Të gjithë kemi të afërm ose miq që jetojnë dhe punojnë jashtë shtetit. Disa shfrytëzohen nga punëdhënësit e tyre të huaj dhe të tjerë kanë arritur të hapin një aktivitet privat, por thelbi nuk ndryshon: të gjithë punojnë fort dhe, mbi të gjitha seriozisht. Në të shkuarën janë dëgjuar shumë ankesa në lidhje me sjelljen e shqiptarëve jashtë shtetit – sidomos në Itali – por kurrë dhe asnjëherë këto ankesa nuk kanë ardhur nga punëdhënësit e tyre. Përkundrazi, kushdo që ka patur një punëtor shqiptar ka mbetur gjithmonë i kënaqur nga serioziteti, përpikmëria, dhe durimi i tij. Sot për sot, jam pothuaj e sigurtë se asnjë pronarndërmarrje – të paktën në Itali – do të zëvendësonte një punëtor shqiptar me një punëtor me shtetësi tjetër. Ajo shumicë emigrantësh shqiptarë që, në vend që të merrej me aktivitete të jashtëligjshme, ka vendosur të punojë seriozisht në vendin e ri, e ka bërë në mënyrë të shkëlqyer, duke fituar besimin dhe admirimin e të gjithëve.
Dhe këtu ka diçka që nuk shkon. Në fakt, janë vetë këta emigrantë që, kur kthehen në Shqipëri për pushime, vërejnë se sistemi shqiptar i punës është shumë problematik dhe janë ata të parët që e kritikojnë ashpër. Të gjithë kemi dëgjuar fraza si “kush nuk ka emigruar nuk di të punojë” apo “këta nuk kanë qejf të lodhen” apo shprehja e famshme “punë shqiptare”. Shqiptari që shtron pllaka në Itali, kur shikon apartamentet e reja me pllakat e vendosur shtrembër dhe me mbushjet të trasha një centimetër, komenton: “Kam punuar kështu vetëm ditën e parë të punës jashtë shtetit, shumë vjet më parë, por punëdhënësi më ka shpjeguar se gjërat, ose bëhen mirë ose nuk bëhen fare. Mund të zgjidhja nëse të ikja ose të punoja me kujdes dhe preçizion. Zgjodha të qëndroja dhe sot jam një profesionist”. Dhe kush bën hidraulikun në Itali, kur sheh impiantet e instaluara këtu në Shqipëri, komenton: “Është rezultat i punës së shpejtë. Janë shpejtësia dhe dëshira për të mbaruar punët dhe për të shkuar në shtëpi ato që shkatërrojnë Shqipërinë. Rubinetat prishen vazhdimisht, tubat janë vendosur keq dhe pajisjet sanitare zënë kore nga silikoni. Punë alla shqiptarëshe…”.
Dhe atëherë është e natyrshme të pyetet: por kush është punëtori i vërtetë shqiptar? Është marangozi i Durrësit që prodhon dollape të shtrembër, duke vendosur të parat doreza që gjen? Apo është marangozi shqiptar që në Itali kujdeset edhe për gjërat më të imta e të veçanta? Është parukierja që të hedh në kokë një ngjyrë kuturu dhe të njollos një këmishë të shtrenjtë, duke thënë “ne kështu punojmë”? Apo është vajza shqiptare preçize, aktive dhe buzëqeshur që punon pranë një parukiereje në Itali? Është kamarieri përtac dhe indiferent, që shikon klientët sikur t’a bezdisnin? Apo është studenti shqiptar në Itali, që në darkë punon si kamarier dhe gjen energjinë për të biseduar me klientët e të jetë i sjellshëm, edhe pse nuk do të merrte asnjë bakshish? Janë pyetje që bëhen qoftë në Shqipëri qoftë jashtë shtetit, dhe më shumë se një herë kam dëgjuar miq shqiptarë të cilët jetojnë në Itali të ankohen për një lloj dyzimi të personalitetit të popullit shqiptar, i cili jo vetëm ndryshon sjelljen, por ndryshon trurin sapo kalon kufirin.
Dinaku: historia e tij dhe “kultura e punës” së tij
Problemet në botën e punës në Shqipëri fillojnë me historinë e Dinakut, domethënë personi i cili qysh nga fëmijëria thith vlera etike të gabuara dhe pastaj i zbaton për gjithë jetën. Ashtu si krimineli, edhe Dinaku është rezultat-viktimë e shembujve të këqinj familjarë dhe socialë, por edhe i një të shkuare të gjatë historike dhe antropologjike. Përgjithësisht, në vendet ku rekomandimi triumfon mbi meritokracinë, personazhi i Dinakut zhvillohet në shkollën fillore. Është fëmija për të cilin prindërit mburren se “merr nota shumë të mira pa studiuar”. Kjo ndodh në familjet që nuk i japin rëndësi studimit dhe kulturës – familje zakonisht me origjinë apo mentalitet rural, të cilat nuk kuptojnë se, në jetë, nuk ka vlerë “nota”, por ajo që një person di, përgatitja e tij e vërtetë. Kështu, këto familje pa shumë kulturë janë të bindura se suksesi matet vetëm me notën dhe janë krenare që “gjeniu i vogël” i tyre shkon mirë në shkollë, edhe pse duke kaluar pjesën më të madhe të ditës jo mbi libra, por duke luajtur dhe, nganjëherë, duke mësuar artin e prepotencës.
