Flet Aleksandër Garuli, Drejtor i njësisë së zbatimit të Projekteve në Ministrinë e Mjedisit
Prej më se 20 vjetësh sektori i peshkimit një nga industritë më të mëdha dhe të rëndësishme në qytetin bregdetar të Durrësit ka shkuar drejt rrënimit total. Problemet e peshkimit janë nga më të ndryshmet, dhe nisin me mungesën e karburantit, mungesën e infrastrukturës, etj, ndërsa pronarët e anijeve të mëdha kanë gjetur një alternativë tjetër, duke importuar peshkun nga vendet fqinjë, për të përballuar kërkesat gjithmonë e në rritje të tregut vendas. Në një krah qëndrojnë problemet e mëdha financiare të peshkatarëve për shkak të problemeve që kanë me karburantin, dhe në krahun tjetër autoritetet të cilat për vite me radhë nuk i dhanë zgjidhje, ndërtimit të portit të ri, ndonëse prej 2004 Banka Islamike dha në formë kredie të butë 16 milionë dollarë amerikanë për ndërtimin e këtij porti. Por vetëm këtë javë Ministria e Mjedisit ka nënshkruar kontratën me firmën fituese të tenderit, për fillimin e punimeve të cilat parashikohen të zgjasin 2 vjet kalendarikë. Përplasjet midis Qeverisë dhe Bashkisë së Durrësit për vendin e ndërtimit të portit, tashmë kanë marrë fund, dhe të fituar janë peshkatarët të cilët këmbëngulën që porti i ri i peshkimit të ndërtohej jashtë murit rrethues të portit, në afërsi të kalatës zero, pikërisht aty ku bashkia kundërshtoi fort projektin me idenë e ndotjes së madhe mjedisore që do t’i shkaktohej shëtitores Taulantia.
Z. Garuli çfarë parashikon projekti i portit të ri të peshkimit dhe sa do të zgjasin punimet?
Që në fillim dëshiroj të theksoj se qyteti i Durrësit për fat të keq është i vetmi qytet i rëndësishëm në Adriatik që nuk ka një port peshkimi të mirëfilltë. Përpjekjet për ndërtimin e portit të peshkimit janë shumë të hershme. Ato fillojnë që para rreth 40 vitesh, që prej vitit 1972 , ku filloi hedhja e gurëve në det për ndërtimin e portit të peshkimit , iniciativë që u ndërpre që atë vit. Para vitit 1990 janë bërë edhe ka patur edhe nisje të tjera , por që gjithashtu janë lënë në harresë. Më tej përpjekjet për ndërtimin e portit të peshkimit në Durrës kanë rifilluar në vitin 1994, ku qeveria në atë vit ngriti një grup pune ndërministror për të studiuar mundësitë për ndërtimin e portit të peshkimit. Studimet për ndërtimin e portit të peshkimit u ndërprenë ne vitin 1997. Mbështetur në studimet e mësipërme si dhe në strategjinë kombëtare të zhvillimit të transportit, në Dhjetor 1998 Ministria e Transportit firmosi kontratën me kompaninë Amerikane Louis Berger Inc. për të kryer studimin për Planin e Përdorimit të Tokës në Portin e Durrësit. Ky studim përcaktoi nevojën për një planifikim me racional të sipërfaqes së portit në funksion të modernizimit dhe rritjes së volumit të punës. Në skenarët e miratuar të këtij projekti është përcaktuar ripoziconimi i portit të peshkimit në kalatën zero për të krijuar mundësinë e zgjerimit për terminalin e Ro-Ro dhe trageteve si një nga burimet kryesore të trafikut për korridorin 8-të dhe si një aktivitet me peshë të konsiderueshme në të ardhurat e Autoritetit Portual Durrës. Për sa më sipër, në vitin 2004 u iniciua studimi i fizibilitetit për portin e ri të peshkimit në Durrës me financim të Bankës Botërore. Me fondet e Bankës Botërore janë kryer këto studime në favor të ndërtimit të portit të peshkimit në Durrës:
Studimi Batimetrik
Studimi Gjeoteknik
Modelimi 3 Dimensional
Studimi i Fizibilitetit
Pas rreth 40 vitesh iniciativash dhe dështimesh për ndërtimin e portit të peshkimit Durrës, së fundmi, iniciativa më serioze është e Qeverisë aktuale që, mbështetur edhe në studimet e Bankës Botërore, nënshkroi marrëveshjen e kredisë me Bankën Islamike për Zhvillim, për financimin e ndërtimit të portit të peshkimit. Punimet për ndërtimin e portit të peshkimit do të fillojnë pas rreth tre muajsh dhe do të zgjasin, sipas projektit, për dy vite.
