Përballja Ministri e Mjedisit – Bashkia Durrës për portin e peshkimit, rrezikon djegien e fondit 7.5 milion USD të Bankës Islamike
Banka Islamike duhet të rimiratojë fondet që kishte vënë në dispozicion për portin e ri të peshkimit në Durrës, gjë që do të thotë vonesa të reja për ndërtimin e këtij porti, pse jo dhe rrezikun e mos ndërtimit të tij, nëse bordi i kësaj banke nuk e miraton fondin prej 7,490,000 USD. Burime nga Ministria e Mjedisit, por dhe nga Prefektura e Durrësit, kanë bërë të ditur se vetëm pas rimiratimit të fondeve nga ana e Bankës Islamike, do të çelet drita jeshile për ndërtimin e portit të ri të peshkimit. Me sa duket mosmarrëveshjet mes Bashkisë së Durrësit dhe Ministrisë së Mjedisit në lidhje me vendin ku duhet ndërtuar porti i ri dhe ndërhyrja e politikës në një çështje në dobi të qytetit dhe qytetarëve, ka bërë që projekti jo vetëm të vonohet, por dhe të rrezikojë që të digjet përfundimisht nëse Banka Islamike nuk bën rimiratimin e fondeve. Me sa duket varianti i Bashkisë së Durrësit për të ndaluar ndërtimin e portit të peshkimit pas dy kullave në shëtitoren buzë detit po bëhet realitet.
Kjo bashki madje e kaloi çështjen dhe në Gjykatën e Durrësit, ku kërkoi anullimin e vendimit të marrë nga KRRT-ja e Qarkut të Durrësit për ndërtimin e portit të ri të peshkimit në kalatën zero, pranë shëtitores bregdetare “Taulantia”, duke e quajtur të pabazuar vendimin e KRRT-së së qarkut për këtë projekt. Në gjykatë, Bashkia e Durrësit kërkoi anulimin e këtij vendimi me pretendimin e ndotjes mjedisore që do të shkaktonte në shëtitore flota e peshkimit. Kreu i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, është shprehur prej kohësh kundër ndërtimit të këtij porti në shëtitoren bregdetare për tre arsye që kanë të bëjnë me problemet e urbanistikës, rritjen e ndjeshme e trafikut të mjeteve në shëtitore dhe ndotjen masive të mjedisit, duke e nxjerrë jashtë funksionit shëtitoren bregdetare. Sipas Dakos,-“porti i ri i peshkimit bie ndesh me planin rregullues të qytetit”. Leja për ndërtimin e portit të peshkimit kaloi pas një kalvari të gjatë debatesh ndërmjet Ministrisë së Mjedisit prej nga ku varet sektori i peshkimit dhe bashkisë së Durrësit. Kjo e fundit insistoi në idenë se ndërtimi i portit të peshkimit në atë pozicion dëmton ndjeshëm territorin si dhe ndot mjedisin në mënyrë të ndjeshme.
Ndërkohë, peshkatarët kanë nevojë për një port ku të kenë mundësi që të ankorohen lirshëm si dhe të kenë të gjithë infrastrukturën e nevojshme. Vonesat në nisjen e punimeve për portin e ri të peshkimit, krahas të tjerave po ndikojnë dukshëm në biznesin e peshkimit, aktivitet në të cilin janë angazhuar 130 anije. Ka kaluar një vit nga koha kur KRRTRSH-ja miratoi lejen e ndërtimit të portit të peshkimit. Sipas lejes së miratuar, ky port do të ndërtohej pas dy kullave në shëtitoren buzë detit në qytetin e Durrësit. Bashkia u shpreh qartë dy vjet më parë kundër këtij projekti me argumentin se në atë pozicion, "ai ndot mjedisin, shkatërron nje territor turistik si dhe çorodit qarkullimin rrugor". Edhe në peshkim nuk kanë asnjë informacion lidhur me ndërtimin e këtij porti. Me sa duket në kohën kur pushtetet te ne bëjnë luftë politike edhe për fonde në dobi të komunitetit, donatorët nuk kanë kohë të presin dhe fondet nëse nuk rimiratohen mund të marrin destinacione të reja jashtë territorit shqiptar.