Bashkia e Prefektura kalojnë përgjegjësinë tek njëra tjetra dhe mjaftohen vetëm me hartimin e listave

Kur jemi në prag të stinës së shirave asnjë investim nuk është bërë në këtë drejtim, ndërsa banorët i tremben faktit se do të përjetojnë situatat e rënduara të viteve të kaluara 

Po mbushet një vit që nga koha kur dhjetëra e dhjetëra banesa e lokale u dëmtuan rëndë së bashku me mallin e pajisjet e tyre për shkak të reshjeve të shiut, ndërkohë që të dëmtuarit nuk kanë marrë deri tani asnjë qindarkë. Prefektura e bashkia kanë ndarë mendime të ndryshme duke e kaluar përgjegjësinë sa tek njëra palë, tek tjetra.

Hyrja në sezonin e reshjeve ka risjellë sërish në Durrës frikën e përmbytjeve. Prej disa vitesh shirat vazhdojnë të kërcënojnë banesa e qytetarë kryesisht ata që jetojnë në katet e para, shtëpitë përdhese dhe objektet nën kuotat e godinave të tjera përreth. Ngadalësia e veprimeve nga strukturat përkatëse në bashki për të zbatuar projekte në mbrojtje të shtëpive dhe bizneseve të qytetarëve ka shtuar edhe më tej dyshimet. Shtabet e verifikimit të dëmeve në bashkinë e Durrësit kanë regjistruar në pjesën më të madhe të rasteve të gjitha dëmtimet që kanë shkaktuar shirat, dherat dhe materialet e tjera inerte gjatë prurjeve të mëdha të reshjeve. Por realisht një numër i vogël kanë mundur të përfitojnë diçka. Bashkia ka pranuar se dhjetëra ha tokë, banesa e objekte të ndryshme janë përmbytur nga reshjet e dendura të dimrit të kaluar dhe të pranverës së sivjetshme. Problemet janë identifikuar në zonat periferike të qytetit si në Plazh, Shkozet, Nish Tulla, Spitallë, Porto Romano e ish-kënetë. Banorët, mes tyre të moshuar, fëmijë e bebe janë detyruar të lënë shtëpitë natën për të gjetur një strehë më të sigurtë. Prurjet e mëdha të ujit në këto zona kanë bllokuar kanalet e hapura dhe inertet kanë detyruar rrjedhën të vërshojë në rrugë duke rrezikuar edhe shtëpitë, arat, e objekte të tjera. Dëmet janë llogaritur në shuma të mëdha ndërsa kompensimi i tyre është bërë vetëm në disa raste dhe në shuma të papërfillshme.

Banesa, lokale, tokë buke, ura, kanale, mure mbajtës, mure mbrojtës, shtylla elektrike, oborre shkollash, kopshte etj në lagjet e mësipërme janë bërë disa herë objekt i përmbytjeve dhe dëmtimeve nga reshjet e shumta të shirave në dimër e në pranverë. Banorët janë izoluar për disa ditë dhe kalimi nga banesa për në tokën e thatë është bërë i mundur vetëm me mjete të larta transporti, kryesisht kamionë. Situata në disa raste ka qenë deri kaotike, pasi banorët janë izoluar në banesat e tyre në katet e para, ndërsa reshjet e shiut kanë provokuar përmbytje të shoqëruara me materiale inerte, që e kanë përkeqësuar edhe më shumë situatën. Banorët kanë mbetur jo vetëm të izoluar për ditë të tëra, por edhe pa energji, ujë të pijshëm dhe me sistem të bllokuar tërësisht të kanalizimeve të ujrave të zeza duke rrezikuar shpërthimin e epidemive. Reshjet e dendura dhe me pasoja të një viti më parë janë regjistruar disa herë gjatë muajit nëntor, dhjetor, janarin e këtij viti madje edhe në maj. Vetëm 3-4 ditë para zgjedhjeve të 8 majit në zonën e njohur si fidanishtja dhe në Spitallë, pas një stuhie të fortë dhe shiu që ka zgjatur për 6 orë pa ndërprerje, mëse 290-300 familje janë përmbytur së bashku me orenditë e tyre. Por numri i të prekurve dhe të dëmtuarve është mbi 1500 shtëpi dhe dhjetëra lokale e objekte social-kulturore në Durrës.

