Nënkryetari i bashkisë së Durrësit, Adrian Çela, në një prononcim për gazetën “Dyrrah” ka shpjeguar vizionin e bashkisë për zhvillimin urbanistik të qytetit që, sipas tij, duhet të bazohet në ndërtimin e disa qendrave dhe investimeve paralele. “Mendoj se ligji i ri “Për planifikimin urban” është i domosdoshëm, por bllokon dhe shkakton asfiksi për biznesin e ndërtimit, por dhe vonesat në aplikimin e tij po japin kosto mbi biznesin dhe bashkinë” thotë Adrian Çela. Nënkryetari i bashkisë ka reaguar edhe në lidhje me portin e peshkimit, që sipas tij është në kundërshtim në frymën e planit rregullues që nuk parashikonte investime të kësaj natyre në jug të qytetit, ku ish parashikuar ndërtimi i një porti jahtesh.
Cili është vizioni i bashkisë së Durrësit për zhvillimin urbanistik të qytetit?
Bashkia e Durrësit ka pasur parasysh dy parime të rëndësishme në zhvillimin e qytetit. Shtrirjen e tij në zonat e paprekura dhe krijimin e disa qendrave në qytet. Koncepti ynë është për një qytet më të mirë për të jetuar. Kjo gjë fillon me adresaturat kryesore të një qyteti, evidentimin e tipareve kryesore turistike të qytetit, orientimin e zhvillimeve të qytetit në drejtimin lindje-perëndim , duke e kërkuar vizionin e qytetit me orientim nga deti. Në fakt në këndvështrimin e zhvillimeve urbanistike të qytetit nga pushteti qendror, ka një orientim drejt veriut dhe zonës së Porto Romanos, në një kohë që në zonën e ish-kënetës nuk dihet se ç’lloj industrie do të zhvillohet. Nuk dihet në do të kemi park energjitik, apo industrial, nuk dihet nëse do të jetë industri përpunuese apo magazinim. Këtu ne kemi një diferencim të skajshëm me vizionin e zhvillimit të pjesës së energjisë me probleme ndotëse, pasi do të përdoren karburante qymyri dhe nafte me kimikate në dëmshme, në një kohë që ne jemi për një zhvillim të turizmit pa ndotje. Nëse shikojmë me kujdes planin e ri rregullues vërejmë se jugu i qytetit perceptohet si një zonë ku parashikohet ndërtimi i një porti jahtesh me të gjithë infrastrukturën e nevojshme, në një kohë që në mënyrë kontradiktore qeveria ka miratuar projektin për një port peshkimi. Siç e thashë më parë, ne jemi për një qytet multicentral ku qytetarët, duke pasur qendrat e reja, ndjehen dhe ata pjesë e natyrshme e qytetit. Nuk duhet të ketë më qytetarë të kategorisë së parë dhe të dytë, por të jetë një qytet gjithë përfshirës me shërbime të cilësisë së lartë, gjelbërim, rrugë të asfaltuara, kopshte, çerdhe dhe të gjithë aksesorët e tjerë që përfshin një qytet i kohëve moderne. Për të zbatuar këtë strategji, ne kemi zbatuar disa projekte dhe jemi në vijim të projekteve të tjera. Vizioni ynë për realizimin e këtyre projekteve ka qenë paralel pra, e thënë ndryshe, ne i kemi prekur të gjitha zonat që qytetarët të mos ndjehen të diferencuar.
Sa dhe si kanë ndikuar konkretisht investimet e bashkisë në zhvillimin urbanistik të qytetit?
Janë disa investime të rëndësishme që kanë ndikuar pozitivisht në zhvillimin urbanistik të qytetit të Durrësit si p.sh. investimi te hyrja e qytetit të Durrësit, shëtitorja, bulevardi, stacioni i trenit etj. Nuk do lë këtu pa përmendur investimet në shkolla, kopshte etj. Në zonën e ish-kënetës kemi një projekt shumë ambicioz, pasi kemi aplikuar në KE, në një projekt që kap vlerën e 1 milion euro, që parashikon ndërtimin e një kopshti dhe një çerdheje me kapacitet 150 fëmijë si dhe sistemimin e të gjithë rrugëve lidhëse që lidhin kopshtin me shkollën 9-vjeçare ekzistuese dhe shkollën e mesme që po ndërtohet, përfshi këtu të gjithë infrastrukturën nëntokësore.
