Ujësjellësi po investon 1 milion euro për të përmirësuar sistemin e furnizimit me ujë si dhe sistemin e kanalizimeve në zonën e plazhit përpara sezonit turistik. Por qendra e Durrësit ende e merr furnizimin “me pikatore”. Problematike mbeten humbjet në rrjet, që zënë afërsisht 52 për qind
Me afrimin e sezonit turistik, vazhdon të mbetet përsëri problem furnizimi me ujë të pijshëm dhe sistemi i kanalizimeve për zonën e plazhit të Durrësit, që përballon dhe fluksin më të madh turistik në vend. Investime të shumta janë duke u kryer në të gjithë vijën bregdetare, në drejtim të furnizimit me ujë të pijshëm, por edhe ndërtimit të kolektorit të ujërave të zeza.
Projektet nuk do të përfundojnë para muajit qershor, muaj në të cilin trokasin me mijëra bujtës nga të gjitha trevat e vendit dhe ato shqiptare jashtë kufijve, për të pushuar në plazhin më të madh shqiptar. Përgjatë bregdetit ku është numri më i madh i hoteleve dhe resorteve turistikë, janë me dhjetëra puse të hapur, që në sezonin e verës shërbejnë si furnizuesit kryesorë të hoteleve dhe rezidencave të ndryshme.
Banorët e plazhit të Durrësit, e ndjejnë prej vitesh mungesën e ujit të pijshëm dhe e kanë ngritur si shqetësim madhor, jo vetëm në stinën e nxehtë, por edhe në dimër. Shumë prej familjeve në këtë zonë janë shprehur se në një situatë të tillë janë detyruar të ngarkojnë bidonët e ujit dhe t’u drejtohen të afërmve të tyre për konsum familjar, ndërsa kanë hapur edhe puse të cilat shërbejnë për shërbimet e tjera. Aktualisht, pjesa më e madhe e banorëve në zonën e plazhit furnizohet vetëm një orë në ditë me ujë të pijshëm, ndërsa humbjet në rrjet janë në masë shumë të madhe që, sipas lagjeve të ndryshme, variojnë deri në 85 për qind.
Arkëtimi nuk shkon më shumë se 30 për qind e subjekteve private dhe familjeve, çka do të thotë se as ndërmarrja Ujësjellës-Kanalizime dhe as klientët nuk i përgjigjen njëri-tjetrit në shërbime dhe pagesa. Si pasojë e gjithë kësaj situate, plazhi më i madh i vendit ka humbur konkurueshmërinë me qytetet që lagen nga Adriatiku.
Projektet
Projekti i nisur në zonën e plazhit, me investim të ndërmarrjes Ujësjellës-Kanalizime në Durrës, konsiston në ndërtimin e një rrjeti ujësjellësi të ri për afërsisht 3 mijë familje, të cilat mesatarisht do të furnizohen me ujë 15 orë në ditë. Në këtë projekt përfshihet pjesa perëndimore e kodrës së Arapajt, në kufi me shinat e trenit në Plazh, si dhe zona e Plepave që përfundon afërsisht në zonën e mbikalimit të Shkozetit. Zona në fjalë është mbipopulluar vetëm vitet e fundit.
Sipas parashikimeve, kjo zonë në 20 vitet e ardhshëm do të arrijë deri në 61 mijë banorë, nga 15 mijë që janë aktualisht. Afërsisht 3.500 matës të ujit do të vendosen në përfundim të projektit. Drejtori i ndërmarrjes Ujësjellës-Kanalizime të Durrësit, Doklead Ademi, në një prononcim për mediat, ka theksuar se humbjet në këtë zonë zënë afërsisht 82 për qind të sasisë së ujit të pijshëm në total. Punimet pritet të përfundojnë brenda katër muajsh dhe fondi i vënë në dispozicion kap shifrën e rreth 1 milionë eurove. Vendosja e matësve, ndërtimi i një rrjeti të ri ujësjellësi si dhe reduktimi i humbjeve teknike në masën 5 për qind, pritet të bëjnë të mundur që e gjithë zona të furnizohet me 15 orë ujë në ditë.
