Kushedi ç’do të thoshte Perikliu po të shihte demokracinë e tij të dashur të përdhunuar nga katër profesorë
Çfarë po i ndodh demokracisë? Vazhdon të jetë prioritet absolut, një pasuri kryesore që duhet mbrojtur, apo po rrënohet ngadalë e pa mbarim? E them këtë duke parë atë që po i ndodh në Itali, me parlamentin që i dorëzohet bursave dhe që heq dorë nga sovraniteti politik në favor të atij tekniko-ekonomik, duke vendosur një kryeministër që populli sovran nuk e ka votuar kurrë. Por proçesi është më i madh dhe më i thellë, e nuk i përket vetëm demokracisë së paqëndrueshme italiane dhe anomalive të saj. Përfshin të gjitha demokracitë perëndimore, që sot më shumë se kurrë varen nga tregjet dhe bankat qëndrore.
Më parë mendohej se Demokracia dhe Tregu ishin një binom i pandashëm. Nuk ka liri të tregut pa demokraci liberale, dhe anasjelltas, nuk ka demokraci liberale pa liri të tregut. Kjo ishte teza liberale mbizotëruese. Por kjo teoremë nuk është kaq paqësore dhe kaq automatike: kemi parë regjime autoritare, si Kina pas Maos, akoma komuniste por gjysëm-liberiste, por edhe si Kili i Pinoçetit, një regjim autoritar me një orientim ekonomik liberist i frymëzuar nga Milton Friedman, e pastaj regjimet saudite dhe ato latino-amerikane, ku Tregu garantohet nga regjime reaksionare. Mao-thatçerizëm, treg-izëm islamik, liberizëm paraushtarak…
Në vendet perëndimore rriten oligopolet, fuqitë e firmave shumëkombshe, sundimi i tregut financiar mbi tregun e pasurive reale. Kur i bien daulleve të krizave ekonomike dhe emergjencave financiare, organizmat ndërkombëtare – duke filluar nga Europa – provojnë pa mbarim të zvogëlojnë sovranitetet popullore dhe kombëtare, të bëjnë si protektorate vendet që nuk i binden direktivave, duke u lënë përfundimisht rolin drejtues teknokratëve, eurokratëve dhe bankave qendrore. E ndërkohë, në demokracitë perëndimore vazhdon të pakësohet pjesëmarrja e qytetarëve në zgjidhjet, votimet dhe idetë politike; rritet nga vite abstenimi, ftohja.
Çfarë po ndodh, po perëndon demokracia? Emergjencat që kërcënojnë të ardhmen, të lidhura me mjedisin, energjinë, bursën, shëndetin, sigurinë, flukset e emigrantëve, kërkojnë vendime të shpejta, ndonjëherë autoritare e shpesh jopopullore. Apo kthehen në alibi madhështore për të justifikuar kufizimin e lirisë në emër të sigurisë. Demokracia rrezikon kështu të jetë shkelur nëpërmjet grushteve të shtetit “të bardha” (pa gjak) ose “të arta” (nga bankat), ndoshta provizore, por emergjencat janë kaq të shumta dhe të vazhdueshme sa rrezikojnë të bëhen kronike dhe të kërkojnë qeveri që e përdorin demokracinë vetëm si një fasadë.
Nuk domethënë denoncimi i komploteve nga ana e fuqive të errëta ose i konspiracioneve piktoreske. Dhe nuk domethënë as pozicionim për mbrojtjen me çdo kusht të sovranitetit popullor; demokracia nuk është një vlerë absolute, një parim teologjik. Është thjesht forma që na duket më pak e dëmshme nga të gjitha, sepse mundëson rregullimin e gabimeve, alternimin e qeveritarëve dhe bërjen sa më transparente të vendimeve dhe veprimeve të pushtetit. Nuk ekzistojnë qeveri popullore, të gjitha qeveritë janë qeveri të pakicës; dallimi i vërtetë është se ka qeveri të pakicës në shërbim të shumicës dhe qeveri të pakicës në shërbim të pakicës. Ka pastaj vendime të shpejta dhe jo popullore që nuk mund të kalohen nëpërmjet negociatave dhe parlamentit: për shembull përgjysmimi i numrit të deputetëve për të përmirësuar petkun e demokracisë (pa folur për shpenzimet e politikës) është një nevojë e vërtetë, por nuk mund të miratohet kurrë nga vetë parlamenti.