Shkaqet e përmbytjeve

Specialistë të infrastrukturës rendisin një sërë arsyesh si shkaqe të krijimit të gjendjeve të përsëritura të përmbytjeve në qytet dhe periferi të Durrësit. Ndërtimet pa kriter, dëmtimi i kolektorëve kryesorë, bllokimi i kanaleve, prishja e tumbinave e urave, gërryerjet e dherave, prerja e masivit të gjelbër në faqet e kodrave, mosndërhyrja në pastrimin e kanaleve të ujërave të larta dhe atyre kulluese dhe shumë faktorë të tjerë janë vlerësuar si shkaqe me rrisk të madh në situata përmbytjeje. Shumë kanale, një pjesë e të cilave kushtëzojnë shmangien e përmbytjes, vazhdojnë të jenë edhe sot, në prag të reshjeve të stinës së dimrit, të tejmbushura dhe të bllokuara nga ndërhyrjet me ndërtime e prita të ndryshme të bëra. Bllokimi i urave e tumbinave, devijimi i rrjedhës së kanaleve të thella, mbushja pa asnjë shkak e tyre duke ndërprerë qëllimisht kullimet; janë fenomene që hasen ngado në qarkun e Durrësit. E si të mos mjaftonin këto, mosfunksionimi si duhet i stacionit të pompimit, defektet teknike dhe problemet disa herë në furnizimin me energji elektrike e kanë shtuar hartën e zonave të përmbytura nga reshjet. Gjatë ditëve të tilla vërehet se situata del jashtë kontrollit dhe gjithçka mbetet në pritje të pushimit të shirave.

Zonat më të rrezikuara nga përmbytjet

Durrësi me sistemin e rrënuar të kanalizimeve e shton edhe më tej pamundësinë për t’i shpëtuar përmbytjeve të dimrit e të pranverës. Policia e mjetet zjarrfikëse kanë mundur të bëjnë evuakuimin e disa banorëve të kateve të para, ngase në banesat e tyre përdhese uji ka hyrë mbi 50 cm. Reshjet, balta, zhavorri kanë nxjerrë jashtë përdorimi elektroshtëpiake, orendi dhe makineri të bizneseve të ndryshme private. Edhe në Arapaj, Shkallnur e Shënvlash janë vërejtur rrëshqitje të dherave dhe dëme materiale në vlera të mëdha, por bashkia e Durrësit apo komuna e Rrashbullit nuk kanë ofruar asnjë dëmshpërblim. Zona e plazhit në sektorët Hekurudha dhe Apollonia ka vite që e vuan këtë situatë. Kanali që mbledh ujërat nga Plepat për në Porto Romano dhe kanali i Shkozetit, paralelisht me të, bllokohen si nga inertet, ashtu edhe nga ndërtimet e paligjshme. Zona tek Holiday, pas shinave të trenit, është më problematike përsa i përket përmbytjeve. Zonat më të prekura në ditë të tilla janë lagja 13 në anë të hekurudhës, banesat e shtëpitë pranë Urës së Dajlanit si pasojë e bllokimit të kanalit të madh, blloku shtëpive në Nish Tulla pranë tregut, shtëpi e pallate në afërsi të shkollës “Hasan Koçi” në Shkozet, ish-fidanishtja, Spitalla, ish-këneta pranë mbikalimit të Shkozetit, lokalet dhe katet e para tek mauzoleumi i dëshmorëve, blloku i pallateve dhe bizneseve tek qendra Monun, Porto Romano… Liqenj të mëdhenj dhe të pakalueshëm krijohen në pika të tilla si: Pranvera, stacioni i trenit, mauzoleumi, stadiumi “Niko Dovana”, kompleksi i shkollave të mesme poshtë stadiumit, zona këto që paralizojnë tërësisht jetën dhe aktivitetin për disa ditë.

