Ndërtimet poshtë linjave të energjisë dhe shumë pranë nënstacioneve rrezikojnë jetën e banorëve

Këto shtëpi nuk përfitojnë nga proçesi i legalizimit, por banorët nuk pranojnë të largohen prej tyre

Dhjetëra banesa rrezikojnë cdo ditë jetën e banorëve për shkak se ato janë ndërtuar nën telat e tensionit të lartë apo edhe poshtë linjave të interkonjeksionit. Në Durrës ky fenomen është shumë i njohur dhe ka tërhequr vëmendjen në mënyrë të përsëritur të autoriteteve në Inspektoriatin Teknik, të cilët kanë ndërmarrë një sërë nismash për të shmangur çdo tendencë për të legalizuar objekte të tilla. Fenomeni është shumë shqetësues sidomos në zona brenda rrezes së kuqe të nënstacioneve elektrike në Durrës, Shijak, Fushë-Krujë, Krujë, Golem, Kavajë apo edhe në gjatësinë e shtrirjes së linjave të tensionit të lartë. 127 ndërtime në total nuk mund të legalizohen në Durrës e periferi, ndërkohë që ky numër është më i lartë nëse do të merren në konsideratë edhe aplikimet për legalizim jashtë qytetit. Këto ndërtime janë poshtë linjave të tensionit të lartë 35 dhe 120 kilovolt. Plot 21 aksidente nga korenti janë regjistruar në vitin 2007 duke shënuar  8 të vdekur, ndërsa treguesit janë shqetësues edhe në vitet e tjera ndonëse në shifra më të vogla sesa në 2007-tën. Gjatë pesë viteve të fundit kanë humbur jetën nga rryma elektrike në kushte e rrethana të ndryshme 18 persona. Por numri i të aksidentuarve të cilët i kanë shpëtuar vdekjes është më i lartë.  Ekspertë të hetimit kanë saktësuar se në më shumë se 80 për qind të rasteve qytetarët janë viktima të kontaktit të pavullnetshëm me tensionin e lartë në kohën që kanë qenë duke kryer punë të ndryshme kryesisht në taracën e pallateve, objekteve e shtëpive. Disa aksidente kanë ndodhur në kohën që është tentuar të hidhet soletë në katin e tretë, është synuar të lyhet taraca apo edhe veprime të tjera të ndryshme.

Objektet

Pas viteve 1990 pranë nënstacioneve elektrike janë ndërtuar shtëpi banimi. Një pjesë e tyre e kanë justifikuar këtë veprim me faktin se toka ka qenë e lirë pa marrë në konsideratë se nënstacionet kanë zonën e tyre të kuqe, e cila nuk lejon asnjë ndërtim privat e shtetëror. Këto objekte kanë rrethuar stacionet elektrike, ndërsa ndërtimet nuk kanë pushuar duke u ngritur edhe poshtë shtyllave të tensionit të lartë dhe atyre të transmetimit të energjisë. Për shkak të ngarkesës, telat e këtyre linjave ulen deri fare pranë banesave, një pjesë e të cilave janë disakatëshe. Madje ka të tilla objekte banimi që shtyllën e tensionit të lartë e kanë disa pëllembë larg nga streha duke bërë që zhurma e tensionit të energjisë të ndihet lehtësisht jo vetëm në kohë të qetë, por edhe ditën mes zhurmave. Në mesin e objekteve ka edhe ish kapanone apo magazina të cilat janë shfrytëzuar nga blerësit duke i përshtatur për banim. Mjafton të qëndrosh pak minuta pranë stacioneve elektrike për të parë se çfarë ka ndodhur realisht dhe se sa të rrezikuar janë banorët e shtëpive.

Objektet janë ndërtuar rrëzë murit rrethues të stacioneve, disa metra më tej apo edhe poshtë shtyllave të tensionit të lartë.  Njëherazi vëren se disa banesa kanë lartësuar katet duke mos marrë në konsideratë tensionin që u rrezikon jetën. Ndërkohë në oborret e tyre ka mjaft raste që janë vendosur shtylla betoni, hekuri e mullarë me bar për bagëtitë duke shtuar më tej rrezikun. Në ditë me reshje shiu dhe me shkarkesa atmosferike, situata në zona të tilla kapërcen çdo siguri për jetën e banorëve që jetojnë poshtë shtyllave të tensionit të lartë dhe në zonën e nënstacioneve elektrike ku ka edhe shkarkesa rrufesh. Disa herë janë bërë përpjekje nga autoritetet dhe ekspertë të inspektoriateve teknike të cilët kanë bërë të ditur se jeta e banorëve në zona të tilla është krejt e pasigurtë, ndërsa kanë pohuar gjithashtu se nuk ka asnjë lloj mundësie që një ditë këta pronarë objektesh të marrin çertifikatë pronësie legale për ndërtimet e bëra. Madje ka pasur disa apele për të shembur vullnetarisht objektet të tilla, si dhe janë bërë përçapje për të nxitur autoritetet lokale, policinë ndërtimore dhe të tjera institucione për të marrë masa parandaluese.

