pa viza autoritetet e Brukselit në përgjithësi kanë vlerësuar pozitivisht ecurinë e proçesit të liberalizimit të vizave për vendin tonë. I vetmi shqetësim i ngritur pak muaj më parë nga komisionerët europianë ishte fakti se muajt e fundit ishte vërejtur një fluks në rritje i shtetasve shqiptarë, kryesisht nga zonat veriore të vendit, që paraqesnin kërkesë për azil me motivin e përfshirjes në fenomenin e gjakmarrjes. Tendenca ishte më e theksuar gjatë muajve shtator-tetor, periudhë kur rreth 240 kërkesa të bëra kryesisht nga banorë të Shkodrës u paraqitën pranë autoriteteve belge. Fenomeni u bë shqetësues për Brukselin, pasi shtetasit shqiptarë kërkonin të përfitonin azil në mënyrë të paligjshme, duke paraqitur dokumenta të falsifikuara. Për t’i thënë stop një fenomeni të tillë, vendin tonë e vizitoi Freddy Roosemont, Drejtor i Përgjithshëm i Emigracionit dhe Azilit në Ministrinë e Brendshme belge, i cili ndërmori takime të shumta me autoritetet vendore dhe qytetarët, takime që kishin për qëllim të paralajmëronin shqiptarët se nëse fenomeni vazhdonte, Shqipëria mund të rrezikonte rikthimin e sistemit të vizave. I pyetur për këtë fenomen dhe për masat që kanë marrë autoritetet shqiptare për të parandaluar që në të ardhmen të përsëriten situata të ngjashme Nako thotë se çështja në fjalë njihej edhe më parë nga autoritetet belge. “Ky problem,- tha ai,- ka qenë i kahershëm.

Edhe përpara proçesit të liberalizimit të vizave numri i azilkërkuesve në disa vende ka qenë më i madh. Rritje të numrit të azilkërkuesve ka patur në Belgjikë, por ky numër në vetvete nuk përbën një shifër të konsiderueshme, por vetëm një rritje të menjëhershme vetëm në atë periudhë, por fenomeni tashmë po minimizohet”. Menjëherë pas shqetësimit të ngritur nga zoti Roosemont, prokuroria shqiptare nisi hetimet për të identifikuar dhe ndaluar të gjithë personat e përfshirë në falsifikimin e dokumenteve të lëshuara qoftë nga organet e pushtetit lokal apo shoqatat e pajtimit të gjaqeve. I pyetur nëse ka pasur raste kur shtetasit shqiptarë nuk janë lejuar të futen në vendet europiane edhe pse ishin të pajisur me pasaporta biometrike, Drejtori i Përgjithshëm i Departamentit të Kufirit bën të ditur se janë rreth 16 mijë shtetas që nuk janë lejuar të hyjnë në shtetet e Evropës, prej të cilëve rreth 11 mijë e 145 persona kanë espuls për zonën Shengen, pasi kanë hyrë më parë ilegalisht në këto vende ose kanë kryer atje vepra të ndryshme penale për të cilat u është ndaluar hyrja në vend për një periudhë të caktuar kohe. “Edhe pse ata e kanë ditur këtë fakt, nuk e kanë marrë në konsideratë, ç’ka ka sjellë edhe moslejimin e tyre për të hyrë në Evropë. Vetëm një pjesë e vogël e tyre, rreth 3.175 persona janë kthyer për mosplotësim të kushteve të hyrjes në “Shengen” apo për shkak se nuk kanë ditur të shpjegojnë qëllimin e vizitës së tyre në këto vende”,- thotë Nako.

