Drejtori i DAR Durrës, Filip Gjonçi, flet mbi përparësitë e arsimit parauniversitar

Shtimi i numrit të nxënësve që ndjekin arsimin e mesëm dhe rritja e rezultateve të provimeve të lirimit, përbëjnë sfidat e këtij viti shkollor

E vështirë ta gjesh të lirë drejtorin e DAR-së, Filip Gjonçin, për të bërë një intervistë apo bisedë pune, pasi ai çdo ditë është në lëvizje; vizita nëpër shkolla, takime me zyrtarë, veprimtari nëpër shkolla etj. Megjithatë koha u gjet dhe biseda rrodhi bukur si mes kolegësh të hershëm. Gjatë bashkëbisedimit, drejtori Gjonçi nënvizoi se prioritet për drejtorinë arsimore të Durrësit është dhe do të mbetet rritja e cilësisë së mësimdhënies, ndjekja e të gjitha hallkave të sistemit parauniversitar nga sa më shumë nxënës dhe shtimi i kontigjentit të të rinjve që ndjekin studimet në shkollat profesionale.

A u tejkaluan vështirësitë me të cilat u ndeshët në fillim të punës si drejtues i Drejtorisë Arsimore Rajonale të Durrësit?

Kam pak kohë që kam filluar detyrën e drejtorit dhe natyrisht, si çdo punë e re ka të veçantat dhe vështirësitë e veta. Është një përvojë e re, e cila vetvetiu kërkon pak kohë për t’u njohur e përshtatur. Fryma e bashkëpunimit me stafin, i cili ka një përvojë të gjatë, më ndihmon që ta kaloj shpejt këtë moment të fillimit e të njohjes. Mendoj se vështirësia në arsim ka një specifikë disi ndryshe, pasi jo vetëm që përfshin të gjitha hallkat e arsimit parauniversitar, që nga kopshti e deri te matura në shkollat e mesme, por ka edhe shtrirje të gjërë në të gjithë qarkun. Veç kësaj shtoj se në arsim, si askund tjetër, ndërthuren e kanë shumë peshë edhe shumë faktorë e aktorë të tjerë jashtë shkollës. Pa i zënë me rradhë, po përmend vetëm dy, pushteti vendor dhe komuniteti i prindërve, të cilët, realisht, për të qënë të suksesshëm nuk mund të anashkalohen.  Si drejtor më duhet të njoh çdo shkollë brenda një kohe të shkurtër. Nuk është fjala vetëm për t’i shkelur e parë, por edhe për t’u takuar e njohur me kolektivat, njëkohësisht për t’u njohur më nga afër me arritjet, shqetësimet dhe problemet të cilat kërkojnë zgjidhje dhe ndihmën e drejtorisë arsimore. Nga ajo ç’kam parë, them se nëpër fshatra gjendja fizike e shkollave është shumë e mirë. Gati të gjitha shkollat janë të reja ose të rikonstruktuara, problemet i kemi këtu në qytet, në Durrës, ku kërkohet bashkëpunim, planifikim dhe ndërhyrje e pushtetit vendor.

Si i vlerësoni marrëdhëniet me drejtuesit e shkollave?

Edhe pa më bërë këtë pyetje unë do të desha ta thoja me pak fjalë e të theksoja se fryma e bashkëpunimit me drejtorët e shkollave, është një ndër përparësitë e punës sime. Unë i konsideroj drejtorët si partnerët më të afërt. I respektoj dhe i vlerësoj për punën e madhe që bëjnë në drejtimin e shkollave, pasi ata përballen çdo ditë me lloj-lloj hallesh e telashesh, që nga më ordineret e deri te cilësia e mësimit dhe edukimit të nxënësve. Këtu nuk është fjalë se nuk kërkohet llogari, po në bindjen time mendoj se suksesi arrihet më lehtë dhe është më i garantuar, kur me vartësit krijohen marrëdhënie serioze pune, marrëdhënie bashkëpunimi, respekti dhe besimi të ndërsjelltë.

Cilat janë disa nga prioritetet që DAR ka vendosur për të arritur gjatë vitit mësimor 2011 – 2012?

