Festat e fundvitit duket se po shfrytëzohen nga agjensitë detare e ato ajrore për të rritur koston e udhëtimit
Gati dhjetë ditë para nisjes së pushimeve dimërore, të gjitha kompanitë detare kanë rritur çmimet e biletave, duke shfrytëzuar faktin se në këtë periudhë shumë shqiptarë udhëtojnë drejt vendeve europiane dhe anasjelltas shumë emigrantë kthehen në vendlindje. Nga një konstatim në terren të gjitha agjensitë detare që lidhin portin e Durrësit me atë të Barit, Ankonës e Triestes në Itali kanë rritur ndjeshëm çmimin e biletave. Megjithëse pranojnë se numri i prenotimeve është më i ulët se një vit më parë (shqiptarët ishin më të predispozuar të udhëtonin vjet, pasi sapo kishin përfituar nga liberalizimi i vizave), çmimet e biletave kanë pësuar rritje nga 10-20%, në varësi kjo të kompanive. E njëjta situatë paraqitet edhe në agjensitë ajrore, ku edhe këtu çmimi i një bilete avioni është dukshëm më i lartë se më parë.
Agjensitë justifikohen me faktin se në periudha fluksi çmimet përherë lëvizin, por ajo që të bën përshtypje është se lëvizin përherë në drejtim rritjeje e jo uljeje. Rritja e çmimit të biletave në periudha fluksi është një fenomen i njohur edhe në vendet europiane, pasi nëse nuk e ke prenotuar me kohë biletën mund të përballesh me një çmim shumë më të kripur sesa normalisht. Qytetarët shqiptarë jo rrallë herë kanë denoncuar këto veprime abuzive të kompanive, por ankesat duket se kanë rënë në vesh të shurdhët. Edhe pse nuk janë aspak dakort me çmimin e biletës që ndonjëherë dyfishohet, sidomos ditët e fundit para festave, ata janë të detyruar ta blejnë, pasi është e vetmja mundësi për të udhëtuar jashtë apo për t’u kthyer në vendlindje. Aktualisht një biletë e thjeshtë trageti në këmbë, pa kabinë, shkon nga 60 deri në 75 Euro për person, ndërsa në sezon fluksi shifra edhe mund të dyfishohet. Në kohë piku të lëvizjes, siç është fundi i vitit pothuajse të gjitha kompanitë ndryshojnë çmimet. Megjithëse në qytetin e Durrësit operojnë disa agjensi detare çmimet pak a shumë janë në të njëjtat nivele, pavarësisht se jo të gjithë tragetet i plotësojnë kushtet për të justifikuar të tilla çmime.