Por, ndërsa në botën perëndimore “gjeniu i vogël” nuk ka arritur të shkojë në gjimnaz – ku duhet studiuar me të vërtetë – në vendet komuniste kishte tendencë për të çuar në gjimnaz një numër të madh nxënësish, për t’i treguar vendeve kapitaliste se edhe real-socializmi prodhonte mendje të shkëlqyera. Kështu, në botën komuniste, mësuesit e gjimnazit kënaqeshin me pak dhe nuk kërkonin që nxënësit të studionin në mënyrë të thelluar. Besnikë të sloganit “çdo 10 është një plumb për armikun”, mësuesit – me aprovimin e regjimit – kishin tendencë të ishin shumë bujarënë vënien e notave të larta, përballë një rendimenti mediokër. Kështu, “gjeniu i vogël” bëhej Dinaku, i bindur se në jetë mund të arrihet shumë pa bërë asgjë. Familjet vazhdonin të mendonin se fëmijët e tyre ishin të jashtëzakonshëm dhe kështu sistemi mbante lart moralin e popullit. Ndërkohë – gjë e paimagjinueshme në vendet perëndimore – shumë nxënësve të gjimnazit i’a bënin detyrat ata pak nxënës të klasës me të vërtetë studiues, që për miqësi apo frikë i kalonin prepotentëve frutin e punës së tyre. Ja si mësohet të mos punosh dhe të jetosh mbi shpatullat e minorancës që punon, ja ku lind parazitizmi.
Pas gjimnazit, rrugët e Dinakëve ndaheshin. Disa nuk frekuentonin universitetin dhe hynin direkt në botën e punës, me mentalitetin e “bëj të punojnë të tjerët në vendin tim”. Ishin brigadierët idealë, “supervizorët” e punës së të tjerëve, të bindur se në jetë mjaftonte të shikoje në vend që të lodheshe. Dinakët e tjerë, përkundrazi, regjistroheshin në universitet por, ndryshe nga nxënësit e tjerë me të vërtetë studiues dhe të përgatitur, merrnin diplomën në sajë të rekomandimeve dhe njohjeve (përpara 1990) dhe pastaj, kur hyri sistemi i provimeve me pagesë, në sajë të parave. Dinaku i diplomuar në universitet është një individ shumë arrogant, i bindur se është një “intelektual” edhe pse nuk është. Është krenar se ka marrë diplomën e tij pa studiuar dhe mburret hapur (edhe me të huajt, duke ditur se çfarë mendojnë!!!), sepse në shkallën e tij të vlerave është më shumë prestigjoze shfaqja e ndonjë rekomandimi sesa paraqitja si njeri i ditur.
Fatkeqësisht, shumë prej këtyre Dinakëve me diploma e master të marra kot ngjisin majat më të larta të institucioneve dhe kanë pushtetin për të drejtuar të shkretën Shqipëri. Edhe në këto raste, sjellja e tyre është parazitare, sepse shkarkojnë të gjithë punën dhe përgjegjësinë e tyre mbi zëvendësit ose stafet e tyre. Shumë përfaqësues të firmave të huaja të interesuara për të investuar në Shqipëri kanë mbetur të habitur nga papërgatitja e majave të institucioneve, ndërsa shpesh kanë bërë komente shumë të mira mbi zëvendësit dhe mbi kuadrot më të ulët. Por në fund, zyrtarisht, është Dinaku që merr meritat (dhe paratë…).
Përballë këtij kuadri të trishtuar, kësaj përralle të shëmtuar ku fitojnë të këqinjtë në vend të të mirëve, nuk është çudi nëse edhe personat më aktivë dhe më të vullnetshëm mund të ndihen budallenj dhe nganjëherë humbin entuziazmin e punës. Në modelin social shqiptar, të punosh me seriozitet dhe vullnet shpesh domethënë të jesh i shfrytëzuar nga Dinakët e radhës – kolegë parazitë dhe shefa arrogantë. Kush punon tallet nga tjerët dhe konsiderohet i dobët apo inferior apo budalla. Në të kundërt, konsiderohet fitues vetëm kush nuk punon, kush ka arritur “të rregullojë jetën” ose kush ka shumë “skllevër” që punojnë për atë.