Është një pyetje që kërkon përgjigje të gjatë, sepse janë disa, prandaj po mundohem t’i përmbledh sa më shkurt në disa pika. Së pari: Në arsimin parashkollor është arritur që 71 % e fëmijëve që fillojnë klasën e parë vijnë nga kopshtet. Nga statistika kuptohet që një numër i ndjeshëm i tyre nuk frekuentojnë kopshtet, kur dihet se interesi ynë, i fëmijëve dhe i prindërve është të arrijmë përqindjen maksimale. Përpjekjet janë të mëdha dhe problemi është në përmirësim të vazhdueshëm, pasi vetëm këtë vit janë hapur 10 grupe parapërgatitore nga 11 të parashikuar. Së dyti: Në arsimin 9-vjeçar në shkollat e qarkut tonë, përparësi ka marrë rezultati i provimeve të lirimit, pasi qershorin e vitit që kaloi numri i nxënësve që mbetën ishte i konsiderueshëm. Po marrim vetëm provimin e matematikës ku kemi 675 nxënës mbetës ose 16.8 %  të pjesëmarrësve.

Është një rezultat që nuk na kënaq, që duhet ta lexojmë dhe po e lexojmë me shumë kujdes të gjithë, si ne të DAR-së, ashtu edhe drejtorët e mësuesit e të gjitha shkollave, në veçanti mësuesit e matematikës. Rezultati është objekt i analizave nga ku po dalin edhe detyrat për secilin. Kjo formë provimi ka një të mirë të madhe, pasi të jep në dorë frutin e punës që është bërë. S’të mban me hatër, e si të thuash, secili merr hakun që i takon. Rezultati është vlerësim dhe notë jo vetëm për nxënësin, por edhe për mësuesin, drejtorin, shkollën e në vazhdim edhe për hallkat drejtuese të arsimit. Na mbetet shumë për të bërë. Së treti: Në arsimin e mesëm ku vazhdojnë studimet rreth 13.100 nxënës. Këtu sfidat kryesore janë dy: E para, çdo nxënës që mbaron arsimin 9-vjeçar duhet të vazhdojë arsimin e mesëm. Është një ndër sfidat e arsimit. Rezulatet nuk janë keq, për fjalorin tipik të mësuesëve, pasi 93 % e nxënësve që mbaruar provimet e lirimit janë regjistruar e vazhdojnë  shkollat e mesme. Po detyra është 100 % ! Mendoj se, krahas rritjes së numrit të nxënësve të përfshirë në arsimin e mesëm, detyrë parësore mbetet cilësia e mësimdhënies dhe të nxënit. Nuk po them diçka të re, se për cilësinë është folur mot e jetë, po kemi përgjegjësi të madhe, pasi në fund të tre viteve shkollë të mesme, nxënësi do të ballafaqohet me provimet e maturës. Rezultatet e pritura, as që mund të mendohet se  arrihen në një vit, duhen tre vjet punë sistematike, por që provohen në një ditë, bile duhet thënë në disa orë.

Në përfundim, nxënësve tanë me pikët e arritura u hapen ose u mbyllen dyert e degëve dhe universiteteve të preferuar. E dyta, rritja e numrit të nxënësve në arsimin profesional. Është një detyrë e rëndësishme, të cilën ne po përpiqemi ta realizojmë. Interesi i nxënësve dhe prindërve të tyre po vjen në rritje, pasi Durrësi ka kërkesa dhe potencial të madh punësimi, duke qënë port dhe qytet turistik. Ne nga ana jonë, një kujdes të veçantë po u kushtojmë shkollave profesionale, po përmend vetëm dy prej tyre; krahas suksesit dhe emrit të mirë që ka shkolla mekanike “Beqir Çela” në Shkozet, po punohet që të rritet kapaciteti fizik i shkollës profesionale “Hysen Çela”, ku përfshihen mes të tjerave edhe degët hoteleri – turizëm. Është menduar se duke përmirësuar kapacitetet, hapësirat dhe kushtet e të nxënit do të rritet edhe mundësia e tërheqjes së një numri më të madh nxënësish. I gjithë arsimi i mesëm është sfidë, që ditën që fillon e më shumë, kur mbaron me provimet e maturës shtetërore. E theksoj këtë të fundit, pasi ka shumë vend për përmirësim, sidomos në përzgjedhjen e administratorëve dhe përgjegjësisë që ata marrin mbi vete. Është një proçes ku duhet të funksionojnë një sërë hallkash për të mos pasur shkelje, po mes tyre është edhe maturanti vetë. Edhe ai ka nevojë dhe interes të ndërgjegjësohet për rëndësinë dhe vlerën e provimit, pasi është një garë e fortë dhe duhet të fitojë më i miri, ndaj po u cënuan rregullat, vetvetiu cënohet dhe dëmtohet interesi i nxënësit të mirë e cilësor.