Një projekt tjetër që ndikon në zhvillimin urbanistik të qytetit është dhe projekti për sistemimin e shëtitores nga Vollga te plazhi i Currilave dhe vazhdimin e sistemimit në zonën e Kallmit. Aktualisht kemi bërë studimin dhe kemi kaluar në fazën e projekt zbatimit në përputhje dhe me planin rregullues që është hartuar me Bankën Botërore dhe që është në fazën e aprovimit në KRTRSH dhe Ministrinë përkatëse. Ky projekt realizimi nuk mund të bëhet në katër vite, por do më shumë kohë. Në këtë kuadër kërkohet një mirëkuptim dhe përfshirje më e gjerë nga ana e institucionit të bashkisë. Studio që do të fitojë garën do të ketë konsultime të gjera me grupe të caktuara interesi si pronarët, arkitektët, ndërtuesit etj. Zhvillimi i ardhshëm i qytetit të Durrësit lidhet ngushtë me këtë port turistik, me këtë shëtitore, me këtë zonë turistike që do të zhvillohet. Si fazë e parë e investimit mendohet të jetë investimi në plazh, shëtitore deri në Currila. Një projekt tjetër perspektiv do të jetë faza e dytë dhe faza e tretë e sheshit “Iliria” që përfshin jo vetëm pjesën midis bashkisë dhe pallatit të kulturës, por dhe pjesën e rotondës nga pas. Po kështu do të përfundojmë investimet në lagjen 18 dhe do të vazhdojmë më pas drejt zonës së Spitallës, pra dhe sipas planit rregullues ka një shtrirje të qytetit drejt zonës së ish-kënetës. Gjithsesi mund të them se aktualisht kemi të bllokuar investimin për rrugën hyrëse të qytetit të Durrësit dhe jemi në pritje të një përgjigje nga ana e Ministrisë së Transporteve për rifillimin e punimeve.
Cilat sipas jush janë efektet që ka dhënë bllokimi i KRT-së për biznesin dhe bashkinë e Durrësit?
Që nga shtatori KRT-ja është e pezulluar dhe, me ligjin e ri, përgjegjësia mbi lejet e ndërtimit bie mbi kryetarin e bashkisë. Natyrisht që së pari kërkohet miratimi i planit rregullues që me sa shikoj unë do të zgjasë dhe disa muaj të tjerë. Kjo do të thotë garanci për ndërtime me plan rregullues dhe standarde nga njëra anë, por edhe asfiksi për biznesin e ndërtimit dhe qytetarët që duan të ndërtojnë. Mendoj se ligji i ri “Për planifikimin urban” është i domosdoshëm, por bllokon dhe shkakton asfiksi për biznesin e ndërtimit, por dhe vonesat në aplikimin e tij po japin kosto mbi biznesin dhe bashkinë. Shikojeni aktualisht se në çfarë derexheje është katandisur biznesi i ndërtimit si rezultat i bllokimit të lejeve të ndërtimit. Një problem tjetër që duhet parë është dhe buxheti i bashkisë që zbrazet dukshëm, pasi rreth 30% të të ardhurave i kemi pikërisht nga ky biznes. Qeveria duhet të na dëmshpërblejë për pjesën që humbasim. Në një këndvështrim parimor ligji është pozitiv, pasi bazohet në planin rregullues dhe çdo gjë do të centralizohet në bazë të këtij plani. Ligji pra formaton normat për ndërtimet e reja në qytetin e Durrësit. Kriteret janë tepër strikte dhe tepër të ngurta, gjë që do të thotë një “ligj i mirë”, por me pasoja për biznesin e ndërtimit dhe pronarët e truallit. Personalisht jam skeptik se si do të zhvillohet qyteti me këtë plan, në këndvështrimin e ligjit “Për planifikimin e territorit “. Gjithsesi jemi para faktit dhe duhet ta pranojmë atë. Zgjidhja e mundshme do të konsistonte në limitimin e kateve të banimit, por me rritjen e koeficientit të shfrytëzimit. Me planifikimin aktual, koeficienti i shfrytëzimit është 10% dhe lartësia pa limit, në një kohë që ky koeficient duhet të shkojë te 40-50-ose 60% dhe lartësia mund të jetë deri në 6 kate. Më konkretisht nëse ke 5000 m ² truall, nuk e shfrytëzon më shumë se 10% deri në 10 kate. Ky ligj nuk bind as ndërtuesit dhe as pronarët e trojeve. Mendoj se të paktën për 4-5 vite biznesi i ndërtimit do të bllokohet totalisht pasi do të mungojë interesi i ndërtimit nga njëra anë dhe interesi i pronarëve të truallit nga ana tjetër.