Prurjet nga kodra e Durrësit lëshohen të gjitha në qytet, ndërkohë që bashkia pretendon se ka investuar në infrastrukturën e qytetit duke thënë se janë zbatuar projekte të rëndësishme. Kanali i madh që nis tek spitali, përshkon Spitallën e derdhet në Porto Romano është çarë në disa vende duke lëshuar në banesa e lokale qindra m3 ujë dhe mbetje të ndryshme inerte. Ka më shumë se dhjetë vite që kanali nuk pastrohet nga bashkia e Durrësit duke përsëritur vazhdimisht situata të rënda. Vitin e kaluar kanali ka dalë disa herë nga shtrati duke u sjellë shumë probleme e dëmtime familjeve që kanë ndërtuar shtëpitë nën të. Të tilla kanale, jo vetëm këtu, bllokohen me themele ndërtesash, mure, mbeturina, inerte etj. Vetëm nga kanali i Spitallës nëse ujërat do të dilnin nga shtrati më shumë se 350 shtëpi shkatërrohen në themel nga vërshimi i ujit dhe prurjet e mëdha.

Këshilli bashkiak i Durrësit menjëherë pas situatës së krijuar kaloi një fond emergjence me vlerë 110 milion lekë. Fondi u përdor kryesisht në Plazh e në Shkozet për hapjen e një kanali dhe pastrimin e atij ekzistues. Në pjesën e parë të zonës së përmbytur në sektorin Hekurudha është vendosur një tub me diametër 500 milimetër, i cili mendohet të tërheqë ujërat që më parë bllokonin gjithë lagjen. Për të kapërcyer situatën është bërë prokurim i drejtpërdrejtë. Inxhinierët zbatues janë shprehur se janë hapur rreth 800 metër linear kanal ku më pas është futur tubi plastik.

Prefektura akuzon bashkinë për veprime të ngadalta

Prefektura e Durrësit ka bërë llogaritjet për familjet që janë prekur nga përmbytjet e muajit nëntor, dhjetor të vitit 2010 dhe të majit 2011. Në total në të gjithë qarkun janë evidentuar afro 650 familje, të shpërndara në pesë njësi vendore, në bashkinë Durrës, Shijak, Fushë- Krujë si dhe në komunat Bubq e Thumanë. Dëme ka pasur edhe në komunën Xhafzotaj e në Rrashbull por me më pak pasoja. Për të gjitha rastet, evidentimet janë bërë nga grupet e ngarkuara nga njësitë vendore dhe më pas kanë kaluar në komisionin e qarkut për t’u rikthyer në komunat e bashkitë përkatëse. Përmbytjet në muajin maj, pak ditë para zgjedhjeve për kryetar të njësive vendore kanë regjistruar afro 280 shtëpi të dëmtuara nga reshjet e ujit dhe prurjet e shumta në ish-fidanishte dhe në Spitallë. Edhe në këtë rast ka përfunduar verifikimi, llogaritja e dëmit dhe shkresat janë dërguar në bashki. Prefekti ka bërë të ditur se i është kërkuar bashkisë si dhe bordit të kullimit për të marrë në dorë situatën para se të nisin reshjet e dimrit. Përgjithësisht është vënë theksi tek detyrimi për të investuar në pastrimin e kanaleve të ujërave të larta dhe hidrovoreve që përdoren për të tërhequr ujërat e tepërta në raste përmbytjesh. Në qytetin e Durrësit funksionon një kanal i tillë i ujërave të larta, nga Plepat në Shënvlash si dhe disa të tjerë që gjenden në lagjen 14 në Shkozet dhe në lagjen 13 në Plazh. Prefektura shprehet se bashkia e Durrësit është treguar e ngathët duke mos i vlerësuar situatat. Artur Lekbello, në cilësinë e përgjegjësit të shtabit të emergjincave, ka thënë se pushteti lokal e ka marrë me ngadalësi dhe pa shqetësim çështjen duke lënë të dëmtuarit nën peshën e frikës se të tilla raste përmbytjesh do të ndodhin përsëri. Sipas prefekturës bashkia e Durrësit nuk ka projekte serioze për t’i dalë përballë situatës dhe për të shmangur përmbytjet.

