Në qytetet antike shqiptare krahas zhvillimit të madh urban që morën në anë kohë qendra të rëndësishme si Dyrrahu, Apollonia apo Butrinti, ndërtesat private dhe ato publike nisën të zbukuroheshin me mozaikë apo afreske shumëngjyrëshe e mjaft të arrira artistikisht. Për vlerat e mëdha artistike të mozaikëve të zbuluar në vendin tonë kanë folur jo vetëm arkeologët vendas, por edhe ata të huaj. Mozaiku më i hershëm i gjetur në vendin tonë është “Bukuroshja e Durrësit”, i punuar me gurë zalli shumëngjyrësh. Në shekullin e I-rë pas Krishtit u arrit lulëzimi i këtij arti dhe nga gurët e zallit u kalua në kubikë të prerë prej guri, qelqi, mermeri apo balte të pjekur. Mozaikë të tillë janë zbuluar në Apolloni, Durrës dhe Butrint. Pas shekullit te V-të motivet e mozaikut ndryshojnë nga modelet e pikturave të hershme, siç është amazonamania në Apoloni, duke u zëvendësuar me figura simetrike që qëndrojnë të shkëputura në sipërfaqe dhe që paraqesin figura kafshësh, shpendësh, pemë frutore, lule e të tjerë simbole të artit paleobizantin. Zhvillimi i mëvonshëm i mozaikëve lidhet kryesisht me monumentet paleokristiane. Të gjithë mozaikët e zbuluar deri më sot janë mozaikë horizontalë me përjashtim të mozaikut të zbuluar në kishën e amfiteatrit të Durrësit që është mozaik paretial ose mural.
Bukuroshja e Durrësit
Ky mozaik i përket shekullit IV para Krishtit dhe është i punuar me gurë zalli shumëngjyrësh. Ai ka vlera të rralla dhe shquhet për hijeshinë e figurës dhe mjeshtërinë e realizimit artistik. Mozaiku “Bukuroshja e Durrësit” u zbulua për herë të parë në vitin 1916, kur një grup ushtarakësh austriakë, mes të cilëve edhe arkeologu Camillo Prashnicher, zbuluan gjatë hapjes së një transheje 150 metra larg qendrës së sotme të qytetit një shtresë mozaiku, e cila u quajt një “kryevepër figurative e artit”. Por mozaiku i mrekullueshëm me emrin “Bukuroshja e Durrësit” është bërë i njohur në të gjithë botën shkencore vetëm në vitin 1959. Këmbëngulja e arkeologut të shquar Vangjel Toçi risolli në dritë rreth 50 vjet më parë një nga veprat më të shquara të lashtësisë. Toçi ndoqi me kujdes të dhënat e shkruara nga arkeologët austriakë në fillim të shekullit XX lidhur me praninë e mozaikut në një nga lagjet qendrore të Durrësit. Mozaiku ka formë eliptike me diametrin e madh 5.1 metra, diametrin e vogël 3 metra dhe zë një sipërfaqe afro 9 metra katrorë. Në qendër të mozaikut është figura e një gruaje të re me një qëndrim monumental, flokë të verdha, baluket e vogla i rrinë si kurore dhe mbi to dallon një diademë në formë spirale me ngjyrë të zezë. Punimi i veçantë dhe shumë delikat, sidomos fytyra engjëllore e gruas, e ka bërë këtë mozaik shumë të famshëm, duke e kthyer në një nga simbolet e qytetit tonë. Nëpërmjet linjave të zeza dhe gri evidentohen qartë konturet e hundës, mjekrës, syve dhe gojës. Mozaiku ka një punim tepër të veçantë: është ndërtuar me gurë të vegjël zalli natyral shumëngjyrësh të vendosur mbi një shtresë llaçi dhe është një nga shembujt më të vjetër të kësaj mënyre të të bërit art, zbuluar deri në kohën tonë. Ky mozaik ndodhet në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë.
Mozaiku i Amfiteatrit
Në kapelën mesjetare të ndërtuar pranë njërës nga galeritë e Amfiteatrit të Durrësit, ndodhet i vetmi mozaik mural që është zbuluar në vendin tonë. Në vitin 1968 gjatë ekspeditave për zbulimin e monumentit më të madh të vendit, arkeologët ndeshën faqet murale me figurat e shenjtorëve. Mozaiku në murin perëndimor është më i dëmtuar, megjithatë mund të dallohet, se aty paraqitet Krishti në qendër, me dy figura të vogla nëkëmbët e tij. Anash tij janë dy engjëj, ndoshta Kryeengjëjt Gabriel dhe Mihal, dhe akoma më tej, në të dy anët e tyre, janë paraqitur Shën Irena dhe Shën Sofia. Në murin jugor në njërin skaj është paraqitur Shën Stefe me duart në gjest lutjeje, ndërsa pranë tij paraqitet një skenë e madhe me persona, e kompozuar në të njëjtën mënyre si ajo në murin Perëndimor. Në qendër Shën Maria, ndërsa anash Kryeengjëjt Gabriel e Mihal. Në këmbët e Shën Marisë ndodhen përsëri dy figura të vogla, një burrë dhe një grua, që përkulen me një ndjenjë të thellë respekti ndaj saj. Engjëjt kanë veshje të oborrit perandorak bizantin, po ashtu edhe Shën Maria, e cila mban në kokë një kurorë bizantine. Në dorën e djathtë ajo mban një skeptër-kryq, në të majtën Sferën-kupolën qiellore. Kjo mënyrë paraqitjeje e Shën Marisë si Mbretëreshë e Qiellit (Maria Regina) është një koncept krejt i huaj për artin Lindor, ndërsa tepër i njohur në Perëndim. Ndërtimi i këtij mozaiku është bërë në një periudhë kur Durrësi varej politikisht nga Lindja, ndërsa nga ana fetare nga Papa i Romës (në gjysmën e dytë të shek. VI). Ky mozaik është një shembull tipik i artit në territorin e Shqipërisë së sotme për pozicionimin e tij midis dy kulturave: Lindore dhe Perëndimore.