Atëherë ç’duhet bërë? Duhet vënë theksi në autonominë sovrane të ekzekutivit, duhen krijuar qeveri më pak të shantazhuara e më pak të varura nga parlamenti, të garantuara për të gjithë mandatin e tyre, me fuqi të fortë dhe të gjerë, që mund të bjerë vetëm në raste rreziku shumë të madh. Qeveri që i përgjigjen për veprimet e tyre çdo institucioni ekonomik e ligjor, por vetëm në përfundim të mandatit politik të fituar. Nuk njohim zgjidhje të tjera që garantojnë stabilitet, efektivitet dhe vendimmarrje, pa rënë në zgjidhje antidemokratike.
Tendenca drejt të cilës po shkojmë, e këtu kthehem në rastin e Italisë, është totalisht e kundërta: parlamentet mund të pushkatojnë qeveritë, por më pas nuk ofrojnë qeveri alternative dhe në kështu i dorëzojnë sovranitetin fuqive që nuk janë legjitimuar demokratikisht dhe nuk i përgjigjen shtetasve. Dhe pastaj, në Itali, ku nuk ka një president republike të zgjedhur nga populli, kemi një republike presidenciale de facto, e maskuar, me një president që është bërë regjizori i përmbysjeve politiko-institucionale. Deri në pezullimin e demokracisë dhe boshatisjen e sovranitetit popullor.
Në këtë pikë demokracia duhet blinduar me një koracë me dy shtresa, vendimmarrëse dhe komunitare: domethënë një sistem presidencial de jure, vendimmarrës, me autoritet, me fuqi të gjerë gjatë të gjithë mandatit; ndërsa në planin e kohezionit social duhet një demokraci komunitare që mbron dhe promovon vlerat dhe interesat e përbashkëta.
Në planin e parimeve, burimet e pushtetit janë tre: maxhoranca, eksperienca dhe kompetenca. Thënë ndryshe: verdikti i votës popullore (demokracia), eksperienca e historisë, pasuria e fituar dhe zakonet e një qytetërimi (tradita), dhe roli i vendimmarrësve (elita dhe krerët përgjegjës). Politika e mirë bazohet në ekuilibrin mes këtyre burimeve të pushtetit; vendimet e veçanta merren në emër të të paktën një prej tre burimeve, me kusht që të mos kundërshtohen nga dy të tjerët. Kjo është teoria; praktika e mirë është ajo që largohet më pak nga këto parime. Udhëheqja e Europës së sotme, dhe e Italisë në veçanti, është larg legjitimimit të trefishtë. Ka vetëm oligarki dhe fuqi autoreferuese. Por fuqitë jo demokratike rriten jo vetëm për shkak të forcës së tyre zgjeruese por edhe për shkak të dobësisë së politikës. Kur politika nuk ka forcën e vendimmarrjes dhe karizmën e komunitetit, kur nuk merr parasysh nevojat reale dhe pasionet civile e idealet, atëherë i hap krahun teknokratëve. Rigjenerimi i politikës është vepra e vështirë e viteve të ardhshme.
Marcello Veneziani, filozof, shkrimtar dhe gazetar ka bashkëpunuar me të përditshmet dhe të përjavshmet kryesore italiane. Ka qenë anëtar i këshillit administrativ të RAI-t, tek i cili është komentator dhe pjesëmarrës në programe të ndryshme televizive. Aktualisht është editorialist i të përditshmes së qendrës së djathtë “Il Giornale”.