Duke u ndalur specifikisht tek porti i ri, a janë parashikuar elementët e tjerë, siç janë magazinat dhe si do të realizohet mbrojtja nga dallgët për motopeshkatoret?
Porti i peshkimit në Durrës do të ndërtohet sipas një projekti modern. Ai do të përfshijë një sipërfaqe ujore prej rreth 13 hektarësh dhe do të përfitohen nga deti rreth 3 hektarë terren. Ai do të ndërtohet në kalatën lindore të portit tregtar, dhe në distancë rreth 800 metra larg nga shëtitorja dhe jo përballë shëtitores siç u keqinformua opinioni nga disa media. Porti do të ketë tre pontile ku do të mund të ankorohen njëkohësisht mbi 150 anije peshkimi. Në projekt janë parashikuar infrastruktura ndihmëse për portin si dhe hapësira për mundësimin në perspektivë të ndërtimit të shkallës për riparimin e anijeve. Porti do ketë thellësi të mjaftueshme edhe për ankorimin e anijeve të peshkimit me tonazh të madh dhe do të mbrohet nga dallgëthyese me lartësi mbi 6 metër.
Pse është zgjatur pambarimisht në kohë zbatimi i këtij projekti, pasi Banka Islamike ka vite që ka akorduar shumën e kredisë edhe projekti ka qenë gati. Ku janë vënë re vështirësitë për zbatimin e tij?
Ka pasur vështirësi për marrjen e lejes nga Bashkia Durrës për ndërtimin e portit të peshkimit. Kjo ka sjellë vonesa në ecurinë e procedurale për fillimin e punimeve. Për të kapërcyer këto vështirësi u bënë ndryshime në projekt për të shkëputur portin e peshkimit nga infrastruktura rrugore e qytetit. Me projektin e ri, porti i peshkimit do të shfrytëzojë rrugët hyrëse të portit tregtar. Ky ndryshim projekti i imponuar nga bllokimi i lejes së ndërtimit e shkëput portin nga infrastruktura e qytetit duke vështirësuar lëvizjet e qytetarëve dhe kontaktet e tyre me portin e peshkimit. Ky fakt në të ardhmen bën të domosdoshëm ndërtimin e merkatës së peshkut në një vend tjetër, jashtë portit.
Në kushtet e reja të projektit, ku porti i peshkimit nuk lidhet me infrastrukturën e qytetit, leja e ndërtimit është kompetencë e KRT të Qarkut dhe e KRTRRSH. Pas pajisjes me leje ndërtimi nga këto struktura, ecuria e mëtejshme për ndërtimin e portit, ka ndjekur procedurat e Bankës Islamike për Zhvillim, të cilat tashmë janë në përfundim.
Portet e peshkimit në të gjitha vendet janë të integruar brenda qyteteve dhe në shumë raste janë në të njëjtin vend me portet e jahteve. Për të mos shkuar larg, kujtojmë se në Bari të Italisë porti i peshkimit është në zonën më të bukur turistike të qytetit, në Budva të Malit Zi porti i peshkimit është në të njëjtin vend me portin e jahteve pikërisht në shëtitoren turistike të këtij qyteti. Nuk duhet ta gjykojmë portin e peshkimit në kushtet aktuale ku është sot. Në portin e ri te peshkimit, kushtet për aktivitetin e peshkimit do jenë të pakrahasueshme me kushtet e grumbullit të anijeve të sotme
Ky projekt ka hasur në kundërshtime të forta nga ana Bashkisë së Durrësit, me pretendimin se ndërtimi i portit pranë shëtitores “Taulantia” shkakton ndotje mjedisore. Si do të bëhet e mundur shmangja e ndotjes nga ana e peshkatoreve , sepse eksperienca tregon që aktualisht, flota e peshkimit është ndotësja kryesore e basenit ujor të portit të Durrësit?