Pak ditë më parë morët pjesë në ceremoninë e fillimit të kampionatit të futbollit për shkollat e mesme dhe përshëndetët skuadrat duke uruar, se veprimtari të tilla do të ketë më shumë, për ta gjallëruar jetën shkollore dhe jetën sportive të qytetit tonë. Në këtë kuadër pyetja është: Ç’vend zënë veprimtaritë artistike dhe sportive mes shkollave dhe cili është kontributi i DAR në këtë drejtim?

Vërtet ne i mëshojmë fort cilësisë dhe nga një herë bëjmë sikur harrojmë vlerat edukative që kanë veprimtaritë letrare, artistike, shkencore, shoqërore dhe sportive. Mendimin po e përmbledh me dy fjalë: Çdo veprimtari ka “parathënien” dhe “pasthënien”, me fjalë të tjera, nxënësit së bashku me mësuesit përfshihen në veprimtari, mundohen të jenë vetvetja, të shprehin dëshirat dhe aftësitë e tyre, pse jo edhe të konsumojnë energji. Ndërsa jehona e veprimtarive vazhdon edhe pas mbarimit të tyre, diskutimet, gëzimi i fitores dhe qejfmbetja e humbjes janë pjesë e bisedave. Vetvetiu ngacmohet sedra për t’ia kaluar të tjerëve, për t’u bërë më të mirë. Është gjë e bukur dhe e dobishme të vesh në lëvizje energjitë fizike dhe krijuese të të rinjve. Kështu shkollarët e rinj harxhojnë “Kohën e tepërt” për diçka të bukur, një mundësi më shumë për t’i larguar nga veset dhe streset e kohës. 

Pak më parë theksuat se, një ndër partnerët më të rëndësishëm është pushteti vendor. Ç’marrëdhënie ka DAR me pushtetin vendor?

Kemi marrëdhënie të mira.

Pse të mira dhe jo shumë të mira?

Në tavolinë në takime të ndryshme muhabetet janë goxha premtuese, po përfundimi shikohet kur ka vendime e veprime konkrete në zbatim të projekteve që i shërbejnë arsimit. Atëherë do të themi “kemi marrëdhënie shumë të mira”. Nuk është e lehtë që ideja “Arsimi na përket të gjithëve” e shprehur edhe në konferencën rajonale të arsimit në Durrës të mund të bëhet pronë e të gjithëve.

Në fjalën e ministrit në konferencën rajonale të arsimit u shpalos si përparësi, programi i punës lidhur me festimet për 100 vjetorin e pavarësisë. Si po të veprohet në shkollat e Durrësit?

Të gjitha shkollat kanë hartuar program gjithëvjetor veprimtarish. Është ngjarja më e rëndësishme e historisë sonë kombëtare, ndaj ndjeshmëria dhe përgjegjësia është më e madhe, sidomos në cilësinë e realizimit të tyre. Festimet kanë vlera të shumëfishta. Nxënësit njohin më mirë historinë tonë, edukohen me ndjenjën kombëtare, rrisin dhe forcojnë dashurinë për atdheun, për kombin. Njëkohësisht shtojnë nderimin për të gjithë mendimtarët dhe luftëtarët që punuan dhe luftuan, që shkrinë jetë e pasuri, për mëvetësi, për Shqipërinë.

Para pak ditësh ju dhe i gjithë stafi i DAR-së bëtë një vizitë në Kosovë, me ç’përshtypje u kthyet dhe si mund të bashkëpunohet?

Vizitat e ndërsjellta janë të dobishme. Kemi ç’të mësojmë nga njëri – tjetri.

Z.Gjonçi, një pyetje të fundit. Si i vlerësoni investimet e realizuara deri tani në sistemin arsimor?

Për arsimin në qarkun e Durrësit janë bërë dhe po bëhen shumë investime nga shteti, pse jo edhe nga komuniteti, duke krijuar kushte më të mira mësimi për nxënësit. Tani që po i vizitoj të gjitha shkollat, kuptoj se sa shumë është harxhuar dhe me të drejtë. Nuk është fjala vetëm për shkollat si ndërtesa, por edhe për pajisjet didaktike dhe laboratorike, të cilat janë krejtësisht të kohës. Nuk po hyj te të tjerat, po përmend vetëm kabinetet e informatikës dhe interneti në çdo shkollë. Kështu që, problemi tani qëndron te ne, si duhet të  përballemi e të justifikohemi nga ana jonë. E vetmja përgjigje është: Të rrisim cilësinë. Kjo është dhe mbetet sfida jonë më e madhe.