Gjatë gjithë kësaj periudhe një vjeçare, kur shqiptarët më në fund arritën të kalonin kufirin vetëm me një pasaportë biometrike, autoritetet vendore e dinin mirë se duke përfituar nga lëvizja e lirë, shumë persona me precedentë penalë apo të kërkuar nga drejtësia do të tentonin të kalonin në një formë ose në një formë tjetër kufirin. Për këtë arsye thotë Nako masat e marra nga punonjësit e kufirit kanë qenë më të shumta. Sipas tij me rritjen e teknologjisë së kontrollit në pikat kufitare, është rritur numri i personave të ndaluar në kufi, të kërkuar më parë nga Interpoli. “Nuk mund të përjashtojmë se lëvizja e lirë rrit mundësinë e kalimit të kufirit nga persona të përfshirë në krime, ndonëse ky nuk ka qenë një fenomen shqetësues”,- deklaron Nako. “Edhe logjistika e instaluar në kufirin shqiptar i përgjigjet flukseve të lëvizjeve me të gjitha kapacitetet e këtu flas edhe për stinën e verës, kur përballemi me një numër disa herë më të lartë të shtetasve që lëviznin në të dy anët e kufirit”,- nënvizon ai. Duke folur për projektet që ky department ka në të ardhmen me vendet e rajonit e më gjerë për mirëmenaxhimin e kufirit, Nako tha se policia e pikave kufitare shpesh herë ka qenë protagoniste dhe iniciatore për lidhjen dhe integrimin e sistemeve të kufirit me vendet fqinje. “Me iniciativën tonë i është kërkuar Maqedonisë, Greqisë, Kosovës dhe Malit të Zi dhe është rënë dakort në parim për të pasur Qendra të Përbashkëta të Shkëmbimit të Informacionit, të rekomanduara këto nga Bashkimi Europian, për realizimin e të cilave ne kemi qenë të parët që kemi hedhur hapat për të propozuar modelet e bashkëveprimit mes vendeve të rajonit”,- tha Nako.

 

 

Në harkun kohor të një viti, 15 dhjetor 2010-15 dhjetor 2011, në pikat kufitare të vendit tonë janë regjistruar rreth 3 milionë e 132 mijë shtetas që kanë dalë nga vendi dhe rreth 2 milionë e 656 mijë shtetas që kanë hyrë; një pjesë e tyre nuk janë kthyer, pasi janë brenda afatit 90 ditor të qëndrimit në vendet e zonës Shengen.

 

Fluksi i lëvizjeve në kufi ka qenë i njëtrajtshëm dhe lëvizja e lirë e shtetasve shqiptarë në zonën Shengen, në pjesën dërrmuese të saj është respektuar nga qytetarët, si në rregullat e hyrjes, ashtu edhe në ato të qëndrimit nga qytetarët shqiptarë”,- thotë Drejtori i Përgjithshëm i Departamentit të Kufirit në Policinë e Shtetit, Pëllumb Nako

 

Janë rreth 16 mijë shtetas që nuk janë lejuar të hyjnë në shtetet e Evropës, prej të cilëve rreth 11 mijë e 145 persona kanë espuls për zonën Shengen, pasi kanë hyrë më parë ilegalisht në këto vende ose kanë kryer atje vepra të ndryshme penale për të cilat u është ndaluar hyrja në vend për një periudhë të caktuar kohe. Rreth 3.175 persona janë kthyer për mosplotësim të kushteve të hyrjes në “Shengen”.

 

Brukseli i shqetësuar nga kërkesat për azil

Drejtori për Imigracionin dhe Azilin në Ministrinë e Brendshme Belge, Freddy Rosemont, vizitoi Tiranën në muajin tetor për t’i shprehur autoriteteve vendore shqetësimin për rritjen e numrit të azilkërkuesve shqiptarë, fenomen që kishte nisur në muajin gusht dhe rastet sa vinin e shtoheshin. Zyrtari belg iu tha autoriteteve shqiptare gjatë vizitës së tij se, vetëm gjatë tetorit ishin regjistruar 240 kërkesa për azil, kryesisht për probleme gjakmarrjeje, por duke parë ritmet, në fund të muajit (tetor) pritshmëria e aplikuesve do të ishte rreth 400 persona. Të dhënat e paraqitura tregonin se 60 për qind e aplikuesve ishin nga Qarku i Tiranës dhe 20 për qind nga Qarku i Shkodrës dhe Kukësi. Brukseli i kërkoi zyrtarisht Tiranës marrjen e masave dhe ndërgjegjësimin e popullatës, pasi në të kundërt rrezikonin liberalizimin e vizave. Menjëherë pasi ka përcjellë zyrtarin belg, Policia e Shtetit deklaroi zyrtarisht se ka kallëzuar në prokurori dy drejtues vendorë, kreun e Bashkisë së Koplikut, Ramadan Likaj, dhe kryekomunarin e Postrribës, Faz Shabaj, të cilët mohuan të kenë dhënë dokumente false për gjakmarrje, ndërsa kanë konfirmuar vetëm shkresat e dhëna nga kryepleqtë e fshatrave ku banonin familjet që ishin në gjak.