 Bashkia: Nuk është bërë dëmshpërblimi i të dëmtuarve

Bashkia e Durrësit ka pohuar se ende asnjë shtëpi apo lokal i dëmtuar nga rrebeshet e shiut të shoqëruar me baltë, zhavorr e inerte të ndryshme nuk është dëmshpërblyer. Rreth 300 familje janë përfshirë në listën e bashkisë, e cila deklaron se nuk kanë pasur mundësi financiare për të zhdëmtuar objektet nga tre përmbytjet e vitit të kaluar. Në lidhje me këtë problem në bashkinë e Durrësit bëhet e ditur se për përmbytjet e vitit 2010, në muajt nëntor dhe dhjetor, është miratuar lista emërore me 210 familje në total, duke evidentuar 35 familje të dëmtuara në muajin nëntor dhe 175 disa ditë më vonë, në muajin dhjetor. Në fakt për këto përmbytje ka dalë një vendim i Këshillit të Ministrave që parashikon zhdëmtim në rastet e emergjencave civile. Personat e dëmtuar janë paraqitur në rajonet përkatëse, në rastin e bashkisë së Durrësit, dhe brenda 10 ditësh është mbyllur proçedura nga inspektorët e bashkisë, të cilët kanë bërë verifikimin rast pas rasti. Për këtë, bashkia ka hartuar dokumentacionin për secilën prej familjeve që janë përmbytur, duke e dërguar listën në qark. Ky i fundit është marrë me hartimin e preventivave, pasi më parë ka angazhuar një grup të posaçëm në terren për familjet e dëmtuara. Do të jetë qarku i Durrësit që do të marrë fondin nga Ministria e Brendshme për dëmshpërblimin e familjeve të prekura nga këto dy përmbytje. Një tjetër përmbytje me pasoja për shumë familje ka qenë ajo e fillimit të majit 2011. Për këtë përmbytje, protokolli i bashkisë së Durrësit ka marrë rreth 80 kërkesa nga ana e qytetarëve për dëmshpërblim, të cilat më në fund kanë ardhur vetëm dy ditë më parë në bashki. Tashmë bashkia do të merret me hartimin e listës përfundimtare dhe të preventivit sesa do të jetë shuma e lekëve që kërkohet për këtë qëllim dhe më pas fondi do të paraqitet për miratim në këshillin bashkiak.

