Romani “Labirintet e tranzicionit“ dhe vëllimi “Qorrollepsiet e të shtirurve“ përcjellin ngjarje historike nëpër të cilat ka kaluar populli çam
Pas botimit të vëllimit poetik “S‘e kam nxjerrë në ankand Çamërinë“ dhe maketit të historisë së Çamërisë në publiçistikë “Çamëria …. sfidë pro paqes“, shkrimtari Kadri Aliu ka prezantuar në Odeonin e pallatit të kulturës “Aleksandër Moisiu“ dy librat e tij më të rinj, romanin “Labirinthi i një tranzicioni“ dhe vëllimin me novela dhe tregime “Qorrollepsia e të shtirurve“. Në ceremininë e rastit kanë marrë pjesë përfaqësues të lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve, qytetarë durrsakë, përfaqësues të komunitetit çam prej të cilit e ka origjinën shkrimtari, si dhe kryetari i Këshillit Bashkiak të Durrësit, Indrit Hamiti. Kryetari i lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve të Durrësit, Nikolla Spathari, e ka konsideruar krijmtarinë e Kadri Aliut si një vepër profesionale që ka në brendësi të saj jo vetëm realitetin shqiptar të tranzicionit dhe më gjerë, por dhe një stil origjinal dhe të ndjeshëm. Drejtues të shoqatës “Çamëria“ kanë vlerësuar kontributin artistik dhe historik të Kadri Aliut për çështjen çame.
Një vlerësim të veçantë për autorin dha shkrimtari Fatmir Minguli, i cili duke ju referuar vëllimit me tregime dhe novela “Qorrollepsjet e të shtirurve“ thekson se,- “në këtë libër shkrimtari paraqitet dinjitoz para lexuesve, pasi në novelat dhe tregimet e tij jepen ngjarje të vërteta me një stil origjinal“. Sipas Mingulit risi në krijimtarinë e Aliut është trajtimi origjinal i novelave heroike si psh tregimi “Aty do të ngrihet altar“ duke mbushur një boshllëk që ka letërsia shqipe në këtë drejtim. Minguli thekson se,- “në krijimtarinë e Kadri Aliut vjen shpirti i popullit çam, dinjiteti dhe trimëria e të parëve, pastërtia etnike dhe dashuria njerëzore“. Në krijimtarinë e tij, Kadri Aliu është tepër kërkues ndaj stilit të narracionit, duke qenë skrupuloz deri në gjetjen e emrave karakteristikë si në tregimin “Qorrollepsje e të shtirurve“ ku masakra greke jepet me vërtetësi të ndritshme dhe tronditëse. Shkrimtari ka tendencën për t‘i kthyer ngjarjet historike në letërsi tradicionale me ngjyrime të kohës së sotme. Kështu ndodh me tregimet e shkurtra, por delikate si “Bujari ngjethëse“, “Vetëm …. pesë vetë“ etj.
Stili i autorit është impulsiv dhe tronditës në njërën anë, por dhe luftarak në anën tjetër. Një pjesë e ngjarjeve janë të jetuara dhe vërtetësia është me të vërtetë tronditëse. Një model i tillë është tregimi “Metamorfoza“, ku ngjarjet vijnë në një frymë të vërtetë ekzistencialiste. Kadri Aliu sjell përmes tregimeve dhe novelave shumë dashuri njerëzore, çdo tregim ka muzikalitetin që sjell mirësia në mes të njerëzve. Një vërtetësi akoma dhe më të madhe, një këndvështrim akoma dhe më origjinal ka Kadri Aliu dhe romanin e tij “Labirinthi i një tranzicioni“, ku pasqyrohet plot vërtetësi kalvari i jetës së një njeriu që përballet me egërsinë e diktaturës, me hipokrizinë dhe kurthet e një jete të vështirë, por dhe me fatin që herë e ul dhe herë e ngre, si një dallgë që përplaset pa mëshirë. Njeriu që ka humbur pasurinë; gjysmën e ka lënë në Greqi dhe gjysmën tjetër ia grabit regjimi komunist, kalon sfidat e jetës duke parë humbjet dhe humnerat e internimit dhe vdekjeve, por duke u ringritur dhe duke çarë përpara.
Autori në mënyrë origjinale ka hedhur idenë se kënaqësia e kësaj jete nuk vjen nga paraja, por nga vlerat njerëzore të cilat nuk duhet që të shkelen me këmbë. Ai e ka parë realitetin e tranzicionit kur në skenë u rikthyen edhe figura që dikur i shërbenin regjimit të vjetër dhe kjo e bën personazhin kryesor të vuajë, të tërhiqet dhe më pas të futet përsëri në rrjedhën e fortë të jetës. Shkrimitari i nxjerr të vërtetat ashtu siç janë, duke flakur hipokrizinë dhe kompromisin dhe duke ngritur piedestalin e njeriut që mund të ndërtohet vetëm mbi vlera. Gjithsesi për të kuptuar më mirë vlerat e librit, mesazhet e tij dhe kënaqësinë estetike, mënyra më e mirë është që të lexohet me vëmendjen dhe përqëndrimin që me të vërtetë e meriton.