Në inaugurimin e këtyre punimeve, pak ditë më parë, mori pjesë edhe Ministri i Punëve Publike dhe Transportit, Sokol Olldashi, i cili deklaroi se ky është një projekt do të zgjidhë njëherë e përgjithmonë furnizimin me ujë të lagjes 13, e njohur si shumë problematike në vite. Ndërkaq, në datën 15 prill, pritet të përfundojë investimi i furnizimit me ujë të pijshëm i zonës nga Plepat deri tek Përroi i Agait, zonë e cila ka një numër shumë të madh rezidencash turistike, hotelesh dhe resortesh të ndryshme. Kjo zonë prej vitesh nuk është furnizuar me ujë dhe projekti parashikon që uji në këtë zonë të mbërrijë nga rezervuari i Manskurisë. Doklead Ademi thotë se ky është një prej investimeve shumë të rëndësishme që bëhet para sezonit veror. Megjithatë ende nuk është përcaktuar kontrata midis palëve për orarin e furnizimit me ujë të pijshëm.
Harta e zonave problematike të furnizimit me ujë të pijshëm në qytetin e Durrësit përfshin tre zona, të cilat në 20 vjetët e fundit nuk kanë qenë të furnizuara me ujë të pijshëm. E para është në sektorin e quajtur NISH-Tullave në Shkozet në lagjen 14, ndërsa në dy zonat e tjera janë në përfundim investimet për të siguruar furnizimin 24 orë në ditë me ujë të pijshëm. Bëhet fjalë për hyrjen e Durrësit, zonën pas “Galaktikut” ( ish-zona e kënetës) në lagjen 17, ku investimi ka përfunduar për 700 familje për të cilat më përpara nuk kishte rrjet ujësjellësi, ndërsa para sezonit veror pritet të përfundojë edhe investimi në lagjen numër 14 në zonën e Shkozetit. Investimet në rrjetin e ujësjellësit për zonën e Shkozetit përfshijnë tre mijë familje dhe janë kryer me fondet e ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve në Durrës.
2010
Arkëtimet 48%
Humbjet 75%
2012
Arkëtimet 70%
Humbjet 52%
Bregdeti
Zona bregdetare nga Ura e Dajlanit deri në Plepa përbën edhe sipërfaqen e plazhit më të madh të vendit. Banesat, hotelet dhe njësitë e tjera të shërbimit në këtë zonë duhet të furnizohen me ujë të pijshëm nga ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve të Durrësit. Drejtori i këtij institucioni, Doklead Ademi thotë për gazetën “Dyrrah” se plazhi furnizohet nga dy linja ujësjellësi, që mbulojnë respektivisht zonat para dhe pas shinave të trenit. “Në zonën para shinave, bregdeti do të furnizohet me sistemin aktual, rreth 4 orë në ditë, dhe po me të njëjtin orar është parashikuar furnizimi edhe për këtë verë.
Në zonën pas shinave po punohet për projekti e ri, i cili duhet të përfundojë në mes të muajit gusht ose në fillim të muajit shtator, ndërsa në zonën e Plepave deri tek përroi i Agait, në muajin prill përfundon investimi për furnizimin me ujë të banorëve të kësaj zone. Afërsisht një muaj më pas, deri në fund të muajit prill, përfundon investimi në të gjithë zonën e Shkozetit deri pas Gjykatës së Apelit”.
Qendra e Durrësit
Qendra e Durrësit është problematike, pasi rrjeti i ujësjellësit është i ndërtuar në vitet ’70 dhe është pothuajse i amortizuar. “Në lagje dhe zona të ndryshme, uji i pijshëm shkon në rubinetet e qytetarit i ndotur dhe i pakonsumueshëm, pohon Ademi. Vështirësia qëndron në faktin se ndërhyrja në këtë rrjet mund të bëhet vetëm duke çarë rrugët, të cilat janë të rikonstruktuara”. Natyrisht që do të ketë në një fazë të dytë një bashkëpunim me Bashkinë e Durrësit.