Ndërhyrjet në kanalet e ujërave të larta

Banorët e disa pallateve në shumë lagje të qytetit të Durrësit protestojnë për investimet e ndryshme, që konsistojnë kryesisht në ndërtimin e objekteve disakatëshe. Investime të tilla nuk janë kujdesur për të zbatuar me cilësi projektet, ndërsa nuk kanë marrë mundimin të riparojnë defektet. Ato prishin rrugët, kanalet, kolektorët, shembin e shkatërrojnë duke mos e kthyer në gjendjen e mëparshme vendin. Infrastruktura nëntokësore jo vetëm që është dëmtuar gjithandej, por ka dalë jashtë përdorimi duke bërë që të mos funksionojë zinxhiri i kullimit. Rikonstruksioni i rrugëve, ndërtimet e objekteve të gjithfarëllojshme kanë bërë që të rritet pasiguria në ditë me reshje të shumta shiu. Banorët e pallateve shpjegojnë se pusetat e ndërtuar nga disa firma janë në kuotë më të lartë se pusetat që kanë pallatet dhe në këtë mënyrë ujërat e zeza e të bardha përfundojnë në oborret e shtëpive, në shkallët e pallateve dhe në bordurat e trotuareve nën dritaret e banesave. Në të gjithë qytetin të bien në sy gropat e hapura e të lëna për shumë vite ashtu. Ato janë kthyer në moçale dhe vend ku hidhen plehrat, ndërsa bllokojnë rrjedhjet e ujërave për në kolektorët kryesorë. Banorët shprehen se askush nuk e ka marrë mundimin për mbylljen e tyre apo pastrimin. Këto lloj investimesh bllokojnë pusetat, kanalet dhe të gjitha ujërat e larta së bashku me baltën e gurët shkaktojnë barrikada të pakapërcyeshme duke sjellë përmbytje të pashmangshme.

Drita Jakupi

Bashkia nuk ka vënë dorë fare në lagjen tonë. Kështu ndodh sa herë bie shi, në dimër e në pranverë. Na ranë këmbët duke shkuar në bashki për të kërkuar dëmshpërblim. Nuk flet njeri me ne. Jemi në pikë të hallit. Jeta në këto shtëpi na është bërë e paduruar.

Vitore Spahiu

Paguajmë taksat lokale si të gjithë qytetarët. Nuk kemi kërkuar as punësim dhe as ndonjë investim të madh. Bashkia na ka premtuar se do ta zgjidhë këtë çështje. Por kalojnë një, dy, tre dhe më shumë vite. Kryetarët e bashkisë ndërrohen, ndërsa ne në të njëjtin vend për të njëjtin hall.

Besnik Daneja

Grupi i verifikimit të dëmeve ka ardhur në lagjen tonë.Janë bërë verifikimet. Kemi shumë familje që e kanë pësuar. Reshjet dhe fatkeqësitë natyrore bëjnë dëme, por më pas shteti ndërhyn. Bashkia është treguar shumë e ngathët në këtë drejtim

Xhemal Shabani

Banesat e ndërtuara tek ish-fidanishtja përmbyten sistematikisht në rastet e reshjeve të dendura të shiut. Këtu është ndërhyrë në rrugë dhe kanalizime, por niveli i ulët i ndërtesave njëkatëshe ka bërë që ato të përmbyten të parat. Përveç rrezikut të përmbytjeve të përvitshme, ne rrezikohemi nga ujërat e zeza, të cilat dalin në sipërfaqe sa herë ka reshje të mëdha shiu.

Muhamet Musta

Nuk kanë ndërmend të merren me hallet e banorëve. Kemi mbetur jetim. Bashkia as që do t’ia dijë. Jemi ankuar gjithandej, s’kemi lënë vend pa hyrë. Po ikin ditët dhe muajt pa marrë as përgjigjen më të vogël.

Mirela Ibrahimi

Sorrollatemi sa poshtë, sa lart. Kemi mundur të tërheqim vëmendjen e inxhinierëve, të cilët e kanë parë nga afër se çfarë ka ndodhur dhe shkaqet. Nuk është e vështirë të kuptohet, pasi duket sheshit që firma nuk ka zbatuar kriteret dhe zona ndotet sot nga ujërat e zeza dhe shumë shpejt nga përmbytjet e inertet.

Enver Ajazi

Durrësi ka probleme me kanalizimet, por përmbytjet ndodhin më së shumti për shkak të përgjegjësive të qeverisë lokale. Hapen gropa, prishen kanalet, shemben tumbina, zaptohen pompat, ndërtohet pa kriter, devijohen kolektorët e ujërave… Nuk mban njeri përgjegjësi. Prandaj ndodhin përmbytjet. Kështu ngjet me ne çdo vit. Sa me ujërat e zeza, sa me rrugët e prishura dhe me kanalet.