Mozaiku i Bazilikës së Arapajt
Mozaiku është zbuluar në tetor të vitit 1981 nga studiuesi Sali Hidri dhe bashkëshortja e tij Hava. Mozaiku është një skulpturë plastike dekorative, me përmasa 66×29 dhe është një punim tepër fin. Sipas Hidrit, mozaiku ka temë fetare kristiane: në qendër të tij qëndrojnë figurat e dy barinjve njeri me shkop në dorë, ndërsa tjetri me një litar, të cilët simbolizojnë kishën dhe kujdesin e saj për besimtarët. Figurat e qenit dhe bagëtive janë vendosur pranë tyre. Tre kuajt, (i bardhë, i zi dhe ngjyrë hiri) simbolizojnë tre kuajt e apokalipsit. Mozaiku nuk ka vetëm funksion dekorativ për Bazilikën, pasi nën të është zbuluar një varr; eshtrat e gjetura tregojnë se aty janë varrosur një grua dhe një burrë. Muret më të vjetra të Bazilikës, i përkasin periudhës së Justinianit (shek. VI) dhe që nga ajo kohë e deri në ditët tona, kodrat e Shën Mëhillit, konsiderohen si vend i shenjtë. Aty janë gjetur edhe tyrbe, që do të thotë se edhe në kohën e pushtimit osman ky vend ka funksionuar si faltore. Në vitin 1974 arkeologu Sali Hidri me gjashtë punëtorë të tjerë, hoqi dheun dhe zbuloi majën e Bazilikës së vjetër rreth një kasolleje, ku në ato vite jetonte një grua e moshuar.
Mozaiku i Rozetës
Rreth 200 metra në veri të ish-merkatës së qytetit, vite më parë gjatë gërmimeve të një firme ndërtimi për hapjen e themeleve të një pallati u zbuluan rrënojat e një ndërtese të shek.I pas Krishtit dhe një mozaik me një sipërfaqe 9 metër katrorë. Eshte një mozaik me përmasa 3×3 metër dhe brenda një sfondi të kuq, të ndërtuar me copa amorfe, dallohet një rozetë 12 petalëshe, që ndodhet në qendër të një kornize me motive spiralike, simbol i detit dhe i diellit. Kornizat e këtij tipi, sipas specialistëve, janë baza e zbukurimeve të periudhës romake. Zbulimi nuk i çuditi arkeologët pasi zona njihej si lagje patricësh aristokratë. Në vitin 1947, vetëm 50 metra larg Rozetës shumëngjyrëshe, ishte zbuluar mozaiku i Hipokamit, i njohur si mozaiku me Kalë Deti. Deri në vitin 1989 mozaiku që ndodhet në thellësinë 4 metra është hapur edhe dy herë të tjera, por mungesa e teknikave për ta spostuar drejt muzeut të ri arkeologjik i detyroi arkeologët që ta mbyllnin përsëri atë. Ndërkohë rrënojat e ndërtesës ku u gjet rozeta i takojnë një insule (lagjeje romake të shek.I pas Krishtit), kur Durrësi u quajt koloni e Augustit dhe njohu një zhvillim të madh ekonomik dhe kulturor. Mozaiku është i tipit polikron (shumëngjyrësh) dhe është hera e parë që zbulohet një i tillë, i ndërtuar në këtë periudhë. Për herë të parë, krahas të bardhës dhe të zezës, futet dhe ngjyra e kuqe. Siç bën të ditur arkeologu Fatos Tartari zona përreth pallatit të sportit “Ramazan Njala” dhe deri tek Muzeu i Dëshmorëve të Luftës njihet nga specialistët e fushës si zona me përqendrimin më të madh të rrënojave antike. Prania e shumë mozaikëve në këtë sipërfaqe (Mozaiku i “Bukuroshes së Durrësit”, ai me kalë deti, i Rozetës, grupi i mozaikëve pranë pallatit të sportit, ai i lulishtes tek Muzeu i Dëshmorëve etj) lënë të kuptohet se në nëntokën e kësaj zone duhet të ketë qenë një lagje qendrore, rezidenciale e autoriteteve perandorake, civile ose ushtarake të Dyrrakiumit romak.