Në restorante, lokale e pub kanë nisur tashmë përgatitjet dhe prenotimet për festat e fundvitit
Edhe pak ditë dhe festat e fundvitit do të trokasin në derë. Përveç gëzimit prej atmosferës festive, veçanërisht shumë e dukshme tek fëmijët, festat mbartin në vetvete edhe shumë shqetësime të vogla. Ku do t’i kalojmë ato? Të zgjedhim këtë restorant apo këtë tjetrin? Ta kalojmë më mirë në shtëpi për të shpenzuar më pak? Çfarë do të gatuajmë për natën e Vitit të Ri? Këto janë pak a shumë pyetjet për të cilat vrasim mendjen këto ditë. Festat nënkuptojnë gëzim, argëtim, dalje nga rutina e përditshme për të bërë diçka që t’a mbajmë mend. Po edhe argëtimi ka koston e vet, prandaj secili i bën hesapet sipas xhepit të tij. Ndërsa në vitet e regjimit komunist, darka tradicionale e Vitit të Ri organizohej gjithnjë në shtëpi, tashmë ka vite që shqiptarët (ata që nuk shkojnë jashtë shtetit për të festuar) mundohen të organizojnë diçka të bukur me familjarët, miqtë apo kolegët. Krishtlindjet do të festohen më shumë nga besimtarët e krishterë, po Viti i Ri vazhdon të mbetet festa më popullore në vendin tonë.
Festimi në shtëpi e më pas dalja pas orës dymbëdhjetë për tu argëtuar në ndonjë lokal apo pub me muzikë live është një nga zgjedhjet më të preferuara sidomos të brezit të ri. Lokalet e restorantet kanë ditë që janë zbukuruar me dekorin karakteristik të festave të fundvitit dhe në të njëjtën kohë kanë nisur të mendohen për menunë e festës, këngëtarët apo dj-t që do thërrasin për të argëtuar njerëzit. Për t’iu bërë një panoramë të asaj që do të serviret nga lokalet, pubet apo restorantet e Durrësit, në natën e ndërrimit të viteve, ne shkuam në shumë nga këta të fundit për të marrë infomacion të hollësishëm për atë që është menduar të organizohet ditën e festës. Një nga gjërat që u intereson më shumë njerëzve janë pikërisht çmimet, pra sa do të na kushtojnë festimet këtë vit, a do arrijmë apo jo t’i përballojmë me atë buxhet që kemi rezervuar për këtë natë. Ofertat janë nga më të shumëllojshmet prandaj kushdo mund të zgjedhë atë që i përshtatet më shumë.
Nëse do të zgjidhni t’a kaloni natën e ndërrimit të viteve në restorant, çmimet variojnë nga 10-20 mijë lekë të reja çifti, në varësi kjo të restorantit që do të përzgjidhni. Ndoshta shifër pak e kripur për familjet me pak të ardhura ose ato buxhetore, po gjithsesi Viti i Ri njëherë në vit festohet. Menuja që ofrohet është e shumëllojshme dhe e bollshme. Nuk do të mungojë në tryezë gjeli i detit, menyja kryesore e natës së ndërrimit të viteve. Plus kësaj do të jenë tingujt e muzikës live ata që do ta ndezin edhe më shumë atmosferën duke dhuruar një mbrëmje për t’u kujtuar gjatë. Prenotimet tashmë kanë filluar, prandaj nëse e keni ndarë mendjen të festoni jashtë nxitoni të bëni rezervimin tuaj. Po nëse xhepi nuk ua mban dhe keni zgjedhur të mblidheni me shoqërinë në ndonjë pub apo lokal pas orës dymbëdhjetë, çmimet këtu janë më të volitshme. Ofertat e lokaleve, diskotekave apo pubeve të Durrësit variojnë nga 2-3 mijë lekë të reja për person; gjithçka që do të pini është e përfshirë në çmim, prandaj duke qenë se përherë në raste festash njerëzit zakonisht e teprojnë me të pirë, mund të duket një shifër pak a shumë e arsyeshme. Nëse mendonit se para se të shkonit në pub apo disko do të kalonit njëherë nga sheshi për të parë se çfarë ka organizuar bashkia, mos u mundoni.
Duket se këtë vit qytetarët durrsakë do të bëjnë pa koncertin në shesh. Buxheti prej vetëm 300 mijë lekësh që është vënë në dispozicion nga pushteti vendor për festimet e Vitit të Ri nuk jep mundësi për të organizuar qoftë edhe një koncert minimal. Fishekzjarret pritet të ndriçojnë qiellin këtë natë, por dhe këto me sa duket do të hidhen vetëm nga qytetarët e thjeshtë. Urojmë vetëm që të mos hidhen kapsolla, të cilat me zhurmën shurdhuese që shkaktojnë përbëjnë problemin kryesor për këmbësorët në natën e ndërrimit të viteve. Si çdo vit tjetër shumë durrsakë do t’i drejtohen pubeve, karaokeve e lokaleve të kryeqytetit për të kaluar natën e ndërrimit të viteve. Në këtë rast shpenzimet shtohen edhe më shumë, pasi veç çmimit që është më i kripur sesa këtu në Durrës, duhet të llogaritni edhe shpenzimet e rrugës. Një problem më vete mund të jetë edhe trafiku në kryeqytet, po ky fakt është marrë parasysh nga të gjithë ju që do të ndërmerrni rrugën drejt metropolit.
Përveç atyre që kanë zgjedhur t’a kalojnë jashtë këtë natë do të ketë edhe nga ata që do të mjaftohen me një darkë familjare e një trokitje gotash në mesnatë, për të vijuar më pas me shikimin e programit festiv që ofrojnë televizionet shqiptare apo ato të huaja. Pavarësisht mënyrës së qetë apo të zhurmshme të festimit, me pak apo me shumë para, e rëndësishme për të gjithë është që t’i kalojnë këto festa pranë njerëzve që duan më shumë. Si Krishtlindjet ashtu dhe Viti i Ri janë festa që mbartin shumë dashuri në vetvete, pasi shërbejnë për t’i mbledhur njerëzit pranë njëri tjetrit, për të shkëmbyer urimet për më shumë dashuri, mbarësi e harmoni në shtëpinë e gjithkujt. Prandaj le të përpiqemi t’i kalojmë sa më bukur këto festa duke përcjellë tek njeri tjetrin urimin që viti 2012 të jetë më i mbarë për këdo nga ne, të shkrijë sjelljet e ngurta të politikës konfliktuale shqiptare, të afrojë edhe më shumë vendin tonë pranë familjes europiane e të bëjë të mundur kalimin me sa më pak pasoja negative të kësaj krize ekonomike, që duket se është ulur këmbëkryq në kontinentin e vjetër e ka vënë në diskutim ekuilibra të përcaktuar prej vitesh në shumë traktate e marrëveshje ndërkombëtare.