Sot më shumë se kurrë ka lindur nevoja e krijimit të fermave bujqësore e blegtorale në vend. Na njihni pak me “Biofermën Rramilli 04” që ju administroni?
Kemi kohë që dëgjojmë e lexojmë kritika për situatën e tokave tona bujqësore e për blegtorinë. Po nuk është e mjaftueshme vetëm të konstatojmë. Shteti ka përgjegjësitë e veta, por specialistët, vetë banorët që i posedojnë këto toka duhet të ndërgjegjësohen. Nuk është rruga më e lehtë vajtja nëpër qytete e braktisja e tokave në mëshirë të fatit. Toka është një pasuri e paçmuar për ne shqiptarët. Traditat bujqësore dhe blegtorale të vendit janë të njohura mirë nga brezi ynë. Pse mos ta ruajmë këtë traditë? Është më mirë të punojmë në tokat e të huajve si argatë duke qëndisur fushat e tyre, apo të punojmë në tokat tona? Kjo është pyetja që duhet të bëjë secili që ndjehet zot në pronën e vet dhe veçanërisht të rinjtë, që mbartin një mentalitet të papranueshëm për punët në bujqësi e blegtori. U zgjata pak, por më duket e nevojshme ta theksoj këtë shqetësim si qytetare.
Pa dashur të mburrem, por “Bioferma Rramilli 04” është një nga biofermat më të mëdha në vend, është një biznes familjar, ku tradita dhe koherenca janë ndërthurur harmonishëm. Investimi ka qenë i madh dhe bashkëkohor. Ajo çka bie në sy është përgjegjësia që ka secili nga punonjësit në sektorët që mbulojnë. Kjo ka sjellë vijimësinë e punës dhe rritjen e të ardhurave edhe për vetë punonjësit. Suksesi i kësaj ferme ka sensibilizuar fshatarët e zonave përreth për mbarështrimin e blegtorisë e shfrytëzimin e tokave në funksion të tyre.
Roli juaj dhe i familjes është shumë i rëndësishëm në ngritjen dhe ecurinë e këtij biznesi apo jo?
Ferma është iniciativë e bashkëshortit tim. Ai kishte nje pasion të veçantë për krijimin e një ferme në fshatin e lindjes. Duke besuar në vizionin e tij për të investuar në blegtori, mbështetja nga ana ime nuk mungoi. Shumëkush e ironizoi, nuk besuan në këtë investim. Ishte koha që tregoi se ky biznes i erdhi në ndihmë familjarëve tanë në rradhë të parë, pastaj fshatarëve të zonës. Punësimi i mundësoi të ardhura që përmirësuan jetën e familjeve të tyre. Unë e drejtoj me shumë përgjegjësi e dashuri këtë biznes që e shoh me shumë perspektivë.
Cilat janë produktet e kësaj ferme dhe ku i menaxhoni?
Ferma jonë drejtim kryesor ka prodhimin e qumështit dhe mishit të freskët për tregun shqiptar. Këto prodhime, janë të një cilësie të lartë. Shija dhe vlerat ushqyese gjithashtu. Dhe kjo vjen nga ushqimi që marrin, kujdesi dhe menaxhimi sipas kushteve higjeno sanitare dhe koha. Kjo ka sjellë shtimin e pikave të shpërndarjes dhe të blerësve. Njëkohësisht ne i paraprijmë prodhimit me mbarështimin e mëshqerrave të reja, që prodhimet tona të jenë e të tregtohen sipas standarteve europiane.
A është rritur cilësia e produkteve bujqësore e blegtorale në vend?
Mendoj se po. Por unë vazhdoj të ngulmoj që duhet bërë ende shumë. Se mohoj që janë ngritur ferma të ngjashme në Shqipëri e po punojnë për të përmirësuar teknologjinë e fermave e të produkteve, gjë kjo që çon në rritjen e konkurencës. Rritja e konkurencës i bën mirë tregut dhe kjo është një gjë shumë pozitive për ekonominë e vendit tonë. Njëkohësisht duhet treguar vëmendje e madhe për tregtimin e prodhimeve blegtorale në rrugë e grumbullimin e tyre.
Ku duhet ngulmuar më shumë në produktet tona bujqësore e blegtorale?
Duhet ngulmuar në trajtimin cilësor e sasior të të ushqyerit të gjedhëve. Në përkujdesjen higjeno-sanitare të bagëtisë si dhe në shtimin e nënprodukteve të qumështit (djathit, kosit, gjalpit), mishit të freskët etj. Kjo do të sjellë uljen e çmimit të shitjes e si rezultat dhe mirëushqyerjen e njerëzve.
Keni marrë pjesë në shumë panaire?
Patjetër. Sa herë na është dhënë mundësia. Personalisht bashkë me bashkëshortin kemi shkuar edhe jashtë privatisht vetëm për të marrë eksperiencë. Dhe na ka vlejtur goxha.
Ju jetoni në Tiranë, në kryeqendrën e Shqipërisë. Cilat janë përjetimet prej peisazheve dhe bukurive të fshatit?
Fshati të jep një ndjesi të veçantë relaksi. Unë duke jetuar në Tiranë e duke punuar pranë Biofermës, provoj një kënaqësi të shumëfishtë. Ajri i pastër, larg smogut të Tiranës, hapësira e pamasë plot pemë, lule e zogj të mbushin me kënaqësi. Imagjinata kërkon që fshatit ti shtohen llojet e pemëve, bimëve bujqësore dhe aktivitetet veçanërisht për gratë dhe fëmijët. Mikpritja është shumë tradicionale nga vetë banorët.