Kriteret janë tepër strikte dhe tepër të ngurta, gjë që do të thotë një “ligj i mirë”, por me pasoja për biznesin e ndërtimit dhe pronarët e truallit. Jam skeptik se si do të zhvillohet qyteti me këtë plan, në këndvështrimin e ligjit “Për planifikimin e territorit “.Zgjidhja e mundshme do të konsistonte në limitimin e kateve të banimit, por me rritjen e koeficientit të shfrytëzimit. Me planifikimin aktual, koeficienti i shfrytëzimit është 10% dhe lartësia pa limit, në një kohë që ky koeficient duhet të shkojë te 40- 60% dhe lartësia mund të jetë deri në 6 kate…Ky ligj nuk bind as ndërtuesit dhe as pronarët e trojeve. Mendoj se të paktën për 4-5 vite biznesi i ndërtimit do të bllokohet totalisht pasi do të mungojë interesi i ndërtimit nga njëra anë dhe interesi i pronarëve të truallit nga ana tjetër
Përsa i përket planit rregullues mendoj se është një plan rregullues bashkëkohor, i cili është diskutuar me grupet e interesit, por qëndron problemi që thamë pak më parë që në kundërshtim me frymën e këtij plani, në jug të qytetit nuk zbatohet projekti për një port jahtesh, por për një port peshkimii. Ky investim bie në kundërshtim me frymën e planit të ri rregullues, që gjithashtu po përshtatet sipas vizionit të qendrës në investimet në veri të qytetit. Plani është hartuar falë projektit të bankës botërore mbi “Menaxhimin dhe Administrimin e tokës”me një fond prej 56 milion dollarësh amerikanë në harkun kohor të viteve 2007-2011. Ky plan ka qenë pjesë e projektit për hartimin e planeve të përgjithshme të disa qyteteve si Durrësi, Shkodra, Vlora si dhe Kamza. Në fakt plani është bërë nga studioja urbanistike “Hidea", me qendër në Firenze të Italisë. Plani shtrihet në 15 vjet perspektivë. Durrësi ndahet në zonën industriale, zonën e portit, në qendrën e qytetit si dhe në sipërfaqet e gjelbra. Zhvillimi i zonës industriale, e cila përfshin Porto-Romanon dhe Spitallën, është përcaktuar nga qeveria. Porti gjithashtu është përcaktuar nga qeveria, por studioja ka parashikuar hapjen e tij për banorët dhe jo të mbetet një zonë e mbyllur si repart ushtarak. Qendra e qytetit është konceptuar si një zonë shërbimesh. Po kështu është përcaktuar edhe zhvillimi i zonës turistike, e cila do të shtrihet në pjesën ekzistuese, por edhe në veri të zonës së Currilave. Ndërkohë, studioja e huaj ka parashikuar zhvillimin e objekteve në shërbim të komunitetit, sikurse janë spitalet, qendrat sociale, shkollat, qendrat sportive e të tjerë që përmbledh kjo kategori. Meqenëse territoret në Durrës tashmë janë zënë, plani ka parashikuar që ato të sigurohen nga pronarët e tokës.