Pretendimi i Bashkisë për portin e peshkimit nuk qëndron për shumë arsye. Ky port do të ndërtohet me kushte bashkëkohore sipas një projekti modern. Projekti është pajisur me leje mjedisi sipas standardeve të BE. Portet e peshkimit të ndërtuara sipas këtyre standardeve jo vetëm që nuk krijojnë ndotje, por janë pjesë e infrastrukturës turistike në të gjitha qytetet bregdetare. Portet e peshkimit në të gjitha vendet janë të integruar brenda qyteteve dhe në shumë raste janë në të njëjtin vend me portet e jahteve. Për të mos shkuar larg, kujtojmë se në Bari të Italisë porti i peshkimit është në zonën më të bukur turistike të qytetit, në Budva të Malit Zi porti i peshkimit është në të njëjtin vend me portin e jahteve pikërisht në shëtitoren turistike të këtij qyteti. Nuk duhet ta gjykojmë portin e peshkimit në kushtet aktuale ku është sot. Aktualisht anijet e peshkimit janë në kushte që nuk plotësojnë asnjë standard bashkëkohor. Ato janë të vendosura në mënyre kaotike dhe pa asnjë kusht mjedisor. Peshkatarët janë në vështirësi të mëdha për kryerjen e aktivitetit të tyre dhe në rrezik të përhershëm për mbytjen e anijeve. Megjithëse janë në këto kushte të papranueshme, anijet e peshkimit edhe sot nuk krijojnë probleme ndotje që të vënë në vështirësi pasagjerët e trageteve që janë më pak se 50 metra afër. Në portin e ri te peshkimit, kushtet për aktivitetin e peshkimit do jenë të pakrahasueshme me kushtet e grumbullit të anijeve të sotme.
Por nga ana tjetër ka qenë edhe presioni i vazhdueshëm i Autoritetit Portual të Durrësit, i cili kërkon largimin e kësaj flote nga bankinat aktuale, me qëllim vijimin e investimit që ka po zhvillohet për terminalin e pasagjerëve…
Dëshiroj të theksoj se Autoriteti Portual ka qenë vazhdimisht bashkëpunues për problemet e peshkimit. Është shumë i justifikueshëm shqetësimi i tyre për situatën e krijuar nga ankorimi i anijeve të peshkimit pikërisht në atë vend ku po bëhet zgjerimi i kalatës së trageteve. Bllokimi i punimeve portuale shkakton një dëm të madh për ekonominë. Sigurisht, kjo është një situatë e padëshirueshme për të gjithë, në radhë të parë për peshkatarët që janë në ato kushte, por po aq problem edhe për Autoritetin Portual që pengohet në aktivitetin e tij. Ndërtimi i portit të ri të peshkimit do të sjellë zgjidhjen e këtyre problemeve të mëdha. Porti i peshkimit është një pasuri e qytetit të Durrësit. Ndërtimi i këtij porti do t’i japë Durrësit një pasuri të munguar në vite.
AKU
Peshku në treg nga importi
Nga të dhënat që bëhen të ditura nga Agjensia Kombëtare e Ushqimit në Durrës, janë 15 stabilimente që kanё tё drejtёn e eksportit pёr peshkun e freskёt dhe produkteve tё peshkut nё BE. Nga kёto 5 kompani bёjnё pёrpunim dhe ambalazhim tё peshkut (açuge,sardele) nё madhёsi, formё dhe shije tё ndryshme dhe tё tjerat eksportojnё peshk tё freskёt, i peshkuar nga anijet e peshkimit nё detin Adriatik dhe Jon. Në treg është jo vetëm e vështirë të gjendet peshk i freskët, por në 95% të tij janë prodhime të cilat importohen nga shtete, si India Ekuadori, Indonezia etj. Këto të dhëna vijnë nga një prej stabilimenteve më të mëdha të peshkut në Durrës, stabiliment i cili vetëm këtë javë importoi mbi 5 tonë prodhime deti të ngrira . Aktualisht nga vendi ynë drejt Italisë dhe Greqisë eksportohet 500 tonë prodhime deti,ku vetëm 100 tonë janë prodhime të freskëta, ndërsa 400 tonë janë prodhime të konservuara, ku lënda e parë është importuar nga shtete të ndryshme është ambalazhuar në Durrës, dhe niset sërish drejt vendit të origjinës. Importi i karkalecit bëhet nga Ekuadori dhe India. Llojet e tjera importohen nga Spanja Italia, Indonezia etj. Sipas AKU importet janë në shifra disa herë më të larta për të përballuar nevojat e tregut vendas.