Galeria e artit pamor "Nikolet Vasia" mirëpriti këtë javë ekspozitën e piktorit kosovar Zymer Mulliqi. Artisti kosovar është një personalitet i shquar në qytetin e tij të lindjes, Pejë, ku drejton galerinë e artit figurativ të vendlindjes. Në këtë ekspozitë, të parën të hapur në Durrës, piktori pejak sjell për artdashësit 40 punime, kryesisht në teknikën e akuarelit dhe akrilikut. Pjesa më e madhe e pikturave të tij janë peizazhe nga vendlindja, e cila zë pjesën më të madhe të krijimtarisë së Mulliqit. Shtëpitë, rrugët, peizazhet dhe natyra e rrafshit të Dukagjinit, vendit ku u lind, u rrit e u shkollua, janë të kudondodhura në tablotë e ekspozuara në galerinë "Nikolet Vasia".

Ashtu siç theksoi gjatë fjalës së tij artisti i talentuar durrsak, Idriz Balani, ngjyrat e errëta, të cilat karakterizojnë pjesën më të madhe të pikturave të Mulliqit, duket sikur i japin një vjetërsi edhe më të madhe këtyre trojeve të lashta. Krijuesi, pa dyshim, për një kohë të gjatë është përqendruar tek arkitektura e pjesëve ballore të objekteve më karakteristike të trevës së tij, duke filluar nga shtëpitë e deri tek kullat dukagjinase, objekte këto që për shumë krijues të fushave të ndryshme artistike e jo vetëm ishin burim frymëzimi për realizimin e veprave e në të njëjtën kohë janë bërë pjesë e pandashme e opusit të tyre krijues. Te tablotë e Mulliqit këto imazhe spikasin si refleksione asociative duke shprehur domethënien dhe aspektin filozofik të tyre. 

Piktura e Mulliqit dallohet për përfytyrimin sa real aq dhe ireal që ajo të krijon për një peizazh të caktuar. Në shumë nga tablotë, kryesisht në peizazhet, vihet re se piktori nuk synon të bëjë një inventarizim të natyrës duke përshkruar me besnikëri në telajo sendet dhe objektet që ndodhen në të; përkundrazi ai synon të japë gjendjen emocionale duke i dhënë pikturës një stil abstrakt, por që arrin të komunikojë tek artdashësi impresionin e atij momenti në natyrë. Tablotë e prezantuara para artdashësve durrsakë ngërthejnë një botë sa asociative po aq ekspresive duke filluar nga imazhet e motiveve nga trashëgimia kulturore-historike e deri tek peizazhet e realizuara në frymën e elementëve poetikë, ekspresivë dhe simbolikë si në aspektin përmbajtësor po ashtu edhe në atë koloristik.

Në këtë dikitomi Mulliqi e mbarështron botën e vet imagjinative-asociative përmes implementimit të elementëve: ngjyrë, formë, dritë, të cilët në aspektin figurativ paraqesin një tërësi strukturore kompozicionale. Përdorimi shumë i kursyer i të kuqes, që vende-vende shfaqet në disa nga tablotë e piktorit pejak i jep gjallëri pikturës. Ngjyrat në vetvete ndërveprojnë me njëra-tjetrën duke na dhënë vepra artistike me individualitet shumë të veçantë e të spikatur. Në shumë kompozime forma asociative shkrihet në tërësinë koloristike të ngjyrave të ngrohta me ndërfutje të të kuqes, e njëherazi duke e theksuar praninë e elementit dritë, i cili së bashku me elementin hapësirë bëhet pjesë përbërëse në sendërtimin e tablove të shumta të piktorit Mulliqi. Peisazhi i artistit pejak të tërheq me forcën e tij shprehëse, me penelatën fluide e cila nuk krijon konture të qarta të objekteve, por që me fluiditetin e saj duket sikur luan me perceptimin që krijon artdashësi me peizazhin në fjalë. 

