Busti i Shën Pelinit, shenjtorit me origjinë nga Durrësi, ka mbërritur në Katedralen Shën Luçia. Besimtarët e kishës së Blinishtit në Lezhë sollën pasditen e së enjtes në Durrës, bustin e martirit Shën Pelini, i shpallur shenjtor nga Vatikani në vitin 668 pas Krishtit. Në program për t’u ekspozuar në katedralen Shën Luçia ishin dhe reliket e shenjtorit, por siç tregon imzot Damian Kurti, famulltari i kësaj kishe, kundërshtia e banorëve të Corfinios, një qytezë e vogël në zonën e Abruzzos, Itali, ka bërë që reliket të qëndrojnë atje ku janë.
Konflikti për reliket
Rreth një vit më parë autoritetet kishtare shqiptare dhe italiane patën rënë dakord për të sjellë në Shqipëri reliket e Shën Pelinit, por reagimi i banorëve të zonës u shoqërua me shtyrjen e përkohshme të këtij vendimi. Për shumë vite me radhë, shën Pelini ka shërbyer si ipeshkëv i Brindizit e në nderim të figurës së tij, banorët e kësaj zone i kanë vënë emrin e tij një fshati dhe një kishe. Reliket e shenjtorit të lashtë janë një nga gjërat më të çmuara e të vlerësuara nga besimtarët katolikë, sidomos ata të brezit të vjetër, që kanë këmbëngulur me forcë për mos zhvendosjen e tyre. Në pamundësi të sjelljes së relikeve, besimtarët katolikë janë mjaftuar me sjelljen e bustit nga kisha e Blinishtit. Një delegacion i besimtarëve katolikë të Lezhës ka mbërritur në Durrës e me këtë rast është organizuar një procesion i vogël nga sheshi para bashkisë së qytetit deri tek kisha Shën Luçia. Autoritetet vendore kishtare kanë organizuar një program 4 ditor në nderim të Shën Pelinit. Kështu, për tri ditë me radhë, nga e enjtja në të shtunë, në katedrale u mbajtën mesha të shenjta në kujtim të martirit durrsak. Ndërkohë ditën e dielë është parashikuar promovimi i librit për Shën Pelinin, promovim që do të bëhet në ambientet e Pallatit të Kulturës, nën kujdesin e bashkisë së qytetit dhe shoqatës “Durrësi”. Sipas imzot Damian Kurti, këto veprimtari fetare e jo vetëm janë një detyrim për figurën e shenjtorit me origjinë nga Durrësi, i cili sakrifikoi jetën e tij në shërbim të fesë dhe zotit Jezu Krisht. Vlerësimi për nxjerrjen nga pluhuri i kohës i të dhënave për Shën Pelinin u takon besimtarëve të Kishës së Marsikanëve, në Abruzzo të Italisë si dhe prof. Angelo Melchiorre, historian i njohur në Abruzzo, që ka botuar shumë libra mbi historinë kishtare marsikane dhe prof. Antonio Masci, diakon, ekspert i latinishtes, me studime në fushën humaniste, patristike dhe ekleziologjike. Kisha e Avecanos ka 20 vjet marrëdhënie të mira me Kishën në Shqipëri, pikërisht për hir të misionarit “Fidei Donum”, don Antonio Sharra, i cili ka punuar në Blinisht, nga ku erdhi dhe busti i Shën Pelinit, që do të qëndrojë i ekspozuar në Katedralen Shën Luçia për katër ditë me radhë. Puna e tij dhe e shoqatës “Rindërtimi”, i kthyen krishterimit në Shqipëri, dy shenjtorë: Shën Danaktin, diakon i Vlorës, martirizuar nën persekutimin romak dhe Shën Pelinin, murg i formuar në shkollën e Shën Bazilit.
Jeta e Shën Pelinit
Shën Pelini, që mendohet të ketë lindur në Durrës në vitin 620, pasi ka shërbyer për pak vite si prift në qytetin e tij të lindjes, është zhvendosur më pas në Brindizi, në Itali, ku shërbeu si ipeshkëv i asaj zone. Nën regjimin e perandorëve romakë Eraclio I dhe Costante II, priftërinjtë katolikë përndiqeshin pasi proklamonin në popull besimin monoteist, në kundërshtim nga besimi i asaj kohe që adhuronte shumë zota. Përplasjet mes Romës dhe Bizantit në atë kohë u shoqëruan me arrestimin e papës Martino I dhe internimin e tij në Cherson (Krimea), ku dhe vdiq. Besnikëria e Pelinit ndaj kishës katolike solli prishjen e marrëdhënieve të tij me autoritetet e Kostandinopojës. Pas vdekjes së ipeshkut Procolo, Pelini u caktua në krye të dioqezës së Brindizit, por funksionarët e perandorisë Bizantine pas urdhrit të basileus (pushtetarit) e internuan në Corfinio, ku u dënua me vdekje dhe mendohet se u ekzekutua së bashku me dishepujt e tij në 5 dhjetor të vitit 662. Pas vdekjes së Pelinit, pasardhësi i tij në dioqezën e Brindizit, Ciprio, u përkujdes që martirit t’i akordohej titulli shenjtor në vitin 668. Në po ato vite shkruhet jeta e Shën Pelinit, që mendohet se është realizuar nga vetë Ciprio. Për shekuj me rradhë, Shën Pelini ka qenë mbrojtësi i Brindizit së bashku me Shën Leucio. Në vitin 1771, në Katedralen e Brindizit iu dedikua një altar, ku është vendosur piktura e Oronzo Tiso-s, që përshkruan martirizimin e shenjtorit. Ai është mbrojtës gjithashtu i dioqezës së Sulmona-Valva-s, ndërkohë që një bazilikë dedikuar shenjtorit ndodhet në Corfinio, vendi ku ai vdiq. Kulti i tij është mjaft i përhapur në Marsica e në nderim të Shën Pelinit një fshati në afërsi të Avezzano-s i është vënë emri i tij. Mendohet se shenjtori ka qëndruar aty gjatë kthimit nga një udhëtim në Romë. Ndërkohë vlen të theksohet fakti se në disa dokumenta të tjera që i referohen Martirizimit Romak, Shën Pelini mendohet se ka jetuar në shekullin e IV-t e jo në të VII-in. Sipas burimeve lokale, Pelini është konsideruar gjithnjë si pasardhës i Arqipeshkut Leucio. Në të njëjtat dokumente thuhet se kur vdiq, Shën Pelini kishte 85 plagë në trup. Në një meshë të shenjtë organizuar rreth një vit më parë në Kishën e Shën Mëhillit Kryengjëll, ipeshkvi i Sulmonës, imzot Spina në homelinë e rastit nënvizoi se,- “Shën Pelini lindi në Durrës, në tokën shqiptare, e dha gjakun për fenë në Krishtin Zot e Shpëtimtar, në mbrojtje të të vërtetave ungjillore në tokën marsikane, në Korfirio, 50 km afër Avecanos. Prandaj Shën Pelini është një personalitet i ndritur që na mëson artin e vëllazërimit e të solidaritetit”.