Luan rol pozicioni i fermës në mes të tre fshatrave?
Shumë të rëndësishëm do të thoja. Në fermën tonë të gjithë të punësuarit janë fshatarë të zonës. Paga që ato marrin është e kënaqshme. Përveç kësaj, i ka dhënë zhvillim ekonomik dhe infrastrukturor të gjithë zonës së tre fshatrave. Në fermën tonë ofrojmë edhe kurse trajnimi në mekanikë bujqësore, sistemin e mjeljes, sistemin e ushqimit, punimit të parcelave, përgatitja për mbjellje, korrje, përgatitja e silazhit, mbledhja e barit në dengje etj. Kështu që i japim mundësinë edhe banorëve të këtyre fshatrave të ndjekin këto kualifikime, që janë të domosdoshme për ta.
Sa do e vlerësojnë fëmijët tuaj këtë arritje?
Tashmë janë rritur dhe po e vlerësojnë këtë investim që do ta trashëgojnë ata. Vetë shkollimi i tyre dhe kontakti me botën ia ka qartësuar rëndësinë e këtij investimi. Nuk e kanë preokupues hezitimin e punës në këtë sektor. Ne si prindër këmbëngulim për zhvillimin e bizneseve në fshat. Dihet që Shqipëria zhvillimin më të madh do ta ketë në bujqësi dhe turizëm. Kështu që edhe fëmijëve tanë ia ushqejmë frymën e punës kudo ku ato të jenë.
Si do e ftoni lexuesin e gazetës sonë të frekuentojë restorantin e Biofermës tuaj?
Më lejoni t’ju falenderoj që më bëtë këtë pyetje. Në ambjentet pranë fermës kemi krijuar një mjedis relaksi jo vetëm për punonjësit, por edhe për banorët e zonës. Restoranti me produktet e freskëta të fermës, këndi i lojrave për fëmijë, kopshti i vogël zoologjik, që i mrekullon fëmijët, i tërheq familjarët. Aty kalojnë disa orë të këndshme. Përzgjidheni një ditë pushimi ta kaloni tek ky mjedis. Kur të provoni gatimet karakteristike të zonës me prodhime të freskëta, të alternuara me shijet e klientit, nuk do të pendoheni. Pastaj çmimet janë befasuese me cilësinë e bollëkun e pjatave. Ju presim!
“BIOFERMA RRAMILLI 04” me qendër në fshatin Likesh, komuna Gjepalaj e rrethit të Durrësit ka filluar aktivitetin e saj më 30/06/2004. Ajo është një investim që kap vlerën 3.5 milion euro dhe ka si objekt veprimtarinë e rritjes dhe mbarështimin e gjedhit racor dhe gjedhit autokton shqiptar me drejtim kryesor prodhimin e qumështit dhe mishit të freskët. Kompleksi ka një sipërfaqe rreth 28.500 m² në total, ndërsa sipërfaqja e ndërtimit të ambjenteve është 13.200 m2. Kjo fermë ka në dispozicionin e saj rreth 80 ha tokë bujqësore si dhe rreth 70 ha të tjera të marra me qera nga fshatarët e zonës me të drejtë përdorimi për pesë vjet. Në këto shtatë vjet të funksionimit të saj në biofermën Rramilli janë bërë investime të konsiderueshme për ndërtimin e ambjenteve për mbarështimin e blegtorisë në kushte moderne. Krahas ndërtimit të shumë stallave ku rriten dhe mbarështohen gjedhët, një vëmendje e posaçme i është kushtuar përmirësimit të rracës së gjedhëve. Për këtë arsye në periudha të ndryshme kohe janë importuar nga vende të Bashkimit Europian krerë gjedhi rracor; lopë të rracave të ndryshme si Holshtein, Brune Alpine, Simental etj. Këto lopë arrijnë të japin deri në 27 litra qumësht në ditë. I gjithë proçesi i mjeljes së lopëve kryhet në mënyrë të kompjuterizuar, i cili garanton në çdo kohë informacion të hollësishëm për gjendjen e lopëve të kësaj ferme. Në këtë formë arrijnë të milen 20 lopë njëherësh, ndërkohë që kapaciteti i fermës është 400 krerë lopë dhe 400 viça. Vëmendje e posaçme i është kushtuar blerjes dhe instalimit të pajisjeve të reja teknologjike si dhe agregateve për sektorin e blegtorisë dhe atij të bujqësisë, ndërkohë që materiali biologjik që përdoret në këtë fermë merret nga firmat më prestigjioze, që garantojnë standarte të larta në kontrollimin dhe çertifikimin racor të gjedhit. Në ambientet e biofermës është ngritur “Qendra e Formimit Profesional”. Kjo qendër i shërben studentëve të institutit bujqësor të Kamzës, të cilët herë pas here vizitojnë fermën në fjalë për të fituar eksperiencën e nevojshme që do tu duhet kur të nisin të praktikojnë profesionin e tyre. Vitet e fundit krahas sipërfaqes së tokës së mbjellë me prodhime bujqësore që garantojnë ushqimin e blegtorisë, një sipërfaqe e konsiderueshme është mbjellë me ullinj.