Disa ditë më parë, në Tiranë, kam marrë pjesë në konferencën ndërkombëtare të radhës në të cilën u ngrit problemi i mbrojtjes së monumenteve dhe të trashëgimisë arkitektonike të të shkuarës në Shqipëri. Më ka bërë përshtypje ndërhyrja e një historiane e artit shqiptar, e cila ka bërtitur: “Por a nuk e kuptoni se këtu ka një problem të antropologjisë kulturore? Nuk e kuptoni se këtu nuk ka aftësi gjykimi estetik sepse njerëzit nuk e mësojnë as në familje as në shkollë?”. Me pak fjalë, u arrit në përfundim se pallatet shumëkatësh dhe qendrat tregtare përfaqësojnë idealin estetik të shqiptarëve, ashtu si qyteteti-model i tyre mbetet Dubai. “Është një problem i antropologjisë kulturore”. Nga ana ime jam dakort plotësisht me këtë tezë, që mendoj se është e përshtatshme edhe për marrëdhënien e vështirë midis shqiptarëve dhe konceptit të “gjelbërimit publik”, në kuptimin qoftë si gjelbërim urban qoftë si natyrë në përgjithësi.
Spektakli i ofruar nga autostrada Durrës-Tiranë përkeqësohet nga dita në ditë: si të mos mjaftonin kapanonet dhe qendrat tregtare – emblema të “periferisë” për antonomazi – edhe natyra përqark shfaqet gjithmonë e më e degraduar, me kodrat e zhveshura dhe të erozuara, fushat e papunuara dhe, në sfond, malet e Krujës të shkatërruara nga guroret. Në këtë muaj të dhjetorit që, në epokën e komunizmit, i kushtohej pyllëzimit të Shqipërisë, fatkeqësisht duhet rikujtuar se pjesa më e madhe e sipërfaqes së vendit është e pushtuar – përveç se nga çimento – vetëm nga kullota të thata dhe njolla shkurresh. Megjithatë, sot heshtet përballë degradimit dhe erozionit të territorit, përballë prerjes pa vend të pemëve për të bërë dru zjarri, përballë shfytyrimit të peisazhit. Dhe meqë peisazhi është “gjelbërimi publik” kryesor, nuk ka pse të habitemi nëse askush nuk skandalizohet për masakrën e “gjelbërimit urban”, ku në qytete priten pisha dhe pemë të tjera shekullore (me arsyen se janë “të vjetra”) apo kur, rastësisht, një parazit godet pikërisht palmat që bezdisin pamjen e një lokali apo fotografimin e një monumenti…
Gjelbërimi publik dhe gjelbërimi privat: një çështje antropologjike
Megjithatë, nuk mund të thuhet se shqiptarët janë një popull që nuk e duan gjelbërimin dhe bimët. Oborret e shtëpive private janë shumë të mirëmbajtur dhe plot me lule, dhe deri edhe në pallate ka zonja që këmbëngulin të mbushin shkallët me vazo lulesh, edhe pse ato mund të bëjnë pis dhe tërheqin insektet. Për më tepër, të gjithë mund të shohim lulishtet shumëngjyrëshe që zbukurojnë hotelet, restorantet dhe qendrat tregtare. Me pak fjalë, vërehet një kontrast i fortë ndërmjet indiferencës për gjelbërimin publik dhe pasionit për gjelbërimin privat, një fakt që ka rrënjë të padiskutueshme antropologjike.
Sigurisht, në dashurinë dhe kujdesin për gjelbërimin privat që shihet tek shqiptarët ka ndikuar thellësisht tradita islamike, por sidomos ajo bektashiane. Si fe e lindur në shkretëtirën arabike, Islami është antropologjikisht i mësuar me idenë e një natyre të zhveshur dhe të ashpër, por në kontrast me bimësinë e harlisur të oazeve të vogla e të izoluara. Kontrasti shkretëtirë-oaz, makrokozmos armiqësor kundër mikrokozmos miqësor, ka qenë eksportuar nga Islami në të gjitha zonat e varura prej influencës fetare dhe kulturore të tij. Duhet theksuar se popujt që përqafuan fenë islamike si pasojë e ekspansionit arab jetonin në Lindjen e Mesme, në Azinë qendrore dhe në Afrikën veriore, pra rajone shkretinore ose malore e populluara nga fise barinjsh, ku është krijuar një situatë pa zgjidhje: natyra e thatë lejon mbijetesën vetëm me blegtori, por blegtoria kontribuon në përkeqësimin e shkretimit, sepse tufat ndukin gjithë bimësinë, duke zhveshur kodra të tëra, rajone të tëra.
Kur këta popuj barinjsh lanë nomadizmin dhe qëndruan në qytet, patën dy arsye shumë të mira për të krijuar oborre përreth shtëpive të tyre. Nga njëra anë ishte si të ndërtoheshin “oaze private” të vogla në kontrast me kaosin e qytetit dhe me natyrën e ashpër të maleve apo shkretëtirave rreth e qark. Nga ana tjetër do të thonte të realizohej një ambient në qiell të hapur, por xhelozisht i mbrojtur, për femrat e familjes që, sipas Islamit, duhet të rrinin të mbyllura në shtëpi: oborri ishte e vetmja hapësirë ku femrat mund të dilnin dhe, për t'i mbrojtur nga çdo shikim i huaj, mbilleshin pemë të gjata ose ndërtoheshin pjergulla që maksimizonin privacy të këtyre ambienteve.
E njëjta filozofi jete frymëzonte realizimin e oborreve të shkëlqyera që zbukuronin teqet e bektashinjve, të përshkruara nga të gjithë udhëtarët e të shkuarës si “kopshte të parajsës”. Edhe në këtë rast, lulishtet e gjelbërta dhe ngazëllimi i luleve për të cilat bektashinjtë kujdeseshin me dashuri pa fund, përfaqësonin kontrastin midis hapësirës publike dhe hapësirës private, midis kodrave të zhveshura të shkatërruara nga kopetë e barinjve dhe oazit të paqes dhe civilizimit i krijuar nga njerëz me besim. Kundër një natyre të egër, e populluar nga njerëz të egër, teqja qëndronte si një ishull i qytetërimit, i strehimit dhe i shpresës për një njerëzim më të mirë. Jo më kot, lulet zënë një rol themelor në vetë festën e Sulltan Novruzit, ku tradita bektashiane parashikon se shtëpitë duhen zbukuruar me zymbyla dhe tulipanë. Dhe jo më kot kam vënë re se familjet më të dedikuara për kujdesin e “gjelbërimit privat” të tyre kanë origjinë bektashiane ose janë ortodoksë që kanë patur për shekuj influencën e bektashinjve.
“Është një çështje e antropologjisë kulturore” dhe duhet justifikuar, por jo të gjithë të huajt dhe sidomos turistët kanë instrumentet mendore për të kuptuar këtë koncept të “oazit përballë shkretëtirës përqark”. Fatkeqësisht, është gjelbërimi publik ai që i intereson turistëve, dhe jo gjelbërimi privat i shtëpive apo hoteleve. Shija estetike perëndimore kërkon harmoni totale të ndërtesave dhe peisazheve, dhe askush nuk çmon një hotel-oaz apo një restorant-oaz nëse natyra përqark është e trishtë dhe e degraduar.