Jo më kot – besoj pa vetëdije – në Shqipëri shumë burra mbajnë thonjtë të gjatë, sidomos atë të gishtit të vogël. Ndonjëri mbështet se është një traditë islamike, që vjen nga rregulli i avdesit përpara hyrjes në xhami, që parashikon të pastrohen mirë veshët me gisht; në fakt, vërehet se thonjtë e gjatë janë më në modë mes muslimanëve sesa mes të krishterëve. Megjithatë, mund të vijë edhe nga tradita kineze, persiane, arabe dhe turke e shfaqjes së thonjve të gjatë për të treguar se nuk punon tokën, se nuk je fshatar. Për popujt aziatikë, thonjtë e gjatë (të shoqëruar nga unaza e madhe) ishin simbole të sundimit mbi të tjerët. Bën përshtypje, në Shqipërinë e sotme, kur shikohen shumë të rinj që akoma shfaqin këtë emblemë anti-punës…
Do të jetë e mundur një ditë të dashurohet puna?
Nuk do të jetë e thjeshtë eliminimi i Dinakut nga panorama shqiptare e punës. Politika nuk mund t’ia dalë, për arsye klientelizmi dhe interesash elektorale, ndërsa privatët maksimumi arrijnë të shantazhojnë punëtorët e tyre me kërcënimin e heqjes nga puna, por nuk janë të aftë t’i mësojnë atyre një “kulturë pune” të re dhe një sens përgjegjësie të vërtetë. Fatkeqësisht, për arsye të sjelljes, pronarët arrijnë vetëm të bëhen të urryer nga punëtorët e tyre, sepse nuk kanë kapërcyer akoma mentalitetin e bejlerëve dhe në përgjithësi trajtojnë punëtorët e tyre si “inferiorë”, si “raja” të Perandorisë osmane (që në fakt domethënë “kafshë”). Rezultati është se ndonjëri qan me lot “komitët” dhe deri edhe ndonjë antikomunist qan me lot komunizmin.
Fatkeqësisht, për arsye historike të trashëguara nga feudalizmi osman, në Shqipëri puna është e përjetuar akoma si “skllavëri”, si shtypje. Nga ana tjetër janë Dinakët që punojnë vetëm për të mbuluar një post, për të thënë se bëjnë diçka – dhe fatkeqësisht kjo i takon edhe grave, të cilat shpesh shkojnë në punë vetëm “për të mos qëndruar në shtëpi”, por pa një angazhim të vërtetë.
Nëse shqiptarët jashtë shtetit punojnë shumë dhe mirë, nuk është vetëm sepse janë të detyruar nga nevoja dhe nga rrethanat. Kjo “mrekulli” ka ndodhur edhe sepse në ambientet e punës kërkohet shumë seriozitet, por nga ana tjetër garantohet respekt njerëzor, edukim i mirë dhe marrëdhënie barazie midis punëdhënësit dhe punëtorit. Personalisht, mendoj se patja besim tek qenia njerëzore nuk është kurrë një gabim, dhe kjo vlen edhe në botën e punës. Rrezikohet që t'a hedhin, kjo është e vërtetë, por nëse basti është fitues, fitohet shumë. Jo më kot, në botë, firmat që funksionojnë më mirë janë ato të voglat dhe me drejtim familjar, ose ato ku punohet në harmoni.
Por para së gjithave duhet që shkolla të kryejë rolin e saj formues, duke mbajtur notat të ulta për të mos i dhënë iluzione fallco nxënësve pak të aftë, por sidomos duke e ndaluar që në lindje etikën e Dinakut. Është detyrë e mësuesve – nëse familjet nuk i'a dalin – t’i bëjnë të kuptojnë fëmijët se jeta është një gjë tepër e shkurtër dhe e çmuar dhe s’mund të harxhohet duke parë futboll në televizor ose duke u marrë me thashetheme në tavolinat e lokaleve. Nëse shkolla arrin të përgjegjësojë të rinjtë dhe t’i transmetojë atyre një dashuri të vërtetë për studimin – duke i bërë dembelët të kenë turp – këto vlera do të ndikojnë pozitivisht mbi sistemin e punës së të ardhmes.
Ajo shumicë emigrantësh shqiptarë që punon seriozisht jashtë shtetit ka fituar besimin dhe admirimin e punëdhënësve. Përkundrazi, në Shqipëri, të punosh me seriozitet domethënë të jesh i shfrytëzuar nga kolegë parazitë dhe shefa arrogantë. Kush punon konsiderohet i dobët apo budalla, ndërsa fituesi është ai që ka arritur “të rregullojë jetën” ose ka “skllevër” që punojnë për atë.