MARTIRËT
Kërkesë Vatikanit për shenjtërim
Autoritetet kishtare katolike shqiptare janë në pritje të një përgjigjeje nga Vatikani përsa i përket kërkesës së tyre për shpalljen shenjtorë të 40 priftërinjve katolikë nga Durrësi dhe Shkodra, të martirizuar gjatë regjimit komunist. Siç rrëfen imzot Damian Kurti, mes emrave të priftërinjve janë edhe ato të imzot Vinçens Prenushit, Dom Anton Zogajt me shokë, të njohur në Durrës për kontributin e dhënë për përhapjen e fesë së krishterë. Sipas Kurtit, autoritetet shqiptare kanë plotësuar të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, që përmban ndër të tjera dokumente shkresore të nënshkruara nga besimtarë apo priftërinj katolikë ku përshkruhet veprimtaria e këtyre priftërinjve, kontributi i dhënë nga ata në ndihmë të komunitetit si dhe viktimizimi i tyre nga pushteti i asaj kohe, që shumë priftërinj i ekzekutoi apo i dënoi në burgjet më të tmerrshme ku dhe gjetën vdekjen. Famulltari i kishës Shën Luçia beson se Vatikani do ta pranojë kërkesën e autoriteteve shqiptare pasi njihet botërisht raprezalja që regjimi komunist ushtroi për shumë vite me radhë ndaj njerëzve të fesë dhe priftërinjve katolikë në përgjithësi. Në formularin me 30 pyetje që duhet plotësuar dhe dërguar Vatikanit për të kërkuar shenjtërimin e një apo disa personave kërkohet të mblidhen dhe dokumentohen shumë të dhëna që hedhin dritë mbi veprimtarinë e shenjtorëve të ardhshëm dhe kontributin e dhënë prej tyre në mbrojtje të të vërtetave ungjillore dhe në ndihmë të komunitetit ku shërbenin.
JOSEF MARXEN
Martiri që shërbeu në Jubë
Krahas emrave të njohur në rrethin e komunitetit katolik të qytetit tonë si priftërinjtë: arqipeshkvi i Durrësit, Vinçens Prenushi apo Dom Anton Zogaj, famulltari Damian Kurti bën të ditur se në listën me 40 emra që i është dërguar Vatikanit, përfshihet edhe një prift katolik gjerman që ka punuar në fshatin Jubë të rrethit të Durrësit. Sipas Kurtit, i cili i referohet dokumenteve të Kishës katolike, prifti Josef Marxen, i lindur në Gjermani në vitin 1901, mbërriti në Shqipëri para luftës së dytë botërore dhe ishte misionari i parë në zonën e Kthellës, në Mirditë në vitet 1938-1946. Në vitin 1943 ai nisi të shërbente në fshatin Jubë të Durrësit. Siç tregon imzot Kurti, vëllai i priftit Marxen, ishte një funksionar i lartë i ushtrisë gjermane dhe gjatë kohës së tërheqjes së trupave të Hitlerit nga Shqipëria i kërkoi të Josef-it të ikte me ta. Por ai nuk pranoi. Duke iu referuar dokumenteve kishtare, Josef Marxen, u arrestua në Tiranë në 11 mars 1946 dhe u dënua me dy vjet burg. Ai u vra në një pyll gjatë rrugës për Kosovë. Eksponentë të regjimit komunist e dërguan atje me mashtrimin se do ta ndihmonin të kalonte kufirin, por më pas e vranë duke përhapur lajmin se kërkoi të arratisej. Sipas dokumenteve zyrtare të kohës vrasja e tij është bërë në 16 nëntor 1946. Ndërkohë, nga dëshmi të tjera të besimtarëve, del në dritë se arrestimi i parë i Josef Marxen u bë në qytetin e Durrësit, por disa ditë më pas ai u la i lirë. Në atë kohë, një delegacion besimtarësh të vjetër nga fshati Jubë i kërkuan autoriteteve shtetërore lirimin e tij. Por rreth tri javë më vonë, Marxen u arrestua sërish dhe u dërgua në Tiranë. Në këtë rrethanë, komuniteti i zonës së Jubës, ku Marxen kishte shërbyer edhe si mjek, nuk mundi të bënte asgjë për lirimin e tij.