Ndeshjet u luajtën për tri ditë me radhë. 70 lojtarë të vegjël nga 15 qytete në sfidë për titujt kampionë. Të pranishëm edhe mjeshtrit e njohur të shahut Fatos Muça dhe Erald Dervishi.
Një tjetër veprimtari gjallëroi javën që sapo u mbyll në sportin e mendjes, siç quhet shahu. Protagonistë u bë sërish Qendra Kulturore e Fëmijëve të Durrësit, e cila rroku njëherazi bashkëpunimin me Federatën Shqiptare të Shahut dhe shkollën jo publike Turgut Ozal.
Përgjegjësi i sektorit të sporteve Arian Plaku, tregon se ideja e një ndërmarrjeje të tillë u vendos sapo përfundoi kampionati lokal i shahut organizuar në muajin shkurt të këtij viti. “Kontaktuam, shpjegon fillimisht Plaku me homologët tanë në qarqet e Tiranës, Sarandës, Krujës, Laçit, Shkodrës, Delvinës, Tepelenës, Shijakut, Kavajës, Lushnjës, Beratit dhe Gramshit. Menduam që aktivitetin ta shtrinim edhe në Kosovë, ku konfirmuan pjesëmarrjen Deçani dhe Gjakova. Së bashku me Durrësin, u krijuan përfaqësimet në 15 qytete.
Gjatë tri ditëve të zhvillimit të kampionatit (27-29 mars 2012), 70 shahistët vajza dhe djem u ndeshën me sistem eliminimi, për të përcaktuar fituesit sipas grup moshave. Mund t’ju pohoj se kampionati i parë mbarëkombëtar i shahut për moshat, u zhvillua me sukses të plotë duke shpresuar që arritje të tilla të bëhen edhe më të efektshme në vitet e ardhshme”.
Fituesit
70 pjesëmarrësit në gara, u ndanë në tri kategori konkurrence: klasat 4-5-të, 6-7-të dhe 8-9-të. Në moshën e parë (10-11 vjeçare), u ndje dominimi i shahistëve durrsakë. Për vajza shahistja sarandiote Fiona Koçi, la pas dy konkurrentet më sfiduese Jera Balla dhe Enxhi Kadiu. Ndërsa për djem Zino Veleshnja i Beratit, u tregua më i aftë nga ndjekësit e tij më të afërt Marinel Vasili i Tiranës dhe Lorik Ramosaj i Deçanit – Kosovë.
Për kategorinë e dytë për vajza Suzana Kërçiku e Tiranës, nuk u kap në vështirësi nga rivalet e saj më të afërta Greta Jaku nga Durrësi dhe Klea Balla Berat. Për djem ndryshoi puna. Falë punës sistematike dhe talentit të spikatur, djemtë e Tiranës Kevi Spaho, Ted Shpati dhe Harallamb Qelepiri i neutralizuan përpjekjet rivalizuese të shahistëve të tjerë. Sa i takon kategorisë së tretë, që është mosha më e rritur e ciklit 9-të vjeçar, shahistet e reja Olta Caka e Tiranës, Elda Nika e Sarandës dhe Dajana Odri e Shkodrës luajtën me krijimtari dhe fantazi, duke u veçuar nga konkurrentet e tjera.
Ndërsa për djemtë 14-15-vjeçarë, shkodranët treguan se po përparojnë në fushën e shahut. Erdis Hallulli i vendit të parë dhe Gerald Marku i vendosur në vendin e tretë, “respektuan” performancën e kosovarit nga Deçani Endrit Zenuni që vulosi pozicionin e dytë të renditjes.
Pas aktivitetit
Në çdo risi mangësitë janë të justifikueshme, por në këtë mbarëkombëtar të shahut dukuritë pozitive mbeten shumë më të ndjeshme. “Nuk ishte e lehtë për ne, shpjegon Arian Plaku, që t’i bashkonim konkurrentët në dyluftimet tri ditore që zhvilluan ndërmjet tyre. Por në mbarim të kampionatit, emocionet dhe përgëzimet ishin më se të ligjshme".
Ajo që meriton të veçohet, është krahas masivizimit edhe përgatitjet me nivel që manifestuan pjesëmarrësit. Shahu ky sport i mendjes, tregoi se ka shumë përkrahës jo vetëm në qendrat kulturore të vendit, por edhe në ato të trevave shqipfolëse. Si organizatorë fituam një betejë jo vetëm morale dhe psikologjike, por edhe sportive. Ky ishte vetëm një fillim. Shpreh bindjen se edhe më tej ky kampionat do të pasohet më të tjerë, që faqet e para të kësaj tradite të re të pasohen me të tjera”.
Për fituesit u dhanë kupa dhe certifikata, por edhe tabela shahu dhe libra teorikë të këtij sporti. Prezenca në këtë kampionat i emrave të njohur të shahut durrsak dhe atij shqiptar si Fatos Muça, Erald Dervishi, Lorenc Rama, Harallamb Boshku dhe Shkëlqim Çela ia shtuan edhe më shumë bukurinë dhe hijeshinë këtij evenimenti. Mjeshtri historik i shahut shqiptar, Fatos Muça, thotë për “Dyrrah” se ka mbetur i surprizuar nga niveli dhe cilësia, që pasqyruan në të parin kampionat të tyre mbarëkombëtar shahistët e vegjël. “Dua t’i kujtoj lexuesve të gazetës tuaj, se edhe i vetmi Mjeshtër i Madh Ndërkombëtar i Shqipërisë, Erald Dervishi, doli nga rrethet e dikurshme të shahut të Shtëpisë së Pionierit të Durrësit.
Është mosha më e mirë për të spikatur talentet, një pjesë të të cilëve u shfaqën edhe në konkurrimin e tanishëm. Falenderoj organizatorët për këtë punë të shkëlqyer që kanë bërë dhe shpresoj se e ardhmja e shahut shqiptar provokohet bindshëm në të tilla pozicione”.