“Nuk mund të ndërhyhet, sepse do të krijonim probleme edhe më të mëdha me rrugët e brendshme, por aktualisht qendra do të furnizohet me pesë orë ujë në ditë”. Sipas drejtorit të Ujësjellës-Kanalizimeve, kjo është hera e parë që kjo ndërmarrje kryen investime kaq të mëdha me fondet e saj. Problematike paraqitet situata në zonat periferike të Spitallës dhe Porto-Romanos, në të cilat, sipas drejtorit Ademi, do të investohet vitin e ardhshëm.
Por pavarësisht premisave për të patur më shumë ujë në rubinete, përsëri problematikat janë të shumta në aspektin higjieno-sanitar. Drejtori i Shëndetit Publik Parësor, Vasil Ziu, është i një tjetër mendimi në lidhje me furnizimin me ujë në kohë të pjesshme duke theksuar se “shpërndarja ose furnizimi i ujit me orar do të sjellë që tubacionet të krijojnë vakuume dhe lindin shumë premisa për përzierjen e ujit të pijshëm me rrjetin e kanalizimeve. Ka ardhur koha që të investohet në rrjetin e ujësjellësit, i cili është tejet i amortizuar, duke bërë që rreziku i përhapjes së infeksioneve të jetë real, kryesisht në stinën e nxehtë”.
HUMBJET
Gjysma e ujit shkon “në det”
Buxheti i Ujësjellës-Kanalizimeve për vitin 2012 është 900 milionë lekë të reja, buxhet i cili është rritur si rezultat i arkëtimeve dhe faturimeve. Deri para vitit 2010, arkëtimet kanë qenë në shifrat 48 për qind të faturimit, ndërsa humbjet në masën 75 për qind. Aktualisht arkëtimi ka arritur në masën 70 për qind, por humbjet në rrjet janë në masën 52 për qind të ujit. Sërish humbjet në rrjet janë afërsisht sa gjysma e gjithë sasisë së ujit që niset prej stacionit të Fushë-Kuqes, rreth 40 km larg prej qytetit të Durrësit.
INVESTIMI
6 milionë euro për bregdetin
Një investim prej 6 milionë euro është duke marrë jetë në të gjithë vijën bregdetare, i cili do të konsistojë në ndërtimin e kolektorit të ujërave të zeza, që nis prej zonës turistike të Shkëmbit të Kavajës dhe lidhet me impiantin e madh të përpunimit, i cili është ndërtuar në zonën e ish-kënetës në Durrës. Ky investim i nisur një vit më parë ka si qëllim shmangien e ndotjes që ka vijuar për vite të tëra në Adriatik si pasojë e derdhjes së ujërave të zeza nga subjektet private. Punimet janë në përfundim dhe pritet që të bëhet lidhja në zonën e ish-Bllokut. Drejtori i Ujësjellës-Kanalizimeve, Doklead Ademi thotë se Qeveria shqiptare, me një fond prej 6 milionë euro, është duke shtrirë tubacionet e kanalizimeve, për të shmangur plotësisht ndotjen e madhe që është vënë re në zonën turistike në çdo sezon veror. “Tubat tashmë janë shtrirë nga zona e shkëmbit të Kavajës deri tek rezidenca qeveritare, për t’u lidhur me impiantin e ujërave të zeza. Për t’i paraprirë situatës, në funksion është vënë edhe impianti i ujërave të zeza i cili është ndërtuar nga një kompani gjermane me vlerë 12 milionë euro”. Ademi shton se impianti do të përpunojë të gjitha ujërat e zeza dhe do t’i pastrojë në masën 90 për qind për t’i shkarkuar më pas në det.