Brenda një  intervali kohor fare të shkurtër, tre vende të Eurozonës, Greqia, Italia dhe Spanja ndyshuan  kabinetet qeverisëse. Me përjashtim të Spanjës, dy të tjerat këmbyen politikanë të regjur me teknokratë politikisht të pastërvitur. Arsyet e rrokadave janë po ato: bilanci publik jashtë normave, sulmet e tregjeve financiare dhe presioni i Institucioneve ndërkombëtare. Ndoshta timonierëve të këtyre shteteve, nuk do u duhet të bëjnë shumë politikë në muajt në vijim, ndoshta do u duhet vetëm të ndjekin me përpikmëri urdhërat-guidë (të aksit Berlin-Paris) për të shpëtuar barkën që tashmë duket se po “fut ujë“ nga të gjitha anët. Po ku mbështetemi për ta cilësuar situatën kaq kritike dhe për të arritur në përfundimin se takimi i Komisionit Europian i 9 Dhjetorit është shpresa e fundit për shpëtimin e eurozonës?

Le t’i marrim me rradhë:

Dështimi i Bundeve Gjermane dhe rekordet negative të titujve të Eurozonës. Cfarë ndodhi me bundet gjermane? Më datë 23 Nëntor, Ministria gjermane e Financave kërkoi të kolokonte në treg titujt e saj (Bund) dhe për të parën herë në historinë e saj të pasluftës, kërkesa nuk arriti të kënaqte ofertën. Mbetën rreth 2.16 miliard tituj të pashitur, rreth 35%  e totalit. U desh ndërhyrja urgjente e Bundesbank për të evituar dështimin historik dhe për ti shpëtuar etheve të tregjeve financiare. Për kronikë, po vëmë në dukje se rendimenti i titujve preku nivelin prej 2.2% nga 1.98% i planifikuar. Dështimi i Bundeve tregon padyshim që në tregjet financiare mbizotëron pasiguria edhe për të “parët e klasës”.


Ndërkohë, ditët e fundit “elita”  e eurozonës  ka regjistruar rekorde të reja  negative të rendimenteve të titujve të borxhit: Italia  8% (nga 1.6% në Qershor), Franca 3.6%, Gjermania 2.2%. Nuk po bëhet fjalë për  Greqinë, klinikisht e dështuar (160% raporti borxh/PBB, 300 % rendimenti  Titujt me skadencë 6-Mujore), apo Portugalinë me shifra zyrtarisht të pashpresa, por për zemrën e Eurozonës. Rritja e Normave të Interesit, nga njëra anë  tregon rrezikun e perceptuar nga tregu për kthimin e investimit, nga ana tjetër rrit kostot e vendeve të Eurozonës duke përkeqësuar akoma më shumë situatën e rëndë financiare në të cilën ndodhen.


Deklasimet zinxhir  të vendeve të Eurozonës nga Kompanitë e Vlerësimit:  Kompanitë e vlerësimit Standart&Poor, Modys, D&T etj, pavarësisht rezervave dhe pikëpyetjeve të ngritura nga shumë personalitete të fushës ekonomike, sidomos pas dështimeve të viteve të fundit të kompanive të vlerësuar me A të trefishtë nga ana e tyre (Lehman Brothers, Enron, etj),  mbetën qendra e gravitetit dhe pikë referimi për operatorët e sistemit financiar veçanërisht përsa i takon vlerësimit të “shëndetit”  të subjekteve, qofshin shoqëri private apo shtete. Vetëm gjatë 10 ditëve të fundit, këto kompani, deklasuan në mënyrë të paprecedent një mori shtetesh. Portugalia dhe Hungaria tashmë klasifikohen si “plehra” (financa nuk njeh gjysëm-terma). Belgjika humbi A-në e saj të trefishtë duke u reduktuar në “AA”. Pas kalimit të kufirit të 3% (3.36% ekzaktësisht) të rendimentit të titujve francez, pritet që edhe Parisi të hollohet në “AA”. Një sekuencë e tillë e reduktimeve të vlerësimit për Shtete të nivelit të lartë, në kohë paqeje të paktën, akoma nuk e kishim parë.


Alarmi i Institucioneve të Kontrollit Financiar në USA, Britani, Bankave kryesore  në nivel global dhe i Mediave të specializuara:Financial Service Authority, agjensia shtetërore që rregullon aktivitetin financiar në Britaninë e Madhe ka porositur Bankat në vend “të bëjnë përgatitjet e nevojshme  për një skenar të mundshëm të  “zhdukjes së Euros”.  Andrew Bailey thekson se bëhet fjalë për përgatitje teorike, por ajo që nuk guxohej të thuhej u tha. Institucionet e Kontrollit në Usa këshillojnë Bankat , ndër të cilat edhe City Group , të ulin ekspozimin ndaj Euros. Royal Bank Of Scotland, ka bërë gati planin e emergjencës në rast shpërbërje bëjnë të ditur mediat e huaja. Merrill Lynch, Barclays Capital dhe Nomura gjatë javës që shkoi  kanë publikuar dhjetëra raporte,  në të cilat shqyrtojnë shpërbërjen e euros dhe masat e nevojshme që duhen marrë për të përballuar një skenar të tillë. The Economist bën të ditur se gjigandi gjerman i turizmit TUI , i ka dërguar një letër rrjetit të hoteleve të saj në Greqi ku i kërkon rinegocimin e kontratave në Dhrami.


Rënia e ekonomisë reale: Indeksi i Industrisë për eurozonën shënoi një ulje prej – 6.4% (Italia -9.2%) krahasuar me një muaj më parë. E thënë ndryshe për periudhat në vazhdim në Eurozonë do të kemi rritje të papunësisë që sjell më pak të ardhura për familjet, që përkthehet më pak konsum, pra më pak të ardhura për biznesin, i cili shumë shpejt do të tkurrë investimet që do të sjellin nivel më të ulët punësimi. Pra thellim i mëtejshëm i krizës së cilës nuk po i gjendet dot fundi.

Ato që përmendëm janë fakte të 10 ditëve të fundit. Pa dashur të mbajmë ison e atyre që profetizojnë “Fundin e Botës” situata për eurozonën duket me të vërtetë delikate. Kriza e besimit që ka kapluar tregjet financiare sa vjen dhe rritet , gjendja financiare e shumë vendeve të eurozonës po përkeqësohet dita–ditës nga rritja e kostove të borxhit dhë recensioni ekonomik. Në rast se Institucionet e Bashkimit Europian nuk do ndërhyjnë menjëherë për të qetësuar ethet e tregjeve financiare, shpërbërja e zonës euro nuk duket aq e pamundur. 

Për këtë arsye takimi i 9 Dhjetorit merr një domethënie të veçantë për fatet e eurozonës. Ose vendoset për të ndërhyrë bindshëm dhe me tempestivitet ose Roma do të ndjekë Athinën dhe ashtu siç i dhanë jetë Europës që njohim sot, ashtu edhe mundet të bëhen nismëtarët fatkeq për fillimin e fundit.