Në bazë të akteve teknike këto ndërtime nuk mund të fitojnë asnjëherë statusin e banesës me hipotekë duke paralajmëruar gjithashtu se ato mund të shemben shumë shpejt nëse autoritetet përkatëse do të marrin seriozisht alarmin e paraqitur nga KESH dhe inxhinierët e kësaj fushe. Familjarët që kanë ndërtuar shtëpitë në këto vende plot rreziqe kanë thënë se i kanë marrë parasysh të gjitha problemet deri edhe rrezikimin e jetës. Një pjesë e tyre fillimisht nuk kanë pasur as njohuritë më të vogla për atë që i kanosej dhe pa e menduar dy herë kanë blerë tokën për të ndërtuar shtëpinë. Të tjerë tregojnë se nuk kanë mundur të gjejnë ndonjë vend tjetër. Por ajo që të bie në sy është fakti se disa nga këto shtëpi janë dy apo tre katëshe dhe janë ngritur fare pranë shtyllave e telave të tensionit. Madje mjafton të zgjatësh dorën dhe që aty nga ballkoni të prekësh telin pa nevojën e një shkopi apo diçkaje tjetër. Në të tilla mjedise të mbushura me rreziqe të pashmangshme si ditën edhe natën, në verë e në dimër, me mot të kthjelltë apo me shi e vetëtima, lozin fëmijë. Në të tilla vende madje janë hapur edhe biznese të vogla apo të mëdha. Edhe pse ka pasur reagime lidhur me sensibilizimin e popullatës për rreziqet me të cilat përballen, nuk ka pasur reagime të forta e të organizuara.

Nënstacionet

Durrësi ka disa nënstacione elektrike. Cdo njësi e agjensi elektrike ka një të tillë. Specialistët e fushës kanë bërë të ditur se secili prej tyre është rrethuar dhe kjo për të shmangur çdo kontakt të vullnetshëm apo jo me aparaturat, pajisjet dhe fushën e vendosjes së pajisjeve. Në Shijak, Fushë-Krujë, Krujë, Kavajë problemat janë më të pakta. Ndryshe qëndron çështja në Durrës e Golem. Në kodër të Rrashbullit nënstacioni elektrik është i gjithi i rrethuar ashtu si ai në Shkozet e në Spitallë. Por problemi manifestohet në anën e garancive që duhen ofruar për jetën e banorëve që jetojnë ngjitur apo pranë tyre. Me fondet e Bankës Botërore dhe të qeverisë shqiptare është bërë e mundur ndërtimi i disa nënstacioneve elektrike në Durrës në një hark kohor të shkurtër. Vetëm në Spitallë tre vite më parë janë investuar 4 milion euro për t’i dhënë fund nevojës së zonës për energji si dhe rehabilitimit të plotë të sistemit të shpërndarjes së energjisë në zonë. Nënstacioni në fjalë ka një fuqi prej 50 megavat amper me dy transformatorë nga 25 megavat secili.

Ai ka filluar punë aktualisht me vetëm 20 përqind të kapacitetit, ndërkohë që vënia 100 përqind në punë e tij do të realizohet kur të ketë përfunduar termocentrali i Porto Romanos. Ky nënstacion ka shmangur problemet që vinin nga parregullsitë dhe defektet si pasojë e amortizimit të rrjetit. Tashmë cilësia e tensionit në zonat e Porto Romanos, ish-kënetës, Spitallës dhe Shkozetit është më e mirë falë këtij investimi. Nënstacioni është ndër më të rinjtë në vend, por edhe këtu rreziku i shtrirjes së banesave deri në afërsi të tij është i pranishëm, pasi jo shumë larg kanë nisur të hapen themelet. Por krejt ndryshe është problemi në Shkozet e Rrashbull. ALUIZNI ka bërë të qartë se të gjitha dosjet e paraqitura nga banorët për t’iu nënshtruar proçesit të legalizimit nuk janë marrë në konsideratë. Këto dosje së bashku me ato objekte apo shtëpi që janë në rrezen e linjave hekurudhore, në zonën e ish kimikes, tek kodra e Vilës e në disa vende të tjera nuk do të përfitojnë asnjëherë legalizim.

Të njëjtin fat është thënë nga ALUIZNI do të kenë në vijim edhe banesat e objektet që janë ndërtuar mbi kolektorët e ujërave të zeza apo mbi ato të ujit të pijshëm si dhe mbi kanalet kulluese. Nënstacionet dhe zona e ndaluar për ndërtime përqark tyre janë bërë objekt inspektimi disa herë nga specialistë të inspektoriatit teknik dhe të byrosë teknike. Në të gjitha rastet është thënë se nuk do të ketë legalizim për banesa të tilla, ndërsa është kërkuar që sa më parë banorët të largohen nga zona e rrezikut. Banorët janë mësuar me zhurmat që bëjnë përcjellësit e energjisë elektrike, por ata mendojnë se kanë fituar imunitet edhe me rreziqet. Shumëkush prej tyre e sheh zgjidhjen dhe dhënien fund të merakut të përditshëm me mundësinë e sistemimit në banesa sociale. Të tjerë kërkojë kredi me afat të gjatë 15 apo 20-vjeçar dhe me këste të përballueshme. Ata pohojnë se kanë ndërtuar në vendin më të papërshtatshëm, por nga ana tjetër bëjnë të qartë se as pushteti lokal dhe as shteti nuk kanë gjetur ndonjë rrugë për të shmangur të papriturat nga tensioni i lartë për jetën e banorëve.