Lidhja e fortë me Durrësin

Megjithëse e bëri realitet hapjen e një ekspozite në Durrës shumë vonë, lidhjet e piktorit Zymer Mulliqi me qytetin tonë bregdetar janë të hershme. Piktori Idriz Balani nuk harroi të përmendte se vite më parë, kolegu i tij kosovar kishte qenë inisiatori kryesor i sipërmarrjes për të lidhur dy qytetet tona: Durrësin me Pejën. Lidhja e fortë që Mulliqi ka me Durrësin u theksua edhe gjatë intervistës së tij për gazetën "Dyrrah" ku ai nënvizoi se ishte një dëshirë e kahershme e tij për t'u prezantuar në një qytet me tradita, në një qytet që i ka dhënë kaq shumë artit në fusha të ndryshme të tij. Në të njëjtën kohë ai nënvizoi faktin se hapja e kësaj ekspozite në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë së vendit ka edhe një domethënie edhe më të madhe dhe ai iu përgjigj menjëherë ftesës së bërë nga kolegët e tij durrsakë dhe institucionet vendore. Zymer Mulliqi lindi më 3 korrik të 1955-ës në Raushiq të Pejës. Ai ka ndjekur shkollën e mesme artistike në qytetin e tij të lindjes për t'u diplomuar më pas në Akademinë e Arteve të Prishtinës më 1980. Ai është anëtar i shoqatës së artistëve figurativë të Kosovës dhe drejtor i galerisë së artit figurativ në Pejë. Mulliqi ka marrë pjesë në shumë ekspozita kolektive dhe individuale në Kosovë, Shqipëri e më gjerë. Është në të njëjtën kohë fitues i shumë çmimeve për vizatim, pikturë e dizajn grafik. Punimet e tij janë kryesisht në akuarel dhe akrilik, megjithëse nuk mungojnë edhe ato në grafikë, tek të cilat kolegët e tij në të gjithë trojet shqiptare brenda e jashtë vendit kanë vlerësuar teknikën mjaft të veçantë të përdorur prej Mulliqit. Piktori pejak ka hapur vitet e kaluara ekspozita individuale edhe në qytete të tjera të Shqipërisë dhe kudo është mirëpritur nga artdashësit që kanë vlerësuar punimet e tij.  

VLERËSIME 

Mustafa Arapi, piktor i njohur

Në intervistën e tij për gazetën “Dyrrah” piktori Mustafa Arapi vlerësoi punimet e kolegut të tij Kosovar dhe theksoi se teknikat e përdorura prej Mulliqit janë mjaft të veçanta, duke e bërë pikturën e tij mjaft origjinale dhe ekspresive. “Pjesa më e madhe e veprave të ekspozuara në këtë ekspozitë janë peizazhe dhe punime në akrilik. Zymeri është një nga piktorët që i përket artit ekspresionist modern dhe impresionizmit modern, sepse, vende-vende, sidomos tek akuarelet duket sikur ka të bëjë me realizimin, por ka një qëndrim tjetër që afron me ekspresionizmin dhe impresionizmin modern. Vende-vende ai bëhet abstrakt në disa tablo dhe akuarele, ku sheh se ka detaje dhe situata realiste, por ka edhe elementë që futen në mënyrë abstrakte. Zakonisht në pikturat e Zymerit nuk sheh inventarin e atij peizazhi, pasi ai kap situatën dhe gjendjen emocionale duke i dhënë një stil abstrakt, por që të jep impresionin e atij momenti në natyrë. Duket që Zymeri është profesionist shumë i mirë dhe krahas ngjyrës njeh shumë mirë dhe anën grafike”,- tha Arapi.

Idriz Balani, skulptor durrsak

Me Zymerin jam njohur kur punoja në bashki dhe ai ka qenë iniciatori i lidhjes së dy qyteteve tona. Ka pasur gjithmonë dëshirë të hapte një ekspozitë në qytetin e Durrësit, që më së fundmi ju bë realitet. Mulliqi vjen në këtë ekspozitë me një koncept dhe këndvështrim shumë të veçantë e me një teknikë shumë të kultivuar. Piktura e tij na sjell peizazhin karakteristik të Rrafshit të Dukagjinit, vendit ku lindi, u rrit dhe u shkollua. Ky piktor që parapëlqen peizazhin e trajton atë nisur nga realiteti dhe e interpreton me shkathtësi e besim të plotë duke na dhënë një përfytyrim sa real aq dhe ireal. Veprat e tij artistike, sidomos ato në teknikën e akuarelit e bëjnë tablonë e tij të veçantë. Piktori dhe kritiku i njohur Kujtim Buza do ta përcaktonte si piktorin e të papriturave për gjetjen dhe interpretimin origjinal të peizazhit. Këto peizazhe dallojnë për këndvështrimin, tematikën, kompozimin dhe kolorin e përdorur. Të bëjnë përshtypje ngjyrat pak të errëta me dritën e përqendruar, pasi duket sikur këto vende, natyra, fshati, shtëpitë janë shumë të vjetra, njësoj si lashtësia e këtyre trojeve. Përsa i përket teknikës së akuarelit, e cila dominon në pjesën më të madhe të tablove do të thosha se ky piktor ka një teknikë shumë të veçantë.