Shqipëria në vendin e 95 nga 183 shtete të përfshira, me notën 3.1

Shqipëria renditet 8 vende më poshtë në klasifikim se në 2010

Korrupsioni vazhdon të jetë shkatërrues për shumë vende në botë, sipas Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit (CPI) të Transparency International të bërë publik ditën e sotme. Ky indeks tregoi dështimin e shumë qeverive në mbrojtjen e qytetarëve nga korrupsioni, qoftë kjo nëpërmjet abuzimit me burimet publike, rryshfetet apo vendimmarrjet e fshehta.

Transparency International e vlerëson 2011 si vitin e krizës në qeverisje duke theksuar se protestat në mbarë botën ishin tregues i zemëratës me korrupsionin në politikë dhe sektorin publik, të nxitura nga mungesa e stabilitetit ekonomik dhe perceptimet e dukshme të qytetarëve mbi mungesën e transparencës se liderëve e institucioneve të tyre publike.

Këtë vit e kemi parë korrupsionin të jetë kryefjalë në pankartat e protestuesve qofshin këta të varfër apo të pasur. Si në Europën e goditur nga kriza e borxhit ashtu edhe në botën Arabe me fillesat e një epoke të re politike, liderët politikë duhet të përcaktojnë në axhendë kërkesat për qeverisje më të mire. Për këtë arsye, Transparency International bën thirrje për rritjen e përgjegjshmërisë dhe implementimin rigoroz të ligjeve anti-korrupsion, duke kujtuar se përpjekjet në kohë për të përmirësuar transparencën mund të jenë të suksesshme nëse janë të qëndrueshme dhe me përfitim për njerëzit.

Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit (CPI) 2011: Rezultatet

Indeksi realizoi përllogaritjen e pikëve për 183 vende e territore sipas një intervali nga 0 (shumë të korruptuara) drejt 10 (shumë të pastra) bazuar mbi nivelet e perceptuara të korrupsionit në sektorin publik. U përdorën të dhëna nga 17 sondazhe të cilat analizuan faktorë të tillë si zbatimi i ligjeve anti-korrupsion, aksesi ndaj informacionit dhe konflikti i interesit. Kërkimet dhe analizat për CPI 2011 janë realizuar gjatë periudhës Dhjetor 2009 – Shtator 2011.

Dy të tretat e vendeve të përfshira në analizë shënuan më pak se 5 pikë.

Pikët më të larta në CPI 2011 i ka marrë Zelanda e Re me 9.5 pikë, e ndjekur nga Finlanda dhe Danimarka me 9.4; dhe Suedia me 9.3 pikë. Duke reflektuar stabilitet politik dhe institucione publike funksionale. Ndërkohë në fund të klasifikimit vazhdojnë të mbeten qeveritë e paqëndrueshme dhe me konflikte të trashëguara, si Afganistani e Mianmar me 1.5 pikë, dhe Somalia e Korea e Veriut (e përfshirë për herë të parë në indeksin e CPI)në vendin e fundit me 1.0 pikë. Vendet e Eurozonës të goditura nga krizat e borxhit, pjesërisht për shkak të dështimit të autoriteteve publike në kapjen e rryshfetit dhe evazionit fiskal si shkaqet kyce të krizave të borxhit, u klasifikuan mes vendeve të BE me pikët më të ulëta.

Shqipëria shënon 3.1 pikë në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2011, nga 3.3 që ishte për vitin 2010, me tetë burime të dhënash me standartin e devijimit 0.18 (minimumi 2.3 dhe maksimumi 4). Këtë vit Shqipëria renditet në vendin e 95, krahasuar me vendin e 87 në vitin paraardhës, duke zbritur në klasifikim 8 vende më poshtë se në 2010. 

Llogaritja e indeksit për Shqipërinë është realizuar nga 7 institucione të pavarura nëpërmjet 8 burimeve të dhënash: Fondacioni Bertelsmann, Njësia e Inteligjencës Ekonomike (Economic Intelligence Unit), Global Insight, Freedom House, Guida Ndërkombëtare e Vendeve sipas Riskut (International Country Risk Guide), Forumi Ekonomik Botëror (World Economic Forum), dhe Projekti i Drejtësisë Botërore (World Justice Project).

Në rajonin e Evropës Jug-Lindore, vërehet një përkeqësim i dukshëm në vendet e Ballkanit Perëndimor; me përjashtim të Malit të Zi që ka patur rritje në pikë (nga 3.7 në 4) me 3 shkallë klasifikimi; duke arritur rezultat të njëjtë me Kroacinë e cila ka pësuar rënie të lehtë në klasifikim. Ndërkohë që vendi i parë në rajon vazhdon t`i përkasë Turqisë me notën 4.2 duke u renditur e 61-ta në klasifikim.

Shqipëria renditet vendi i tetë ose i parafundit në rajon, duke lënë prapa vetëm shtetin më të ri të Kosovës.

Në këtë kornizë perceptimesh e analizash, TIA u bën apel agjensive zbatuese të ligjit të angazhohen në mënyrë rigoroze në implementimin e tij, si dhe retorikat e angazhimet politike të përkthehen në reforma serioze në qeverisjen e vendit. Beteja anti-korrupsion duhet të vijojë të jetë në qendër të axhendës së qeverisjes si kusht themelor për proceset integruese në Bashkimin Europian. TIA kujton se heqja e imuniteteve për zyrtarë të lartë, deputetë, ministra, prokurorë e gjyqtarë do t'i vendoste realisht të gjithë të barabartë përpara ligjit. Kultura e pandëshkueshmërisë duhet luftuar me çdo mjet.

Transparency International është organizata botërore e shoqërisë civile që drejton luftën kundër korrupsionit